Ndërlidhjet

Qeveria vazhdon shpronësimin në veri të Kosovës, banorët protestojnë


Protesta e banorëve serbë në Leposaviq kundër shpronësimit të tokave në veri të Kosovës. 2 shkurt 2023.
Protesta e banorëve serbë në Leposaviq kundër shpronësimit të tokave në veri të Kosovës. 2 shkurt 2023.

Një grup i serbëve lokalë në fshatin Dren, Komuna e Leposaviqit në veri të Kosovës, protestoi të premten për të tretën ditë me radhë, duke kërkuar nga Qeveria e Kosovës që ta tërheqë vendimin për shpronësimin e tokave në atë zonë, të marrë në mes të janarit.

Në mesin e tyre ishte edhe Sllavisha Jovanoviq, i cili tha se prona e tij është “uzurpuar” me shpronësim, sepse, siç u shpreh, askush nuk e ka pyetur apo informuar për një gjë të tillë.

“Neve na rrezikohen tetë hektarë pyje, pra familjes Jovanoviq. Edhe fqinjëve përtej kodrës u rrezikohen”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.

Jovanoviq shtoi se për të dhe bashkëfshatarët e tij, problemi më i madh është se në tokën e shpronësuar pritet të ndërtohet një bazë për policinë kufitare të Kosovës.

Në katër komunat në veri të Kosovës të lidhura territorialisht - Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok - shumica e popullatës është serbe.

Zona përfshihet shpesh nga tensionet, pasi banorët lokalë i kundërshtojnë autoritetet e Kosovës.

Policia e Kosovës konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se në fshatin Dren ka filluar puna për ndërtimin e stacionit policor kufitar, “me qëllim të sigurimit të qytetarëve, menaxhimit të kufirit dhe parandalimit të kontrabandës në atë rajon”.

Çfarë thanë banorët e tjerë të Drenit?

Ivan Josifoviq tha se Qeveria e Kosovës ka marrë “vendim të paligjshëm për shpronësimin e pronës së tij”.

Ai tha se qëllim i protestës së banorëve është tërheqja e vendimit për shpronësim dhe ndalimi i të gjitha punëve për ndërtimin e bazës së policisë kufitare.

“Të gjendet një zgjidhje në mënyrë paqësore”, u shpreh ai.

Kundër shpronësimit u shpreh edhe Jovan Millovanoviq, i cili tha se në atë lokacion, pranë varrezave, gjendet edhe një kishë e shekullit XIII.

“Të përpiqemi t’i ndalojmë [punimet]”, tha ai, duke shtuar se ajo që i shqetëson më shumë banorët, është se nuk e dinë saktësisht se çfarë do të ndërtohet.

“Është e pamundur që 80 hektarë të jenë vetëm bazë e policisë kufitare. Çfarë do të bëjë policia kufitare në majë të kodrës”, tha Millovanoviq dhe shtoi se stacioni i policisë kufitare nuk është me interes publik për banorët atje.

Çfarë i parapriu shpronësimit?

Në veri të Kosovës gjenden dy pika kufitare me Serbinë - Jarinja dhe Bërnjaku - por në atë rajon, prej vitesh, shfrytëzohen rrugë alternative dhe ilegale, për të shmangur vendkalimet zyrtare. Pikërisht këto rrugë, sipas zyrtarëve të Kosovës, shfrytëzohen për kontrabandë.

Deri më tash, Policia e Kosovës ka kryer disa aksione kundër kontrabandës me mallra dhe ka mbyllur rrugë alternative që çojnë në Serbi. Aksionet e tilla nuk kanë kaluar pa incidente.

Në korrik të vitit të kaluar, pesë policë të Kosovës janë plagosur, kur kanë ndaluar disa kamionë nën dyshimet për kontrabandë mallrash.

Një aksion anti-kontrabandë ka hasur në kundërshtimin e banorëve në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan edhe në tetor të vitit 2021, kur kanë shpërthyer përleshje, ndërsa policia ka përdorur gaz lotsjellës për t’i shpërndarë protestuesit.

Në atë rajon, Dogana e Kosovës ka konfiskuar disa herë mallra të kontrabanduara, kryesisht pije alkoolike dhe joalkoolike, ushqime dhe pajisje të ndryshme teknike.

Si shkoi procesi i shpronësimit?

Më 16 janar, Qeveria e Kosovës, e kryesuar nga kryeministri Albin Kurti, e shpalli një tokë në territorin e Komunës së Leposaviqit “pronë të paluajtshme me interes të veçantë publik”, e cila, siç tha, është e nevojshme për realizimin e projekteve infrastrukturore me interes publik”.

Në atë vendim të Qeverisë thuhet se bëhet fjalë për zonat kadastrale, Dren dhe Leshak, Komuna e Leposaviqit, por nuk saktësohet se sa është sipërfaqja e tokës që do të shpronësohet.

Zoran Todiq duke biseduar me një zyrtar policor gjatë protestës së komunitetit serb në Leposaviq kundër shpronësimit të tokave në veri të Kosovës.
Zoran Todiq duke biseduar me një zyrtar policor gjatë protestës së komunitetit serb në Leposaviq kundër shpronësimit të tokave në veri të Kosovës.

Kryetari i organit të përkohshëm komunal serb në Leposaviq dhe ish-kryetari i asaj komune në sistemin e Kosovës, Zoran Todiq, tha në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë se bëhet fjalë për 83 hektarë tokë, prej të cilëve 13 parcela janë pronë private, gjashtë parcela janë në pronësi shoqërore dhe një në pronësi të Komunës së Leposaviqit.

