Ndërlidhjet

Mitrovicë e Veriut, 13 qershor.
Mitrovicë e Veriut, 13 qershor.

Qetësohet situata në Mitrovicë të Veriut

  • Rreth orës 13:00 të së martës, në Mitrovicë të Veriut janë dëgjuar sirena alarmi.
  • Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës janë të lënduar gjatë një aksioni në veri.
  • Sipas tij, Policia e Kosovës në këtë aksion e ka arrestuar Milun Milenkoviq- Llune, “një nga udhëheqësit e formacionit kriminal 'Mbrojtja Civile’”.
  • Sipas Sveçlës, i njëjti ka qenë edhe organizatori kryesor i sulmeve ndaj forcave të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan para dy javësh.
  • Serbët lokalë kanë organizuar në tri komunat në veri të Kosovës, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.
  • Ata kanë protestuar rregullisht prej 29 majit, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale.
18:40 6.6.2023

Escobar dhe Lajçak takohen me përfaqësuesit e Listës Serbe

I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, janë takuar me përfaqësuesit e Listës Serbe.

Lajçak tha se asnjë zgjidhje për situatën në veri të Kosovës nuk mund të arrihet pa pjesëmarrjen e serbëve.

"Me përfaqësuesit e Listës Serbe dhe të shoqërisë civile, ne theksuam nevojën për pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës në zgjedhjet e reja", shkroi ai në Twitter.

Lista Serbe njoftoi se gjatë takimit ka përsëritur kërkesat e saj, që janë tërheqja e Policisë së Kosovës nga veriu dhe kryetarëve të rinj shqiptarë dhe formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Gjatë ditës, Escobar dhe Lajçak u takuan edhe me përfaqësuesit e partive të tjera opozitare shqiptare në Kosovë.

Lajçak tha se partitë opozitare u informuan për "pasojat e krizës aktuale dhe dëmin e reputacionit të Kosovës".

"U kërkuam atyre që të mbështesin zgjidhjen politike për shtensionimin e situatës", tha ai.

16:04 6.6.2023

Escobar: Pavarësisht sfidave me Kurtin, ne qëndrojmë me popullin e Kosovës

I dërguari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha se Uashingtoni qëndron me popullin e Kosovës, por theksoi se Uashingtoni nuk mbështet një individ "që nuk ka instinkt bashkëpunimi".

“Ne po e shohim që po merren vendime, pavarësisht partneritetit tonë, dhe ky është sinjal për ne, ne nuk mund të pranojmë këtë gjë. Prandaj, në një pikë, kur të duam të rikthejmë koordinimin dhe partneritetin me këtë Qeveri, ne jemi të gatshëm, sepse ne gjithmonë do të jemi me popullin e Kosovës. Kjo nuk nënkupton që duhet ta mbështesim një individ që nuk ka atë instinkt të bashkëpunimit dhe koordinimit”, tha ai gjatë një takimi me gazetarë në Ambasadën amerikane në Prishtinë.

Escobar tha se pavarësisht “disa sfidave” që kanë në raportet dypalëshe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, “ne do të vazhdojmë të jemi mbështetësi juaj më i fuqishëm në komunitetin ndërkombëtar”, tha Escobar.

Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU

14:17 6.6.2023

Abdixhiku: Kurti s’ka gatishmëri të koordinohet me aleatët

Pas takimit me emisarin amerikan, Gabriel Escobar, dhe atë evropian, Mirosllav Lajçak, kreu i partisë opozitare, Lidhjes Demokraike të Kosovës, tha se Kosova po futet në një situatë "shqetësuese dhe të paqartë".

"Shqetësuese për shkak të gjendjes së relacioneve që Kosova ka me aleatët e saj, e të paqartë për shkak të mungesës së planit dhe gatishmërisë së kryeministrit të Kosovës [Albin Kurti] për koordinim me aleatët tanë", tha kreu I LDK-së, Lumir Abdixhiku.

Ai tha se qytetarëve u mbetet të shohin se cilat do të jenë pasojat e raporteve të tilla të shtetit me SHBA-në, BE-në dhe NATO-n.

"Shpresojë të reflektojë [kryeministri Kurti] dhe sërish i bëj thirrje presidentes që të jetë më e zëshme, më e zëshme në këtë moment kritik", theksoi ai.

12:38 6.6.2023

Përfundon takimi i liderëve të opozitës me Escobarin dhe Lajçakun

Të dërguarit e SHBA-së dhe BE-së, Gabriel Escobar dhe Mirosllav Lajçak, kanë përfunduar takimin me partitë opozitare të Kosovës në zyren e BE-së në Prishtinë.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, tha se nuk i ka parë kurrë më të shqetësuar ndërkombëtaret.

"Zgjidhja e situatës i takon Qeverisë së Kosovës, përgjegjësia i takon asaj", tha Krasniqi pas takimit, duke theksuar se opozita shprehi gatishmërinë të punojë për përmirësimin e marrdhënieve me aleatet si SHBA-ja dhe BE-ja.

Ai nuk iu përgjij pyetjes se a i mbështet kërkesën për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

"Nuk do të spekuloj, pasi që një gjë e tillë nuk është diskutuar deri më tash", shtoi Krasniqi.

Shfaq më shumë

XS
SM
MD
LG