Që nga përfundimi i luftës së viteve 1998-99 në Kosovë, Manastiri i Deçanit, i cili gjendet në pjesën perëndimore të vendit, kërkon marrjen në pronësi të një sipërfaqeje prej rreth 24 hektarësh.
Kjo tokë, që ndodhet përreth këtij manastiri, në kadastër është e shënuar si pronë e dy ndërmarrjeve "Iliria" dhe "Apiko" - e para hotel dhe e dyta fabrikë mjalti.
Pronësia e Manastirit të Deçanit mbi këta 24 hektarë tokë u konfirmua nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës në maj të vitit 2016.
Por, këtë vendim, autoritetet lokale të Deçanit nuk e zbatojnë as sot e kësaj dite, duke vlerësuar se kjo sipërfaqe u mor me dhunë në vitet ’90, nga regjimi i udhëheqësit të atëhershëm serb, Sllobodan Millosheviq.
Nga Manastiri i Deçanit i thanë REL-it se në vitin 1997, manastirit, në fakt, iu kthyen 24 nga gjithsej 700 hektarët tokë, të cilët i janë marrë në vitin 1946 nga pushteti komunist i Jugosllavisë së atëhershme.
Çfarë ka në këtë sipërfaqe dhe pse është e rëndësishme për Deçanin?
Përveç tokës bujqësore dhe pyllit, në këta 24 hektarë ndodhen edhe dy objekte hoteliere, me rreth 10 objekte të vogla përcjellëse, si dhe objekti i një ndërmarrjeje që në kohën e paraluftës njihej për prodhim të mjaltit.
Radio Evropa e Lirë i vizitoi këto objekte, të cilat, me kalimin e viteve, u dëmtuan dhe shkatërruan.
Hotel "Iliria", një objekt i shkatërruar në mes të malit
Rreth 500 metra larg Manastirit të Deçanit, i fshehur mes pishave të larta, ndodhet objekti i hotelit "Iliria".
Ky hotel ishte ndër më të njohurit e kësaj ane në vitet e 70-ta dhe 80-ta.
Përveç që punësonte mesatarisht rreth 40 punëtorë, ai kishte fluks të madh vizitorësh, sidomos gjatë sezonit të verës.
Ky objekt - tani nën mëshirën e fatit - ndaloi së punuari në vitet ’90, kur regjimi i atëhershëm serb vendosi masa të dhunshme në Kosovë, duke mbyllur shumë institucione dhe ndërmarrje.
Inventari dhe gjërat e tjera përcjellëse u vodhën apo u dëmtuan në masë të madhe pas luftës, më 1999.
Hoteli tjetër që nuk i shihet fundi
Në skaj të hotelit "Iliria" ndodhet një kompleks tjetër hotelier.
Ndërtimi i tij nisi para luftës së viteve 1998-99, por punimet nuk u finalizuan.
Tensionimi i situatës politike atëbotë dhe fillimi i luftës bënë që punimet të ndërpriteshin.
Në hapësirat e brendshme vërehet se hoteli parashihej të kishte dhjetëra salla dhe një numër të madh dhomash.
Aty tani ka vetëm mbetje të ndërtimit.
Për këtë hotel nuk ka të dhëna për sipërfaqen, por ajo duket mjaft e madhe.
"Apiko", një objekt i rrethuar që s’mund të vizitohet
Objekti i bletarisë "Apiko" është i boshatisur dhe i rrethuar me tela.
Aty ka vite që nuk ka shkelur këmbë punëtori.
Që nga viti 1999, objekti i kësaj ndërmarrjeje është nën kujdesin e trupave të misionit paqeruajtës të KFOR-it.
Hyrja në të është e ndaluar.
Për shkak të afërsisë me një pikë kontrolli të KFOR-it, fotografimi i objektit është i mundur vetëm nga një distancë e largët.
Këtu kanë punuar rreth 30 punëtorë deri në fillim të viteve të 90-ta.
Si shumë ndërmarrje të tjera, edhe "Apiko" ndaloi së operuari për shkak të tensionimit të situatës politike.
Të gjitha këto objekte dhe vetë objekti i Manastirit të Deçanit ndodhen brenda asaj që me ligj kualifikohet si Zonë e Veçantë e Mbrojtur dhe përfshin gjithsej 839 hektarë.
Kuvendi i Kosovës, në vitin 2008, miratoi Ligjin për Zona të Veçanta të Mbrojtura, i cili duhet të sigurojë mbrojtjen e manastireve ortodokse serbe, kishave, vendeve të tjera fetare, si dhe vendeve historike dhe kulturore të një rëndësie të veçantë për komunitetin serb, si dhe për komunitetet tjera në Republikën e Kosovës.