Ai tha se dy zonat kadastrale në Dren dhe Leshak janë, në fakt, një kodër e madhe. Sipas tij, në parcelën komunale ka edhe varreza të banorëve të fshatit Dren.

Todiq tha se askush nuk i ka njoftuar banorët për shpronësimin dhe se për situatën është marrë vesh nga mediat.

“Pasi e kemi marrë vesh, i kemi ftuar në bisedë pronarët e parcelave. Kemi parë se as ata nuk i ka kontaktuar askush dhe se aty e kanë kuptuar se janë parcelat e tyre. Njerëzit janë ankuar dhe i janë drejtuar vetëqeverisjes lokale, dhe ne u kemi dalë në ndihmë”, tha Todiq, zyrtar i Listës Serbe, për Radion Evropa e Lirë.

Ai shtoi se këtë çështje do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës dhe në Zyrën e Avokatit të Popullit.

Qeveria e Kosovës miratoi edhe dy vendime për shpronësim

Qeveria e Kosovës nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë në lidhje me reagimin e popullatës lokale.

Kurti ka thënë për transmetuesin publik të Kosovës më 28 janar se shpronësimi në veri të Kosovës nuk është i drejtuar kundër pjesëtarëve të komunitetit serb, por kundër kontrabandës së mallrave dhe kundër veprimeve të Serbisë.

“Kemi filluar të punojmë më shumë për të mbrojtur kufirin, kur Aleksandar Bocan Harachenko, ambasadori rus në Serbi, së bashku me ministrin e atëhershëm të Mbrojtjes, [Nebojsha] Stefanoviq, kanë ardhur për të inspektuar grupimin e forcave serbe në kufi me Kosovën”, ka thënë Kurti.

Ai, po ashtu, ka thënë se gjatë shpronësimit, nuk është shkelur as ligji dhe as Kushtetuta e Kosovës.

Më 2 shkurt, Qeveria e Kosovës ka miratuar një vendim, me të cilin ka autorizuar Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës që “të kryejë punë përgatitore në zonat kadastrale Dren dhe Leshak, për realizimin e projekteve infrastrukturore me interes publik”.

Në të njëjtën seancë janë miratuar edhe dy vendime për shpronësimin e tokave në territorin e Komunës së Leposaviqit dhe asaj të Zubin Potokut.

Lista Serbe i shkroi Quint-it

Udhëheqësi i Listës Serbe, Goran Rakiq, ka thënë më 2 shkurt se, në emër të popullit serb dhe pronarëve të tokave që do të shpronësohen, u ka dërguar letër proteste ambasadorëve të SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë, Gjermanisë - të njohura si vendet e Quint-it - si dhe shefave të misioneve të BE-së, UNMIK-ut, OSBE-së dhe komandantit të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Lista Serbe është partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila funksionon me mbështetjen e Beogradit zyrtar.

“Në letër janë bërë të qarta shkeljet e të gjitha rregullave ligjore, të cilat rregullojnë çështjen e shpronësimit, dhe se kjo procedurë është e papranueshme për pronarët e patundshmërive dhe popullin serb që jeton në veri të Kosovës”, është thënë në njoftimin e Listës Serbe.

Rakiq ka kërkuar që “të ndërpriten urgjentisht veprimet e paligjshme dhe të parandalohen kërcënimet e mëtejshme për paqen, sigurinë juridike dhe fizike” të pjesëtarëve të komunitetit serb nga Qeveria e Kosovës.

Goran Rakiq
Goran Rakiq

Çfarë thuhet në ligj?

Ligji për shpronësim thotë se Qeveria e Kosovës, në përputhje me pikën 3 të nenit 4, mund të shpronësojë prona.

Aty thuhet se në raste të tilla vërtetohet se komuna përkatëse ose autoriteti publik komunal i ka të njëjtat të drejta me ato që u jepen personave privatë sipas të njëjtit ligj, përfshirë të drejtën për të kundërshtuar ligjshmërinë e shpronësimit dhe/ose masën e kompensimit në gjyq.

Përveç veprimeve për ushtrimin e të drejtave të parashikuara me ligj, asnjë komunë apo autoritet publik komunal nuk mund ta ndalojë ose pengojë kryerjen e shpronësimit.

Në pikën 3 të nenit 4 thuhet se Qeveria ka autoritet ta shpronësojë pronën për çdo qëllim ligjor, që nuk është përcaktuar në pikat 2.4.1. deri në 2.4.4. të atij neni, nëse plotësohen kushtet e përcaktuara në pikën 1.

Pika 1 thotë se shpronësimi i pronës së paluajtshme kryhet vetëm nëse shpronësimi lidhet drejtpërdrejt me një interes të ligjshëm publik, se interesi publik nuk mund të arrihet pa shpronësim, se interesi publik - që rezulton nga shpronësimi - është më i madh se interesi që do të shkaktonte ndikim negativ si rezultat i shpronësimit.

Gjithashtu thuhet se shpronësimi i pronës së paluajtshme mund të bëhet nëse përzgjedhja e pronës nuk është bërë për të zbatuar ndonjë objektiv diskriminues.

Një grup i serbëve lokalë në fshatin Dren, Komuna e Leposaviqit në veri të Kosovës, protestoi të premten për të tretën ditë me radhë kundër shpronësimit të tokave në veri të Kosovës.
Një grup i serbëve lokalë në fshatin Dren, Komuna e Leposaviqit në veri të Kosovës, protestoi të premten për të tretën ditë me radhë kundër shpronësimit të tokave në veri të Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG