Kurtit i kërkohet qetësim i situatës në veri, zgjedhje dhe kthim në dialog
Qetësimi i situatës në veri të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja dhe kthimi në dialog ishin tri kërkesat e të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, dhe të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobarit, gjatë takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.
Pas takimit që zgjati më shumë se dy orë, Escobar tha se shpreson që kërkesat e tyre të dëgjohen pasi që tha se "SHBA-ja, BE-ja, NATO-ja dhe pothuajse çdo mik i Kosovës e ka bërë të njëjtin propozim".
Të pyetur se a i ka pranuar Kurti propozimet e tyre, të dy thanë se janë në "fillim të misionit të tyre", që do të zgjasë dy ditë.
Për më shumë detaje, lexojeni lajmin e mëposhtëm:
Ka nisur takimi mes Kurtit, Escobarit dhe Lajçakut
Në ndërtesën e Qeverisë ka nisur takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe të dërguari të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak.
Takimi ishte paralajmëruar të niste në orën 20:00, mirëpo nisi më shumë se 30 minuta më vonë.
Të dërguarit e SHBA-së dhe BE-së do të zhvillojnë takime me krerë të lartë shtetërorë në Prishtinë dhe Beograd, më 5 dhe 6 qershor.
Çfarë ka ndodhur sot në veri?
- Serbët lokalë janë mbledhur edhe të hënën në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve shqiptarë në ndërtesat komunale.
- Qeveria e Kosovës dhe Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – kanë përmendur disa kushte për mbajtjen e zgjedhjeve të reja në këto komuna.
- Bashkimi Evropian ka thënë se është i gatshëm të organizojë takim të nivelit të lartë, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kur të krijohen kushtet.
- Në orët e paradites, pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, i kanë hequr telat gjemborë afër ndërtesës komunale në Zveçan. Telat janë vendosur pas përleshjeve të 29 majit mes KFOR-ut dhe serbëve lokalë.
- NATO ka konfirmuar mbërritjen e trupave shtesë në Kosovë, përfshirë 500 trupat nga Turqia. Ndërkohë, 15 ushtarë të lënduar italianë janë kthyer në Itali për shërim.
- Policia e Kosovës ka konfirmuar se në Zveçan është sulmuar një veturë policore. Nga ky sulm nuk është raportuar për të lënduar.
- Gjatë ditës, Kurti është takuar me zyrtarë diplomatikë të Francës dhe Gjermanisë, që janë në Kosovë, për të biseduar rreth nevojës për ulje të tensioneve.
- Në orën 20:00, Kurti pret të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak në ndërtesën e Qeverisë.
Përderisa ndërkombëtarët kanë bërë thirrje të vazhdueshme për marrjen e hapave drejt uljes së tensioneve, Qeveria e Kosovës dhe Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve në Kosovë -kanë vendosur disa kushte për mbajtjen e zgjedhjeve në veri të Kosovës.
Çfarë mendoni ju se do të ndikonte në uljen e tensioneve në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq? Jepeni mendimin tuaj duke u përgjigjur në anketën e Radios Evropa e Lirë: