Në edicionin e 40-të të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare nuk do të ketë pjesëmarrës nga Rusia, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, drejtori i seminarit, Shkumbin Munishi. Edicioni i 40-të i Seminarit të Gjuhës do të mbahet nga 15 deri më 26 gusht. Munishi, thotë se në këtë vit, në seminar marrin pjesë më shumë se 150 pjesëmarrës nga shtet të ndryshme të botës.
Radio Evropa e Lirë: Të hënën, më 15 gusht, nis Seminari i 40-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Cili është fokusi i këtij edicioni?
Shkumbin Munishi: Sivjet është edicioni jubilar i dyzet i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, i cili tashmë ka krijuar një traditë të padiskutueshme, dhe i cili në këtë periudhë që po mbahet, por edhe me ndikimin që ka, praktikisht është bërë qendër e studimeve albanologjike për dekada me radhë.
Pra, të hënën në orën 11:00, në sallën e bibliotekës universitare do ta kemi hapjen solemne të këtij edicioni dhe ajo që mund të them që në fillim është se këtë vit, praktikisht do të kemi një pjesëmarrje jashtëzakonisht të madhe të seminaristëve.
Seminari i Gjuhës me program tradicional
Radio Evropa e Lirë: Sa dallon nga e kaluara ky edicion i seminarit?
Shkumbin Munishi: E kam thënë shpesh edhe në të kaluarën se seminari gjithmonë e ndjek traditën e cila është ndërtuar praktikisht për pothuajse pesë dekada. Dhe ne programin e seminarit e ndërtojmë duke u bazuar në këtë traditë dhe në këtë format tashmë të etabluar tash e sa kohë.
Këtë vit, meqenëse është edicion jubilar, ne kemi një pjesëmarrje shumë më të madhe të seminaristëve, të atyre që vijnë për herë të parë, por dhe të atyre që kanë qenë më përpara dhe të cilët duan t’i ndjekin kurset e gjuhës shqipe.
Njëkohësisht, këtë vit, po ashtu kemi të ftuar edhe albanologë të huaj dhe albanologë shqiptarë prominentë, të cilët do të mbajnë ligjërata gjatë këtyre ditëve të seminarit. Po ashtu do t’i kemi referimet shkencore si dhe do të kemi sesionet shkencore të cilat mbahen në ditët e fundit të seminarit.
Pra, programi është tradicional, por këtë vit programi është mjaft i ngjeshur sepse pothuajse për çdo ditë do të kemi ligjërata nga albanologët e shquar, të cilët do të diskutojnë për probleme të ndryshme nga fusha e gjuhës, letërsisë, kulturës dhe traditës shqiptare në përgjithësi.
Radio Evropa e Lirë: Sa është numri i pjesëmarrësve nga cilat vende janë profesorët dhe studiuesit?
Shkumbin Munishi: Sivjet numri i pjesëmarrësve e ka kaluar 100-shin. Në përgjithësi, duke llogaritur seminaristët, por edhe profesorët e studiuesit, do të kemi më tepër se 150 pjesëmarrës. Janë rreth 105 seminaristë të cilët do të vijnë këtu edhe për t’i ndjekur kurset, por edhe për të marrë pjesë në aktivitetet shkencore, e që vijnë nga vendet e ndryshme të botës.
*Video e realizuar për Seminarin e Gjuhës Shqipe të mbajtur më 2018
Pra, kemi seminaristë që vijnë nga Gjermania, sivjet do të vijnë në numër më të konsiderueshëm, seminaristë nga Polonia, Çekia, Bullgaria, Turqia, Greqia, Serbia, Italia nga Holanda e kështu me radhë. Ka një numër jashtëzakonisht të madh të seminaristëve.
Edicioni i 40-të, pa pjesëmarrës nga Rusia
Radio Evropa e Lirë: Në vitet e kaluar kur është mbajtur seminari ka pasur pjesëmarrje të albanologëve nga Rusia. Këtë vit a do të ketë pjesëmarrës në seminar që janë nga Rusia?
Shkumbin Munishi: Sa u përket pjesëmarrësve nga Rusia, ne këtë vit kemi qenë në një situatë të pazakontë. Ne kemi kërkuar instruksione nga organet tona që të vihemi në dijeni nëse është e lejuar pjesëmarrja e tyre në këtë edicion të seminarit.