Në zona të tilla nuk lejohen ndërtime e as zhvillim i projekteve infrastrukturore, por kjo s’e pengoi manastirin që të shtojë rrethoja guri dhe objekte të tjera përgjatë viteve.
“Humbjet janë të mëdha”
Përveç institucioneve komunale dhe atyre qendrore, pronësinë e Manastirit të Deçanit mbi 24 hektarë tokë nuk e njohin as disa qytetarë me të cilët bisedoi Radio Evropa e Lirë.
Miftar Januzaj, 63 vjeç, nga fshati Isniq i Deçanit, i cili ka punuar 15 vjet në kompleksin e pushimores "Pishat e Deçanit", thotë se bllokimi që i është bërë hapësirës dhe ndërmarrjeve pranë manastirit, ka shkaktuar dëme të mëdha për banorët.
“Manastiri i Deçanit është vend kulturor, por nuk do të thotë se ka të drejtë t’i marrë pronat që nuk i takojnë. As ne nuk i marrim të manastirit, por as manastiri të mos na i marrë tonat”, shprehet Januzaj.
Pushimorja e fëmijëve "Pishat e Deçanit" është në kuadër të Zonës së Veçantë të Mbrojtur. Ajo ruhet nga KFOR-i. Fotografimi i saj ishte i pamundur.
Por, siç shpjegon Janzuaj, pushimorja ka pasur një kapacitet të madh të akomodimit.
“Ka qenë një vend, ku kanë ardhur fëmijë nga e gjithë Kosova. Ka qenë një pushimore e të gjitha komunave. Ka qenë një pushimore me kapacitet prej 510 shtretërish. Ka qenë vend tejet piktoresk”, thotë Janzuaj.
Profesori dhe autori i librit “Resurset malore të Deçanit dhe turizmi”, Adem Lushaj, thotë se bllokimi i objekteve të kompleksit hotelier "Iliria" dhe fabrikës së mjaltit "Apiko" e ka penguar zhvillimin ekonomik të Komunës së Deçanit.
Ai është kundër vendimit që manastiri t’i marrë në pronësi 24 hektarët tokë përreth tij, pasi, siç thotë, të vetmit pronarë të asaj toke dhe objekteve përcjellëse janë dy ndërmarrjet: "Iliria" dhe "Apiko".
“Humbjet janë të mëdha, si në aspektin e punësimit, ashtu edhe të gjenerimit të të hyrave, kur dihet se turizmi është një sektor i zhvillimit ekonomik - tejet i rëndësishëm për Komunën e Deçanit”, shprehet Lushaj.
Lushaj thotë se në kompleksin hotelier "Iliria", në fabrikën e mjaltit "Apiko" dhe në pushimoren "Pishtat e Deçanit" kanë punuar rreth 100 punëtorë.
“Sipas një statistike që e kemi marrë, fabrika e mjaltit i ka pasur deri në 25 punëtorë, ndërsa kompleksi hotelier ‘Iliria’ ka qenë shumë i frekuentuar dhe ka pasur deri në 40 punëtorë”, thotë Lushaj.
Sipas tij, rreth 40 punëtorë të tjerë, varësisht nga sezoni, kanë qenë të angazhuar edhe në pushimoren e fëmijëve "Pishat e Deçanit".
Historia e kontestit në pak rreshta
Komuna e Deçanit dhe drejtoritë përkatëse, përfshirë Kadastrën, refuzojnë t’i lejojnë Manastirit të Deçanit që t’i regjistrojë në kadastër këta 24 hektarë.
Ato pretendojnë se kjo sipërfaqe u takon ndërmarrjeve shoqërore "Apiko" dhe "Iliria" dhe se nuk i kanë takuar asnjëherë Manastirit të Deçanit.
Jo vetëm institucionet lokale në Deçan, por edhe Qeveria e tanishme e Kosovës, si dhe disa qeveri të kaluara kanë shprehur haptas bindjen se Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka “legalizuar” vendimin e ish-presidentit të Republikës Federale të Jugosllavisë (RFJ), Sllobodan Millosheviq, të vitit 1997, kur ai ka vendosur t’ia dhurojë atë pronë Manastirit të Deçanit.
Në një formë apo tjetër, këtë mendim e kanë shprehur edhe kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, si dhe presidentja Vjosa Osmani.
Por, kërkesa të vazhdueshme për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese - autoritetit përfundimtar në Republikën e Kosovës për interpretimin e Kushtetutës - ka nga shtetet e QUINT-it: Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania dhe Italia.