Osmani: Ndëshkimi i grupeve kriminale, rruga e vetme për stabilitet
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, citohet t’u ketë thënë të dërguarve të SHBA-së dhe BE-së, Gabriel Escobar dhe Mirosllav Lajçak, se vetëm ndëshkimi i grupeve kriminale mund të çojë në një “stabilitet të qëndrueshëm dhe afatgjatë”.
“Prandaj presim që institucionet ligjzbatuese ta bëjnë punën e tyre, në përputhje me ligjin, në mënyrë që grupet kriminale përgjegjëse për dhunën të përballen me drejtësinë”, u tha Osmani, sipas njoftimit të Zyrës së Presidentes.
Osmani përmendi edhe mundësinë e organizimit të zgjedhjeve të reja – që ka qenë kërkesë e Escobarit dhe Lajçakut në takimin e një dite më parë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.
“Zgjedhjet e reja në komunat në veri të vendit mund të organizohen në përputhje me kornizën aktuale kushtetuese e ligjore dhe në këtë kontekst, duhet të sigurohet pjesëmarrje demokratike e qytetarëve që jetojnë në këto katër komuna”, tha Osmani.
Ajo, gjithashtu, theksoi se Kosova është e përkushtuar të punojë në bashkëpunim me aleatet e saj ndërkombëtare.
Për më shumë detaje nga ky takim, lexojeni lajmin e mëposhtëm:
Përfundon takimi i Osmanit me Escobarin dhe Lajçakun
Ka përfunduar takimi mes presidentes së Kosovës, Vjosa Osmanit, të dërguarit të posaçëm të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe të dërguarin i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Ata nuk u deklaruan për media pas takimit, por u nisën drejt zyres së BE-së në Prishtinë, ku u paralajmërua takim me liderët e opozitës.
Më vonë është paralajmëruar se do të ketë edhe takim me Listën Serbe, partinë më të madhe të serbëve në Kosovë.
Escobar dhe Lajçak takohen me Osmani
Gjatë vizitës dyditore në Prishtinë dhe Beograd, të dërguarit e SHBA-së dhe BE-së, Gabriel Escobar dhe Mirosllav Lajçak, kanë nisur takimin me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin.
Ata pritet që gjatë ditës të takohen edhe me përfaqësues të partive në Kosovë, përshirë Listën Serbe.
Një ditë më parë, Escobar dhe Lajçak u takuan me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, të cilit i kërkuan qetësimin e situatës në veri, mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në dialogun e Brukselit.
Më vonë gjatë ditës, Escobar dhe Lajçak do të udhëtojnë drejt Beogradit, ku, sipas njoftimeve, në orën 18:30 do të takohen me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Qetë në Zveçan, hiqet edhe një pjesë e telave gjemborë
Situata raportohet të jetë e qetë mëngjesin e së martës në Zveçan, ku janë mbledhur sërish një grup i vogël qytetarësh lokalë që kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve të rinj në ndërtesat komunale.
Të martën janë hequr edhe një pjesë e telave gjemborë përreth ndërtesës komunale, ndërsa tani aty qëndrojnë vetëm tre ushtarë.
Në këtë komunë me shumicë serbe në veri të Kosovës, më 29 maj kishte ndodhur një përleshje mes ushtarëve të KFOR-it dhe protestuesve lokalë.