Ndërlidhjet

Dënohen mizoritë e dyshuara në Ukrainë


Pamje të shkatërrimit në Buça.
Pamje të shkatërrimit në Buça.

Autoritetet ukrainase janë duke hetuar kryerje të mundshme të krimeve të luftës nga Rusia, meqë kanë gjetur qindra trupa të pajetë të civilëve nëpër rrugët e qytezave afër Kievit.

Ato kanë gjetur trupat e njerëzve të vrarë pasi forcat e Kremlinit janë tërhequr për t’u përqendruar në pjesë tjera të Ukrainës.

Në qytezën Buça, 37 kilometra larg Kievit, një korrespodent i Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë ka parë më 2 prill trupat e pajetë të atyre që duket se kanë qenë civilë.

Në një lokacion të vetëm, ky korrespodent ka parë 10 trupa të civilëve të vrarë në rrugë.

Rusia akuzohet për mizori në periferi të Kievit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:20 0:00

Gazetarët e agjencisë së lajmeve, Associated Press kanë parë të paktën 21 trupa të njerëzve të vrarë në vende të ndryshme në këtë qytezë.

Autoritetet ukrainase kanë thënë se trupat e të paktën 410 civilëve janë gjetur në zonën rreth Kievit, e cila është kontrolluar nga forcat ruse deri javën e kaluar.

Bashkimi Evropian tha se ka nisur diskutimet për sanksionet e reja ndaj Rusisë pas raportimeve për mizori të dyshuara, tha shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.

"Ne qëndrojmë në solidaritet të plotë me Ukrainën dhe popullin ukrainas në këto kohë të vështira për gjithë botën", tha Borrell, duke shtuar se draftimi i sanksioneve të reja është "një çështje urgjente".

Ndërkaq, presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë në një interviste në radio më 4 prill, se ka shenja që forcat ruse kanë kryer “krime lufte” në Buça.

“Çfarë ka ndodhur në Buça duhet të ketë pasojë një rund të ri të sanksioneve dhe masa shumë të qarta”, ka thënë Macron, duke shtuar se sanksionet e reja duhet të shënjestrojnë eksportet ruse të thëngjillit dhe naftës.

Kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, ka thënë se forcat ruse mund të kenë shkuar aq larg sa të kryejnë “gjenocid” në Buça.

“Ne do të bëjmë gjithçka për të siguruar se ata që kanë kryer këto krime të luftës, nuk do të mbeten pa u ndëshkuar”, ka thënë Sanchez në Madrid.

Komisionarja e Lartë e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Michelle Bachelet, tha se fotografitë nga Buça dhe nga zonat e tjera "rrisin shqetësimet dhe pyetjet lidhur me krimet e mundshme të luftës, që janë një shkelje e rëndë e ligjit ndërkombëtar humanitar".

Kremlini ka mohuar në mënyrë kategorike akuzat e lidhura me vrasje të civilëve në qytezën ukrainase Buça, dhe ka thënë se pretendimet ukrainase duhet të trajtohen me dyshime.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka thënë se faktet dhe kronologjia e ngjarjeve në Buça nuk mbështesin versionin e Ukrainës, andaj u ka bërë thirrje liderëve ndërkombëtarë që të mos nguten me gjykime.

Peskov nuk ka komentuar nëse ngjarjet në Buça do të ndikojnë bisedimet për paqe mes Kievit dhe Moskës, të cilat pritet të zhvillohen përmes video-lidhjes të hënën.

Komiteti për Hulumtime në Rusi ka lëshuar një deklaratë më 4 prill, duke thënë se do të nisë “hetime”, lidhur me akuzat se Ukraina ka shpërndarë “informacion të rremë” për veprimet e forcave ruse në Buça.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka thënë përmes një deklarate të dielën, 3 prill, se të gjitha pamjet e publikuara nga autoritetet ukrainase për “krime” të kryera nga trupat ruse në Buça janë “provokim” dhe se asnjë banor i qytezës nuk është përballur me dhunë nga trupat ruse.

Në disa pamje satelitore është parë një gropë e madhe afër një kishe ukrainase, ku është identifikuar një varrezë masive.

Pamjet satelitore tregojnë një varrezë masive afër një kishe në Buça.
Pamjet satelitore tregojnë një varrezë masive afër një kishe në Buça.

Pamjet e shkatërrimit dhe dhunës kanë nxitur reagime nga shumë liderë botërorë.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Gutteres, ka bërë thirrje për hetime të pavarura.

“Putin dhe mbështetësit e tij do t'i ndiejnë pasojat”, ka thënë kancelari gjerman, Olaf Scholz, duke shtuar se aleatët e Perëndimit do të pajtohen për sanksione tjera në ditët në vijim.

Japonia ka thënë se do të konsultohet me aleatët për sanksione shtesë.

