Ndërlidhjet

Homazhe për liderin që ndihmoi fundin e Luftës së Ftohtë


Ish-lideri sovjetik, Mikhail Gorbachev, vdiq në moshën 91-vjeçare.

Nga spitali ku po trajtohej, thanë se ai "vuante nga një sëmundje e gjatë dhe e rëndë".

Gorbachev, i cili mori detyrën në vitin 1985, ishte i njohur për hapjen e Bashkimit Sovjetik dhe për afrimin e tij me Perëndimin.

Ai u bë sekretar i përgjithshëm i Partisë Komuniste Sovjetike dhe de fakto lider i vendit në moshën 54-vjeçare.

Në atë kohë, ai ishte anëtari më i ri i këshillit qeverisës, i njohur si Byroja Politike.

Politika e tij e "glasnost"-it, apo e hapjes, u mundësoi njerëzve të kritikonin qeverinë në një mënyrë që më herët ishte e paimagjinueshme.

Por, ajo nxiti edhe ndjenja nacionaliste në shumë rajone të vendit, të cilat çuan në kolapsin e bllokut sovjetik, më 1991.

Mikhail Gorbachev, 1991
Mikhail Gorbachev, 1991

Në aspektin ndërkombëtar, Gorbachev arriti marrëveshje për kontrollin e armëve me SHBA-në dhe refuzoi të ndërhynte kur vendet e Evropës Lindore u ngritën kundër sundimtarëve të tyre komunistë.

Në Perëndim, ai u njoh si arkitekt i reformave, që më pas krijuan kushte për përfundimin e Luftës së Ftohtë.

Por, shumë njerëz brenda Rusisë, politikat e tij i shohin si të gabuara.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e cilëson rënien e Bashkimit Sovjetik si "katastrofën më të madhe gjeopolitike të shekullit".

Për të, fundi i Bashkimit Sovjetik ishte "një moment turpi dhe disfate".

Në Rusinë e re, që doli pas vitit 1991, Gorbachev u tërhoq nga politika, duke u fokusuar në projekte arsimore dhe humanitare.

Ai bëri përpjekje për t'u kthyer në politikë në vitin 1996, por në zgjedhjet presidenciale mori vetëm 0.5% të votave.

Gorbachev do të varroset në varrezat Novodevichy të Moskës - ku gjenden varret e shumë rusëve të shquar - pranë gruas së tij, Raisa, e cila vdiq në vitin 1999, raporton agjencia e lajmeve Tass.

Presidenti rus, Putin, shpreh ngushëllimet e tij më të thella për vdekjen e Mikhail Gorbachevit, tha një zëdhënës i Kremlinit për agjencinë e lajmeve Interfax.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, shprehu ngushëllimet e saj në një postim në Twitter:

"Mikhail Gorbachev ishte një udhëheqës i besuar dhe i respektuar. Ai luajti një rol vendimtar në fundin e Luftës së Ftohtë dhe rrëzimin e Perdes së Hekurt. Kjo hapi rrugën për një Evropë të lirë".

"Përkushtimi i tij për paqe në Evropë ndryshoi historinë tonë të përbashkët", tha presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Kryeministri në largim i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Johnson, tha se është "pikëlluar" nga lajmi për vdekjen e Gorbachevit.

"Në kohën e agresionit të Putinit në Ukrainë, angazhimi i tij i palodhur për të hapur shoqërinë sovjetike, mbetet një shembull për të gjithë ne", shkroi Johnson në Twitter.

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, e përshkroi Gorbachevin si "një njeri me vizion të jashtëzakonshëm".

"Kur ai erdhi në pushtet, Lufta e Ftohtë po vazhdonte për gati 40 vjet dhe komunizmi për më shumë, me pasoja shkatërruese".

"Gorbachev ishte mjaft i guximshëm, duke përqafuar reformat demokratike dhe çarmatimin bërthamor", tha Biden.

"Këto ishin vepra të një lideri të rrallë", shtoi ai.

Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha se Gorbachev "ndryshoi rrjedhën e historisë".

Presidenti i SHBA-së, Ronald Reagan, dhe udhëheqësi sovjetik, Mikhail Gorbachev, në ceremoninë e nënshkrimit të Traktatit të Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme. Uashington, 8 dhjetor 1987.
Presidenti i SHBA-së, Ronald Reagan, dhe udhëheqësi sovjetik, Mikhail Gorbachev, në ceremoninë e nënshkrimit të Traktatit të Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme. Uashington, 8 dhjetor 1987.

Në një intervistë për gazetën britanike, Guardian, më 2011, Gorbachev u pyet për gjërat që është penduar më shumë.

"Fakti që kam bërë shumë përpjekje për të reformuar Partinë Komuniste", tha ai.

Gorbachev tha se pendohet edhe për faktin që nuk ka nisur më herët të reformojë Bashkimin Sovjetik dhe t'u japë më shumë pushtet 15 republikave të tij.

Në vitin 1990, Gorbachevit iu dha Çmimi Nobel për Paqe për përfundimin paqësor të Luftës së Ftohtë.

Përgatiti: Valona Tela

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG