Është e padrejtë që vetëm mësimdhënësit të fajësohen për mungesën e cilësisë në arsim.
Kështu thotë, Rinor Qehaja, drejtor i Institutit EdGuard në Prishtinë, që merret me çështje të edukimit.
Përgjatë bisedës në podkastin e Radios Evropa e Lirë, Të flasim, ai tregon se ndër gjërat më shqetësuese për të ka të bëjë me rehatinë me të cilën flasin mësimdhënësit, prindërit dhe vetë nxënësit për mungesën e cilësisë në Kosovë.
Ai beson se përveç mësimdhënësve, ekziston një zinxhir i tërë që ka ndikuar në pakënaqësitë që sa shkojnë e rriten për sistemin arsimor.
Dëgjojeni podkastin e plotë:
Mbi 300.000 nxënës vijojnë mësimet në sistemin parauniversitar në këtë shtet.
Në mesin e tri gjërave kyçe që duhet ndryshuar për të parë rezultat, Qehaja përmend llogaridhënien.
“Pra instalimi i mekanizmave që sjellin përgjegjësi në të gjitha nivelet. Nga mësuesi në klasë e deri te qeverisja qendrore. Nuk ka kuptim që të iniciohen ndryshimet dhe askush të mos marrë përgjegjësi për mosbazimin e tyre”.
Reforma tjetër, sipas tij, duhet të jetë e lidhur me zhvillimin profesional të mësimdhënësve.
“Kjo nënkupton mentorim, trajnime të përjavshme, të përmuajshme, buxhet për këtë punë, shtysa për pjesëmarrje, sepse e kam përshtypjen që këto do të ringjallnin vullnetin e mësimdhënësve ”.
Jo më pak i rëndësishëm, për të, është digjitalizimi.
“Ky digjitalizim do të ndikonte në cilësi më të rritur për faktin se ai mësimdhënës që e di se ora e tij mësimore është duke u incizuar, ajo orë mësimore është duke u publikuar në platforma digjitale të shkollës, ai nuk guxon të jetë i papërgatitur për orën mësimore, pasi është i vetëdijshëm që e njëjta do të jetë e qasshme për të gjithë”.
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit në Kosovë, e ka publikuar në korrik të këtij viti strategjinë për arsim, për periudhën 2022-2026.
Aty përfshihet edukimi në fëmijëri të hershme, aftësimi profesional dhe digjitalizimi i arsimit, por Qehaja nuk është optimist për rezultate konkrete.
“Ne nuk mungojmë në dokumente strategjike, dhe nuk besoj se zgjidhja është te dokumenti strategjik, zgjidhja është te përkushtimi institucional për zbatimin e tij. Po flasim për planin strategjik 2022-2026, ndërsa viti 2022 veçse po shkon pa asnjë aktivitet të zbatuar”.
“Testet ndërkombëtare ia kanë hapur sytë popullatës”
Për cilësinë e arsimit në Kosovë nuk kanë pasur fjalë të mira së fundi as organizatat ndërkombëtare.
Në raportin e vitit 2020 të Bankës Botërore janë përmendur probleme të konsiderueshme në mësimnxënie.
Në të është thënë se një fëmijë në Kosovë kryen 13 vjet shkollim, por, kur llogaritet mësimnxënia reale e fëmijëve, vitet e pritshme të shkollimit janë vetëm 7.9.
Pra ekziston një hendek i mësimnxënies prej 5.3 vjetësh.
Edhe në dy vlerësimet e nxënësve në testin ndërkombëtare PISA – më 2015 dhe 2018 – Kosova ka dalë ndër të fundit në listë.
PISA - Programi për Vlerësimin Ndërkombëtar të Nxënësve - është një studim mbarëbotëror i Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim në vendet anëtare dhe joanëtare, i cili ka për qëllim vlerësimin e sistemeve arsimore.
Qehaja beson se testet ndërkombëtare vetëm i kanë hapur sytë popullatës për situatën reale.
“Zakonisht është jetuar iluzioni që me një kalueshmëri të lartë në test të maturës ka cilësi, e që nuk ka qenë e vërtetë. Kjo është padrejtësi ndaj nxënësve, sepse implikimet janë të mëdha. Ajo që aktualisht po marrim nga arsimi është, fatkeqësisht, një fuqi punëtore e pakualifikuar, me shkathtësi të munguara, që nuk mund të gjenerojë asnjë përfitim ekonomik për vendin tonë”.
Ai nuk pret rezultate më të mira as për testin PISA që është është mbajtur këtë vit, ndonëse gjetjet do të bëhen publike në fund të vitit 2023.
Kosova ka cilësi më të dobët të arsimit edhe në krahasim me vendet fqinje.
Në testin PISA më 2018, e para nga shtetet e Ballkanit Perëndimor ka qenë Serbia, e pasuar nga Mali i Zi, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
I pyetur se nga kush duhet të marrë mësim Kosova, Qehaja ka thënë se ndonëse modelet e vendeve skandinave do të ishin ideale, megjithatë ato janë të papërshtatshme në situatën aktuale që është Kosova, dhe praktikat e mira të vendeve të rajonit do të funksionin më shumë.
Çfarë thonë nxënësit?
Hekuran Muja nga Këshilli Rinor Kosovar, ka treguar për Radion Evropa e Lirë gjetjet e një raporti lidhur me cilësinë në arsim, i cili është përpiluar më herët gjatë këtij viti, pas intervistimit të 1.200 nxënësve në shkollat e mesme të Kosovës.
“Problemi më i madh që kemi parë është, sidomos në shkollat profesionale, për mungesën e teksteve shkollore në disa raste. Nxënësit detyrohen që shumicën, nëse jo gjithë orën mësimore, ta kalojnë duke shkruar mësimin që do të duhej të ishte nëpër libra”.
Sipas tij, në bashkëbisedim me nxënësit, ata kanë treguar se ka raste kur, pavarësisht se ekziston një libër i caktuar me kurrikulë për një lëndë mësimore, ka mësimdhënës që “duan të vazhdojnë me librat që ata mendojnë se janë më të mirë”.
Në prill të vitit 2022, qindra nxënës të shkollave të mesme në Prishtinë kanë mbajtur një marsh protestues me moton “S’po shkohet në shkollë”, duke kërkuar cilësi më të mirë në arsim dhe kushte më të mira nëpër shkolla.
Në protesta janë dëgjuar thirrjet “Boll kemi heshtë”, “Ku janë psikologët?”, “S’po shkohet n’shkollë”, “S’kam ardhë me më gjyku po me më mësu”.
Muja ka thënë që ngritja e zërit të nxënësve është element shumë i rëndësishëm në rrugën drejt përmirësimit të situatës.
“Shumë vëmendje në sistemin arsimor është kthyer prej muajit prill, prej kur është mbajtur protesta. Ideja, nga fillimi, ka qenë që të mos sulmohet asnjë institucion, sepse kjo është luftë e përbashkët për përmirësimin e sistemit të arsimit”.