“Japonia i konsideron me shumë seriozitet vdekjet e civilëve të pafajshëm. Ne jemi të shokuar”, ka thënë shefi i kabinetit japonez, Hirokazu Matsuno.

Ministrja gjermane e Mbrojtjes, Christine Lambrecht, ka thënë se Bashkimi Evropian duhet të diskutojë mundësinë e ndalimit të importimit të gazit rus.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të diskutojë për Ukrainën të martën dhe nuk do të takohet të hënën, siç është kërkuar nga Rusia, ka thënë misioni i Britanisë në Kombet e Bashkuara, i cili mban presidencën e Këshillit me 15 vende anëtare.

Rusia ka kërkuar që të mbahet një takim të hënën për të diskutuar ato që i konsideron “provokime të radikalëve ukrainas” në qytezën Buça, pasi Kievi ka akuzuar trupat ruse për vrasje të civilëve atje.

Liderët e Kosovës dhe Shqipërisë kanë dënuar ashpër ato që kanë thënë se janë të dhëna për vrasjet brutale të civilëve ukrainas nga trupat ushtarake të Rusisë.

Të dy kanë bërë thirrje që bota ta mbajë Rusinë përgjegjëse për këto ngjarje.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se trupat që janë gjetur në Buça ia rikujtojmë mizoritë e ngjashme që janë kryer në periudhën 1998-1999 në luftën mes luftëtarëve të pavarur shqiptarë dhe forcave serbe.

“Varrezat masive, njerëzit e vrarë brutalisht, dhe me pjesë të zhdukura të trupit, shtëpi të djegura dhe qytete të shkatërruara, janë skena të njohura nga regjimet që kryejnë gjenocid”, ka thënë Kurti në një postim në Twitter.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se trupat që janë gjetur pasi ushtarët rusë janë larguar nga Buça, afër Kievit, janë “shokuese” dhe ka bërë thirrje për hetime të pavarura “të këtyre krimeve të tmerrshme”.

“Asgjë nuk mund ta arsyetojë këtë mizori. Çfarë dhimbje dhe çfarë turpi”, ka thënë ai po ashtu në Twitter.

Si Kosova, ashtu edhe Shqipëria u janë bashkuar sanksioneve të ashpra ndaj Rusisë, të cilat janë vendosur nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

Rusia ka mohuar vazhdimisht shënjestrimin e civilëve dhe ka hedhur poshtë supozimet për krime lufte.

Autoritetet ruse e konsiderojnë luftën në Ukrainë, si “operacion special ushtarak” me qëllim të “çmilitarizimit” dhe “denazifikimit” të Ukrainës.

Ukraina thotë se është pushtuar pa provokim.

Organizata ndërkombëtare për të drejta të njeriut, Human Rights Watch, ka thënë se ka dokumentuar “disa raste kur forcat ushtarake ruse kanë kryer shkelje të ligjeve të luftës” në rajonet e Çernihivit, Harkivit dhe Kievit.

Ministria e Jashtme ukrainase ka bërë thirrje që Gjykata Ndërkombëtare Penale të mbledhë të dhëna për ato që i konsideron krime të luftës.

Ministrat e Jashtëm të Francës dhe Britanisë kanë thënë se do të mbështesnin hetime të tilla.

Megjithatë, ekspertët ligjorë besojnë se gjykimi i Putinit dhe liderëve të tjerë rusë do të ishte proces me shumë vështirësi dhe që do të mund të merrte vite.

Luftime të përhapura

Rusia ka tërhequr forcat që kanë kërcënuar Kievin, duke thënë se synon të fokusohet në lindje të Ukrainës.

Shtabi i Përgjithshëm i Ukrainës ka thënë se Rusia pritet të mobilizojë rreth 60,000 rezervistë.

Të hënën, 4 prill, janë dëgjuar shpërthime të reja në qytetet Herson dhe Odesa, në jug të Ukrainës.

Inteligjenca britanike ka thënë se trupat ruse janë nisur drejt lindjes së Ukrainës.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, është shfaqur përmes video-lidhjes në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Grammy dhe u ka bërë thirrje shikuesve që ta mbështesin Ukrainën “sido që munden”.

“Çka është e kundërta e muzikës? Heshtja e qyteteve të shkatërruara dhe njerëzve të vrarë”, ka thënë Zelensky.

Thirrja e tij është përcjellë me një këngë të John Legend dhe leximi i një poezie nga poetja ukrainase, Lyubov Yakymchuk.

Zelensky, 44-vjeçar, ka bërë një mori thirrjesh për mbështetje të Ukrainës, prej pushtimit të këtij shteti nga Rusia më 24 shkurt.

Ai i është drejtuar Kongresit amerikan dhe parlamenteve të Japonisë, Britanisë, Australisë, Izraelit e Gjermanisë, duke bërë thirrje për ndihmë ushtarake për Ukrainën dhe më shumë sanksione për Rusinë.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG