Turqia do të dërgojë trupa në Kosovë, në kuadër të KFOR-it
Turqia planifikon të dërgojë në Kosovë disa ushtarë të dielën dhe të hënën, si përgjigje ndaj kërkesës së NATO-s, për t’iu bashkuar forcës paqeruajtës të saj, KFOR, pas trazirave që kanë ndodhur në pjesën veriore të Kosovës, ka thënë Ministria turke e Mbrojtjes.
Në një deklaratë të lëshuar të shtunën, ministria ka bërë thirrje për përmbajtje dhe dialog konstruktiv, për ta zgjidhur krizën, e cila, sipas autoriteteve turke, mund ta dëmtojë stabilitetin dhe sigurinë rajonale.
“Njësitet tona planifikojmë të angazhohen në Kosovë më 4-5 qershor”, është thënë në ministri.
Prej 29 majit, serbët lokalë të komunat veriore – Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – janë duke protestuar për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale.
Më 29 maj, situata është përshkallëzuar në Zveçan, pas përplasjes së protestuesve serbë me pjesëtarë të KFOR-it.
Për pasojë janë plagosur 30 pjesëtarë të forcës paqeruajtës dhe 52 serbë.
Dhuna e ka nxitur NATO-n që të angazhojë 700 trupa shtesë në Kosovë, përveç 4.000 trupave që veçse janë në këtë shtet.
Faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje të vazhdueshme për marrjen e hapave drejt uljes së tensioneve.
Disa diplomatë kanë kërkuar edhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti kanë dhënë shenja se mund të ndodhë diçka e tillë.
Policia: Situata në veri është e qetë
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka thënë të shtunën për Radion Evropa e Lirë se situata në veri të vendit është e qetë.
Ai ka thënë se monitorimi i situatës dhe angazhimet policore të koordinuara me institucioneve relevante të sigurisë po vazhdojnë në atë pjesë.
“Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet e sigurisë, po vazhdojnë angazhimet policore në zbatimin e rendit dhe sigurisë publike, ofrimin e sigurisë ndaj qytetarëve si dhe ndërmarrjen e masave policore konform situatës dhe zhvillimeve në komunat veriore”, ka deklaruar mes tjerash Kelani.
Po hetohen sulmet ndaj zyrtarëve policorë në veri
Policia e Kosovës ka njoftuar të shtunën se kanë nisur hetimet për sulmet ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës, më 29 maj, në Zveçan.
Policia ka thënë se për këtë rast është është informuar edhe prokurori.
“Me datën 29 maj, rreth 70-80 persona të dhunshëm, duke përdorur mjete eksplozive të ndryshme, armë zjarri, gurë dhe tulla betoni, kanë sulmuar zyrtarët policorë, të cilët ishin në kryerje të detyrës zyrtare”, është thënë në njoftimin 24-orësh të Policisë.
Sulmet ndaj zyrtarëve të këtij institucioni konsiderohen “sulm kundër rendit kushtetutës të Kosovës”.
Kërkesat e zyrtarit amerikan për Kosovën dhe Serbinë
Zëvendëskëshilltari amerikan për Siguri Kombëtare Jon Finer, ka biseduar ditëve të fundit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Alesandar Vuçiq, lidhur me tensionet në veri të Kosovës.
Kurtit i është kërkuar që kryetarët e rinj t’i kryejnë detyrat në lokacione alternative dhe që forcat policore të tërhiqen nga ndërtesat komunale.
Në komunikatë është thënë se Finer e ka mirëpritur gatishmërinë e Kurtit që të punohet drejt krijimit të kushteve për zgjedhje të reja.
Vuçiqit, në anën tjetër, i është kërkuar që t’i tërheqë forcat e armatosura nga zona afër kufirit, dhe që ta ulë nivelin e gatishmërisë ushtarake, si dhe të kërkojë nga protestuesit që të jetë në qetë.
Në dy komunikata për media, të lëshuara nga Shtëpia e Bardhë, është përmendur se Finer u ka kërkuar Kurtit dhe Vuçiqit që të riangazhohen në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, si dhe të zbatojnë plotësisht Marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve.
Palët janë darkorduar për këtë Marrëveshje në shkurt në Bruksel, ndërsa për aneksin e zbatimit, në mars të Ohër.