Serbët vazhdojnë protestat derisa peshohet opsioni i zgjedhjeve
Protestat e qytetarëve serbë kundër kryetarëve shqiptarë në komunat në veri të Kosovës, hynë të hënën në javën e dytë. Derisa zgjedhjet e reja lokale diskutohen si mundësi për shtensionimin e situatës, edhe Qeveria e Kosovës, edhe serbët lokalë kanë fillimisht kushte për mbajtjen e tyre.
Pesëmbëdhjetë ushtarë të lënduar të KFOR-it kthehen në Itali
Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka bërë të ditur më 5 qershor se 15 ushtarë italianë të lënduar janë kthyer në shtëpi për trajtim mjekësor.
Sipas njoftimit të KFOR-it, 11 prej këtyre ushtarëve të lënduar i kishin pësuar lëndimet gjatë përleshjeve më 29 maj në Zvecan, ndërsa tetë të tjerë u referuan nga kampi Villagio Italia në Pejë për trajtime mjekësore.
“Sot, 15 nga 19 trupat u kthyen në Itali dhe u transferuan në spitalin ushtarak italian ‘Celio’ për trajtim të mëtejshëm mjekësor. Të tjerët do të shërohen në infermierinë mjekësore të KFOR-it në Shtabin e KFOR-it dhe janë planifikuar që së shpejti të kthehen në detyrat e tyre”, thuhen në njoftimin e KFOR-it.
NATO konfirmon arritjen e trupave shtesë në Kosovë
NATO ka konfirmuar më 5 qershor se në Kosovë kanë filluar të arrijnë trupat përforcuese për misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR, pasi përleshjet e dhunshme me protestuesit në Zvecan më 29 maj i kishin lënë 30 ushtarë të KFOR-it të lënduar.
“Rreth 500 pjesëtarë të shërbimit turk nga batalioni i Brigadës 65 të Mekanizuar të Këmbësorisë së Turqisë do ta përbëjnë pjesën më të madhe të përforcimeve të NATO-s”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga NATO-ja.
Në këtë deklaratë thuhet se këta trupa përforcues do të qëndrojnë në Kosovë për “aq sa të ketë nevojë” dhe se edhe një batalion tjetër është vënë në gatishmëri të lartë për dislokim në Kosovë në rast nevoje.
Për më shumë detaje lexojeni lajmin më poshtë:
Policia konfirmon sulmin ndaj një veture policore në Zveçan
Policia e Kosovës e ka konfirmuar se një veturë policore është sulmuar me gurë gjatë patrullimit afër objektit komunal të Zveçanit. Si pasojë e sulmit, veturës i është thyer xhami, mirëpo nuk raportohet për të lënduar.
Në një përgjigje për REL-in, Policia e Kosovës ka konfirmuar se hetimet për këtë rast kanë filluar.
Për më shumë detaje lexojeni lajmin më poshtë: