Chollet inkurajon Vuçiqin të ndihmojë në zbutje të krizës në veri të Kosovës
Këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i ka bërë thirrje presidentit serb Aleksandar Vuçiq, që të marrë hapa drejt uljes së tensioneve në veri të Kosovës.
Përmes një postimi në Twitter, Chollet ka thënë se në bisedën që e ka zhvilluar me Vuçiqin, më 2 qershor, i ka kërkuar atij që të kthehet drejt rrugës së normalizimit dhe angazhimit konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.
Kurti: Nuk mund të ketë kryetarë të rinj pa zgjedhje të reja
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të shtunën se nuk mund të ketë kryetarë të rinj në katër komunat në veri - Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq - pa zgjedhje të reja.
“Unë e kuptoj që zgjedhjet që janë mbajtur në veri të Kosovës kanë pasur dalje shumë të ulët dhe legjitimiteti është i vakët, mirëpo këta kanë pak legjitimitet, e ata të tjerët kanë aspak legjitimitet”, ka deklaruar Kurti.
Sipas tij, gjithçka është duke shkuar drejt normalizimit dhe se kjo do të mund të bëhej edhe më shpejt “po të mos ishin obstruksionet e Beogradit”.
“Për t’u bërë normalizimi, adresa ku duhet të bëhet trysnia nuk është Prishtina, që është kryeqyteti i shtetit më demokratik, e me policinë më profesionale në Ballkanin Perëndimor, por është Beogradi, i cili duke mos u distancuar nga krimet e [ish liderit serb, Sllobodan] Millosheviqit”, ka thënë mes tjerash Kurti.
BE i kërkon Kosovës mbajtje të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri
Bashkimi Evropian ka kërkuar të shtunën që Kosova t'i pezullojë menjëherë operacionet policore në afërsi të objekteve komunale në veri të Kosovës, dhe që kryetarët e zgjedhur shqiptarë të kryejnë funksionin e tyre nga objektet alternative.
“Zgjedhjet e jashtëzakonshme duhet të shpallen sa më shpejt që të jetë e mundur në të katër komunat, dhe ato të organizohen në mënyrë gjithëpërfshirëse. Presim që serbët e Kosovës të marrin pjesë në to”.
Në një deklaratë të Bashkimit Evropian, të lëshuar nga kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, është dënuar dhuna që ka ndodhur në veri ditë më parë, dhe që Kosova të ndërmarrë hapa për të ulur tensionet.
Lajmin e plotë e gjeni në linkun më poshtë:
Katër organizata i bëjnë thirrje komunitetit ndërkombëtar për mbrojtje të serbëve në Kosovë
Katër organizata joqeveritare që mbrojnë të drejtat e komunitetit serb në Kosovë – NSI, InTER, Aktiv dhe ACDC – u janë drejtuar Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Britanisë së Madhe, përmes një letre publike, duke kërkuar mbrojtje për serbët në Kosovë.
Këto organizata kanë shprehur shqetësim, për, siç kanë thënë, “veprimet represive dhe agresive të Qeverisë së Kosovës dhe sjelljen e forcave speciale të policisë në veri të Kosovës”.
Këto organizata kanë thënë se bëjnë thirrje për paqe, si dhe për plotësim të disa kërkesave.
Në mesin e kërkesave drejt mekanizimit ndërkombëtar, mes tjerash, janë përmendur:
- Tërheqja e njësiteve speciale nga veriu i Kosovës
- Largimin e kryetarëve të rinj shqiptarë nga ndërtesat komunale në komunat veriore
- Dislokimin e KFOR-it dhe EULEX-it në veri, për të garantuar sigurinë
- Formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë
- Organizimin e zgjedhjeve të reja në veri