Të dhënat se trupat ushtarake ruse kanë vrarë dhjetëra civilë në Ukrainë, komuniteti ndërkombëtar i ka quajtur “krime lufte”, andaj janë shtuar thirrjet për më shumë masa ndaj Moskës, e cila raportimet i ka cilësuar si “provokime”.
Presidenti amerikan, Joe Biden ka bërë thirrje më 4 prill që presidenti rus, Vladimir Putin të gjykohet për krime lufte dhe ka thënë se planifikon më shumë sanksione kundër Rusisë.
“Ky njeri është brutal… ajo që po ndodh në Buça është mizore”, ka thënë Biden, duke iu referuar qytezës ukrainase jashtë Kievit, ku forcat ruse është raportuar se kanë vrarë dhjetëra civilë.
Sipas Bidenit, Putin është “kriminel lufte”.
Komentet e tij kanë ardhur pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka vizituar Buçan, ku zyrtarët ukrainas kanë thënë se kanë gjetur trupat e civilëve.
Zelensky i ka quajtur veprimet e forcave ruse si “gjenocid” dhe ka bërë thirrje që Perëndimi të sanksionojë më shumë Rusinë.
Në vizitën e tij në këtë qytezë, Zelensky, i cili është shoqëruar nga personeli ushtarak, ka thënë se skena të tilla e bëjnë edhe më të vështirë uljen në tavolinë me Rusinë dhe negociatat për dhënie fund të luftës, e cila ka nisur më 24 shkurt, si pasojë e sulmit të paprovokuar të Rusisë në Ukrainë.
“Çdo ditë, kur luftëtarët tanë hyjnë dhe rimarrin territore, e shihni se çka ndodh”, ka thënë lideri ukrainas.
“Këto janë krime lufte dhe bota do t’i konsiderojë gjenocid”, ka thënë Zelensky, duke shtuar se pret që të dhëna për krime të ngjashme të gjenden edhe në rajonet tjera të okupuara, pasi forcat ruse të dëbohen prej tyre.
Zelensky pritet të flasë më 5 prill para diplomatëve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, të cilët janë të zemëruar nga të dhënat se forcat ruse kanë vrarë qëllimshëm civilë, disa prej tyre nëpër oborre, rrugë apo shtëpi, dhe trupat e tyre i kanë lënë ashtu.
Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, ka parashikuar po ashtu se të dhëna për vrasje të civilëve mund të gjenden edhe në qytezat tjera që janë pushtuar nga forcat ruse.
“Tmerrin që e kemi parë në Buça është vetëm një copë ajsbergu e të gjitha krimeve që janë kryer nga ushtria ruse”, ka thënë Kuleba në një konferencë për media në Varshavë.
“Gjysmë-masat nuk janë të mjaftueshme më. Unë kërkoj sanksionet më të ashpra këtë javë, kjo është lutja e viktimave të dhunimit dhe vrasjeve. Nëse keni dyshime për sanksionet, shkoni fillimisht në Buça”.
Moska ka hedhur poshtë këto deklarata dhe disa zyrtarë të Kremlinit i kanë përshkruar ato si “provokime” me qëllim të diskreditimit të Rusisë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka thënë se “ne hedhim poshtë të gjitha dyshimet”.
Ai ka shtuar se Rusia është duke kërkuar një takim në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të diskutuar ato që Moska i konsideron si “provokime ukrainase”.
Britania, e cila aktualisht mban presidencën e Këshillit të Sigurimit, ka thënë se ky institucion do të diskutojë për situatën në Ukrainë, ashtu siç është planifikuar, më 5 prill.
Më herët, Ministria ruse e Mbrojtjes ka pretenduar, pa të dhëna, se imazhet në Buça janë “një tjetër inskenim i regjimit të Kievit” dhe se të gjitha trupat ushtarake ruse kanë lënë këtë qytezë para 30 marsit.
Komiteti për Hulumtime në Rusi ka thënë më 4 prill se do të nisë hetime nën akuzat se Ukraina ka përhapur “informacion të rremë” për veprimet e forcave ruse në Buça.
Bashkimi Evropian ka nisur diskutimet për sanksione të reja kundër Rusisë pas raportimeve për mizori, ka thënë shefi i diplomacisë në BE, Josep Borrell.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre janë duke u koordinuar për sanksione të reja kundër Rusisë dhe planifikojnë që t’i prezantojnë ato këtë javë, ka thënë Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan.
Sullivan ka thënë po ashtu se forcat ruse janë duke u ripozicionuar në rajonet e Ukrainës në lindje dhe jug, pas përballjes me rezistencë më të madhe sesa është pritur nga ukrainasit në Kiev.
Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Christine Lambrecht, i ka thënë transmetuesit ARD, se zyrtarët evropianë “duhet të flasin për ndalje të furnizimeve me gaz nga Rusia”, edhe pse kancelari gjerman, Olaf Scholz u ka rezistuar më parë sanksioneve që prekin eksportet ruse të energjisë.
Shtetet e Bashkuara dhe Britania kanë thënë se synojnë tërheqjen e Rusisë nga Këshilli i Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut.
Ambasadorja amerikane në OKB, Linda Thomas-Greenfield, ka thënë se prezenca e Rusisë në këtë Këshill është “farsë”.
Edhe shtetet tjera në botë kanë dënuar mizoritë e dyshuara në Ukrainë dhe kanë bërë thirrje për masa kundër Rusisë.