Për fat të keq, e konsideroj si gjë që nuk është aspak e duhur, ende nuk kemi marrë një përgjigje për këtë punë. Dhe praktikisht, ende nuk kemi kthyer përgjigje seminaristëve që tradicionalisht kanë ardhur nga Rusia.
Por, thjesht kjo çështje tashme u mbetet autoriteteve, nuk është një çështje që ne mund të merremi me këtë punë.
Përndryshe, nga ajo që kam kuptuar, sepse më pas unë kam bërë disa hulumtime, vende të ndryshme evropiane në përgjithësi e kanë ndaluar pjesëmarrjen, më mirë të them e kanë suspenduar pjesëmarrjen e shkollarëve dhe studentëve rusë në aktivitetet e ndryshme që mbahen në vendet e Bashkimit Evropian.
Po, e ritheksoj edhe njëherë është dashur që të kemi një përgjigje institucionale lidhur me këtë çështje. Ne nuk u kemi kthyer përgjigje, që ne një farë mënyrë konsiderohet si një lloji refuzimi. Por, nuk ka qenë refuzim ose nuk ka qenë një arsyetim i shprehur në mënyrë zyrtare lidhur me pjesëmarrjen e tyre.
Radio Evropa e Lirë: Cili është qëllimi i këtij seminari?
Shkumbin Munishi: Që në themelimin e tij, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, ka pasur për qëllim që gjuhën, kulturën, traditën, historinë shqiptare ta bëjë të njohur për të huajt dhe t’i joshë studentët dhe studiuesit që të merren me probleme të albanologjisë në përgjithësi.
E veçanta e edicionit të ri, "numri i madh i seminaristëve"
Radio Evropa e Lirë: Çfarë do të ketë ndryshe në këtë edicion të 40 jubilar, cila është e veçanta?
Shkumbin Munishi: E veçanta gjithmonë është prurja shkencore që ne e kemi në seminar. E veçanta e këtij seminari është afrimi i një numri kaq të madh të seminaristëve, praktikisht me përjashtim të ndonjë edicioni tjetër të kaluar, ky do të jetë përsëri një edicion rekord.
Seminari edhe në këto dy vjetët e fundit, por edhe në të kaluarën në rrethanat kur ka qenë i ndaluar nga pushteti serb dhe kur dy edicione janë mbajtur në Tiranë, ka treguar një kryeneçësi në ruajtjen e ekzistencës së tij.
Pra, ne kemi pasur në dy vjetët e kaluar probleme për shkak të pandemisë. Në vitin 2020 është dashur që në ditët e fundit ta anulojmë seminarin për shkak të pandemisë. Vitin e kaluar e kemi mbajtur me 100 vështirësi, kemi pasur një numër solid të pjesëmarrësve, kanë qenë rreth 30 deri në 40 pjesëmarrës.
Sivjet, meqenëse janë lehtësuar masat, kemi këtë vlug kaq të madh të pjesëmarrësve. Ajo që është me rëndësi është se seminari në vazhdimësi po mbetet atraktiv për të huajt dhe në vazhdimësi po rritet rrjeti i interesimit të të huajve për të ardhur në seminar.
Në pritje të mbështetjes nga Ministria e Kulturës
Radio Evropa e Lirë: Cilat janë sfidat që po përballeni ju për këtë çështje?
Shkumbin Munishi: Sfidat gjithmonë janë të natyrës buxhetore dhe teknike. Për fat të mirë buxheti i seminarit është një buxhet që është i ndarë në kuadër të buxhetit të Universitetit të Prishtinës, i cili jo gjithmonë është i mjaftueshëm, sidomos në këtë vit kemi probleme për shkak të inflacionit. Buxheti është caktuar në vitin e kaluar, siç e kërkon cikli buxhetor, dhe tani në këtë situatë kur kemi këtë inflacion, sigurisht kemi disa vështirësi.
Ne këtë vit kemi premtime për mbështetje të disa prej aktiviteteve të seminarit nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Mbesin me shpresë që ajo mbështetje do të realizohet sepse janë disa pika të programit të cilat varen nga ajo mbështetje. Nëse në rast që një mbështetje e tillë do të dështonte – dhe unë në asnjë mënyrë nuk mund ta pranoj këtë gjë – atëherë, do të ishim të detyruar që disa prej pikave të seminarit t’i anulojmë.