Ndërlidhjet

Albanologu rus: Jetoj në Shqipëri, sepse nuk e përkrah pushtimin rus të Ukrainës


Albanologu rus, Alexander Rusakov, profesor në Katedrën e Gjuhës Shqipe në Universitetin e Shën Petërburgut. Fotografi nga arkivi.
Albanologu rus, Alexander Rusakov, profesor në Katedrën e Gjuhës Shqipe në Universitetin e Shën Petërburgut. Fotografi nga arkivi.

“Jam kundër luftës (në Ukrainë) dhe kjo luftë nuk duhet përkrahur, sepse është luftë kriminale”.

Kështu tha për Radion Evropa e Lirë, albanologu rus Alexander Rusakov, profesor në Katedrën e Gjuhës Shqipe në Universitetin e Shën Petërburgut.

Ai tha se nuk e ka ndryshuar qëndrimin e tij, të cilin e kishte shprehur në një bisedë më 3 mars të këtij viti për Radion Evropa e Lirë, ku e cilësoi fillimin e pushtimit rus të Ukrainës, më 24 shkurt, si luftë kriminale të Qeverisë ruse.

Pak ditë pas asaj deklarate, ai është larguar nga Rusia dhe ka kërkuar leje-qëndrim në Shqipëri, e cila ia ka ofruar atë. Tani, ai është duke punuar në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë.

Radio Evropa e Lirë bisedoi sërish me albanologun Rusakov, më 22 gusht. Ai tha se aktualisht po qëndron në Romë, për disa ditë, dhe në fund të muajit gusht do të kthehet në Tiranë.

Unë tani preferoj të jetoj në Shqipëri, sepse unë nuk e përkrah këtë luftë (pushtimin rus në Ukrainë) dhe këtë politikë që tani ne e shohim në Rusi".


“Tani unë po jetoj në Shqipëri dhe kam leje-qëndrimi në këtë vend për një vit. Nuk është një lloj i strehimit në kuptimin e ngushtë të fjalës. Por, unë tani preferoj të jetoj në Shqipëri, sepse unë nuk e përkrah këtë luftë (pushtimin rus në Ukrainë) dhe këtë politikë që tani ne e shohim në Rusi. Prandaj, preferoj të jetoj jashtë saj”, tha Rusakov.

Ai shtoi se pushtimi rus i Ukrainës i ka ndarë edhe intelektualet rusë, në ata që përkrahin ose kundërshtojnë këtë pushtim.

“Lufta u bë edhe më shumë kriminale”

Albanologu Rusakov tha se nuk i takon botës politike, por asaj akademike dhe nga kjo pozitë e shpreh qëndrimin e tij kundër pushtimit rus të Ukrainës, i cili më 24 gusht shënoi gjashtë muaj prej kur ka nisur. Për më shumë, sipas tij, zhvillimi i ngjarjeve në Ukrainë gjatë këtyre gjashtë muajve, ia ka përforcuar bindjen që ka shprehur në fillim të marsit.

Kam po atë qëndrim dhe më duket se ajo (lufta) u bë edhe më kriminale...".


“Po, po... kam po atë qëndrim dhe më duket se ajo (lufta) u bë edhe më kriminale, sepse ndoshta sasia e krimeve që ishin bërë gjatë kësaj lufte, u zmadhua edhe më shumë, në krahasim me situatën në fillimin e marsit”, theksoi Rusakov.

Alexander Rusakov: Vetëm interneti mund të na japë informatë të lirë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:06:09 0:00

Disident apo vetëm një kundërshtar i luftës?

Që nga largimi i tij në mars të këtij viti, Rusakov më nuk është kthyer asnjëherë në Rusi dhe tha se nuk do të shkojë atje as në muajt e afërt, sepse, sipas tij, nuk mendon se politika në Rusi do të ndryshojë aq shpejt.

Por, a e sheh veten Rusakov si një disident?

“Nuk e di, sepse politika e brendshme në Rusi është shumë e ndërlikuar dhe unë e di që shumë njerëz që jetojnë tani jashtë shtetit, po vazhdojnë të japin mësim. Situata ndoshta do të ndryshojë dhe do të bëhet edhe më keq, por tani ajo akoma nuk është e tillë sikurse në kohën e Bashkimit Sovjetik, kur largimi nga Bashkimi Sovjetik ishte një lloj vdekjeje politike për njeriun”, u shpreh Rusakov.

Ai shtoi se, të paktën deri më tash, familja e tij në Shën Petërburg, nuk ka vuajtur ndonjë pasojë nga shteti, për shkak të qëndrimeve të tij të deklaruara publikisht kundër politikës së Kremlinit dhe presidentit rus, Vladimir Putin.

Por, sipas tij, shtëpitë e disa intelektualëve, të cilët tashmë kanë braktisur Rusinë, janë bastisur nga policia e atjeshme. Siç tha ai, represaliet e shtetit ndaj kundërshtarëve të luftës në Ukrainë, tash për tash, nuk kanë karakter shumë masiv.

Mësimdhënia e ndërlikuar

Albanologu Rusakov nuk i ka shkëputur të gjitha lidhjet profesionale me institucionet arsimore të Rusisë, përkatësisht me Universitetin e Shën Petërburgut. Në këtë pikë, siç tha ai, situata është ndërlikuar, sepse ai nuk dëshiron që të rrezikojë ndërprerjen e ligjëratave që janë të nevojshme për studentët që studiojnë në Katedrën e Gjuhës Shqipe në Universitetin e Shën Petërburgut.

“Nëse do të jetë e mundur kjo... Tani duket se do të jetë e mundshme që të vazhdoj të lexoj ca ligjërata në disa kurse në Degën e Gjuhës Shqipe në Petërburg, sepse për mua, Dega e Gjuhës Shqipe është një institucion shumë i rëndësishëm dhe nuk dua të shkaktoj situatën e ndërprerjes së mësimeve”, tha ai.

Megjithatë, Rusakov, i cili për shumë vite ka marrë pjesë në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, në edicionin e 40- të, që po mbahet aktualisht në Prishtinë, ka munguar.

Organizuesit e seminarit i thanë Radios Evropa e Lirë se paraprakisht kanë kërkuar nga institucionet e Kosovës që të marrin instruksione lidhur me atë nëse duhet të lejohen të marrin pjesë në seminar shtetasit e Rusisë, për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.

Sipas tyre, instruksionet nga autoritetet e vendit ishin kërkuar për shkak se disa shtete të tjera të Evropës kanë pezulluar pjesëmarrjen e shkollarëve dhe studentëve rusë në aktivitete të ndryshme.

Organizatorët thanë se autoritetet e Kosovës janë vonuar të japin dritën e gjelbër për ardhjen e albanologëve rusë dhe përgjigja pozitive u kishte ardhur në ditën kur seminari kishte nisur, më 15 gusht.

Rusakov tha se kjo bëri që të mos mund të planifikonte ardhjen në Prishtinë, ndonëse kishte ftesën nga organizatorët e seminarit. Por, ai tha se ka shumë miq në Prishtinë dhe këto lidhje miqësore janë shumë të qëndrueshme dhe të rëndësishme për të.

Marrë parasysh që tani jeton në Tiranë, ai tha se shpreson se së shpejti do ta vizitojë Prishtinën.

Që nga 24 shkurti, 5.587 civilë janë regjistruar si të vrarë dhe 7.890 si të plagosur, megjithëse numri i viktimave supozohet të jetë shumë më i lartë, sipas Komisionarit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (OHCHR).

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG