Inflacioni në Maqedoninë e Veriut në tremujorin e parë të vitit 2022 ka arritur në 7.7 për qind, por drejtuesit e Bankës Popullore dhe të Ministrisë së Financave presin përkeqësim të mëtejmë të parametrave ekonomikë, që mund të çojnë në inflacion edhe më të lartë deri në fund të vitit.
Në këtë, sipas tyre, ka ndikuar kriza globale si pasojë e luftës në Ukrainë, që më së shumti ka goditur burimet e energjisë, pastaj bujqësinë duke çuar në rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore.
Nga Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut thonë se prioritet mbetet ruajtja e stabilitetit monetar dhe e çmimeve të produkteve ushqimore.
“Inflacioni vazhdon të rritet, madje, me ritme të shpejta. Në tremujorin e parë ka arritur në 7.7 për qind, ndërsa deri në fund të vitit pritet të arrijë në 8.8 për qind, apo edhe më shumë. Kjo më së shumti u dedikohet çmimeve të ushqimeve dhe të burimeve të energjisë. Ne si Bankë Qendrore kemi ndërmarrë masa në drejtim të stabilizimit të inflacionit përmes ruajtjes së stabilitetit monetar dhe çmimeve me qëllim të sigurimit të një qëndrueshmërie ekonomike”, ka deklaruar guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska-Bezhovska.
Ministri i Financave, Fatmir Besimi, thotë se bazuar në zhvillimet e tanishme ekonomike gjendja mund të përkeqësohet edhe më shumë. Ai ka paralajmëruar marrjen e një borxhi prej së paku 600 milionë eurosh nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, si mbështetje për buxhetin.
“Ne përballemi edhe me sfida apo me shenjat e para të stagflacionit që nënkupton rritje të inflacionit dhe rënie të prodhimtarisë. Të gjithë treguesit ekonomikë lëvizin në drejtim jo të duhur. Ne kemi ndërmarrë masa për të ndihmuar ekonominë dhe qytetarët në vlerën e 400 milionë eurove dhe mbi 1.1 miliard euro gjatë pandemisë".
"Masat që po ndërmarrin kanë të bëjnë me dizajnimin e masave më urgjente dhe ato që mund të presin. Me rishikimin e buxhetit mjetet do të destinohen vetëm për nevojat më elementare, ndërsa parashikojmë marrjen edhe të një kredie nga Fondi Monetar Ndërkombëtar në mbështetje të buxhetit me një kamatë prej 1 për qind”, deklaron Besimi.
Arben Halili, ekspert i çështjeve ekonomike dhe ish-drejtor i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, thotë se Qeveria ka ndërmarrë disa masa për mbrojtjen e qytetarëve, por gjendja, sipas tij, mund të përkeqësohet edhe më shumë kur të hiqet masa që ndalon rritjen e çmimeve të produkteve ushqimore bazë, pas çka, sipas tij, mund të pritet valë e re e shtrenjtimeve.
“Ishte një masë e mirë në interes të qytetarëve, por në anën tjetër ishte në dëm të kompanive për shkak se bënin furnizime me kosto më të lartë, por që duhej ta bënin për shkak të masave të Qeverisë që t’i shisnin me çmim më të ulët. Por, në momentin që do të përfundojë kjo masë e Qeverisë, qytetarët do të ballafaqohen me çmimin real si rezultat nëpër të cilin po kalon ekonomia e Maqedonisë dhe jo vetëm. Kjo tregon se nuk do të jenë të kursyera as produktet e konsumit të gjerë, pavarësisht se lënda e parë e tyre ka qenë më e lirë, çmimi i tyre në treg ka arritur dyfishin”, thotë Halili.
Marija Zarenzankova, profesoreshë e Ekonomisë në Universitetin Fon të Shkupit, thotë se Qeveria duhet të përqendrohet në shkurtimin e shpenzimet joproduktive dhe fondet t’i destinojë për transferet sociale, pasi siç thotë, shumë kategori të qytetarëve po përballem me vështirësi në sigurimin e gjërave më elementare për jetë.
Me rendësi, sipas saj, është edhe hartimi i strategjisë së re të prodhimit dhe heqja dorë nga eksporti i prodhimeve ushqimore.
“Qeveria tani duhet të fokusohet në atë se çfarë mund të prodhojë vendi ynë pasi një kohë të gjatë ne eksportojmë pasi asgjë nuk prodhojmë. Para së gjithash duhet të angazhohemi për prodhimin e ushqimit. Duhet doemos të bëhet edhe rishikimi i buxhetit që të shkurtohen harxhimet joproduktive. Mundet të shkurtohen të gjitha shpenzimet që bëhen nga administrata publike. Nëpër të gjitha ministritë bëhen shpenzime të panevojshme dhe ato duhet të ndalen, ndërsa paratë të orientohen në transferet sociale”, thotë Zarenzankova.
Maqedonia e Veriut po përballet edhe me pakënaqësi dhe greva të shumta. Tash e dy javë rreth 27 mijë punonjës të kopshteve dhe shkollave janë në grevë të përgjithshme për rritje pagash, ndërsa paralajmërime për grevë ka edhe nga 15 sindikata tjera të punonjësve të sektorit publik dhe të veprimtarive tjera ekonomike.
Facebook Forum