Ndërlidhjet

Propozimi francez për vizat “mund të ndryshojë”


Kjo fotografi e bërë më 28 qershor 2022, tregon një tabelë në një lokal në Prishtinë, ku shkruhet "Ndalohet hyrja për qytetarët e BE-së që nuk kanë viza", në shenjë proteste për refuzimin e liberalizimit të vizave për kosovarët.
Kjo fotografi e bërë më 28 qershor 2022, tregon një tabelë në një lokal në Prishtinë, ku shkruhet "Ndalohet hyrja për qytetarët e BE-së që nuk kanë viza", në shenjë proteste për refuzimin e liberalizimit të vizave për kosovarët.

Kushtëzimet e reja për liberalizimin e vizave për Kosovën, të iniciuara nga Franca, mund të mos kalojnë në Këshillin e Bashkimit Evropian, thotë profesori i shkencave politike në Universitetin e Oksfordit, Dimitar Bechev.

Në një takim të grupit punues për viza të Këshillit të BE-së, të mbajtur më 13 tetor, zyrtarët francezë propozuan që liberalizimi i vizave për Kosovën të lidhet me funksionalizimin e të ashtuquajturit sistem ETIAS.

Ky sistem digjital synon të bëjë evidentimin e vizitorëve që hyjnë prej jashtë BE-së në zonën e lëvizjes së lirë, Schengen.

ETIAS është dashur të nisë së funksionuari në vitin 2022, por data është shtyrë disa herë dhe tani si afat përmendet nëntori i vitit 2023.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, Bechev thotë se kërkesa franceze për liberalizimin e vizave për Kosovën, tash për tash, duhet të shihet vetëm si propozim.

“Këshilli (i BE-së) mund ta modifikojë në mënyrë dramatike propozimin”, thotë ai.

Në takimin e 13 tetorit u shqyrtua raporti i përditësuar teknik nga Komisioni Evropian, që konfirmon përmbushjen e kushteve për liberalizimin e vizave nga ana e Kosovës.

Nëse do të kishte pajtim mes vendeve anëtare të BE-së, atëherë ambasadorët e këtyre vendeve do ta bartnin përgjegjësinë te Parlamenti Evropian, Këshilli i BE-së dhe Komisioni Evropian, për nisjen e bisedimeve trepalëshe në lidhje me këtë çështje.

Meqë nuk kishte pajtim, diskutimet do të vazhdojnë në grupin punues të Këshillit të BE-së më 9 nëntor, ndërsa, deri atëherë, vendet anëtare do të zhvillojnë edhe konsultime ndërmjet vete.

Po ashtu, sipas burimeve diplomatike në Bruksel, vendet anëtare të BE-së kanë afat deri më 21 tetor që t’i dërgojnë komentet e tyre me shkrim lidhur me liberalizimin e vizave për Kosovën.

Në lidhje me motivin e Francës për kushtet shtesë, Bechev thotë se ajo synon forcimin e BE-së.

“[Franca] përdor zgjerimin për të nxitur rishikimin e politikave [brenda BE-së]”, thotë ai.

Franca nuk është e vetmja që mbështet idenë për ta lidhur ETIAS-in me lirinë e lëvizjes së kosovarëve. Belgjika dhe Spanja e mbështesin po ashtu, ndërsa Suedia, Holanda dhe Italia janë duke e konsideruar atë. Gjermania, megjithatë, është fuqishëm kundër propozimit.

I pyetur nëse presioni i mundshëm i Gjermanisë mund ta ndryshojë qëndrimin e Francës, Bechev thotë se “ajo ka mjaft ndikim në këtë çështje, marrë parasysh madhësinë dhe vendndodhjen e saj gjeografike”.

Radio Evropa e Lirë pyeti Ministrinë e Jashtme dhe atë të Brendshme të Francës në lidhje me kërkesat e shtetit të tyre dhe nëse ka mundësi që Parisi të tërhiqet nga ky pozicion. Në një përgjigje nga një burim i Ministrisë së Punëve të Jashtme thuhet se “Kosova nuk trajtohet ndryshe nga vendet tjera, të cilat së fundmi kanë përfituar nga liberalizimi i vizave”.

“Diskutimet vazhdojnë në Bruksel”, tha ky burim për REL-in.

“Të binden skeptikët”

Kristof Bender, zëvendësdrejtor i Iniciativës për Stabilitet Evropian, ka thënë më 14 tetor për Radion Evropa e Lirë se shtyrja e mëtutjeshme e liberalizimit të vizave për Kosovën është qasje “shkurtpamëse” dhe e dëmshme për Bashkimin Evropian.

“Të shtyhet sërish liberalizimi i vizave është thellësisht e padrejtë ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj. (Kjo) minon besueshmërinë dhe ndikimin e (BE-së) në Ballkan në tërësi”, ka thënë Bender.

Bender, i cili punon edhe në Institutin për Shkenca Humane në Vjenë, ka thënë se shtetet e BE-së duhet të sigurohen se vendimi për liberalizimin e vizave për Kosovën do të merret shpejt dhe “pa kushte shtesë”.

“Kjo kërkon një përpjekje reale nga shtetet anëtare që mbështesin liberalizimin e vizave për Kosovën, për t’i bindur skeptikët. Nëse nuk ka një përpjekje të tillë, skenari më i mundshëm është një vonesë e re e konsiderueshme”, ka thënë, mes tjerash, Bender.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e të cilit nuk mund të lëvizin lirshëm në zonën Schengen, të përbërë prej 26 shtetesh evropiane.

Vendet e tjera të rajonit ka më shumë se një dekadë që gëzojnë udhëtimin pa viza.

Komisioni Evropian, qysh në vitin 2018, ka konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kushtet e kërkuara për lëvizje të lirë.

Javën e kaluar, Komisioni, edhe njëherë, ka lëshuar një dokument, ku ka theksuar se rekomandimi i tij “mbetet plotësisht i vlefshëm”.

Përveç ndërlidhjes së liberalizimit të vizave me sistemin ETIAS, ka pasur zëra se Franca mund të nxjerrë edhe kushte të tjera, si për shembull: Prishtina të arrijë marrëveshje të riatdhesimit me të gjitha vendet anëtare të BE-së.

Nga Republika Çeke, e cila mban presidencën e Këshillit Evropian deri në fund të vitit 2022, kanë thënë disa herë se shpresojnë ta zgjidhin çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën gjatë mandatit të tyre.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG