Presidenti amerikan, Joe Biden, bëri thirrje për një gjykim për krime lufte kundër presidentit rus, Vladimir Putin, teksa shtoi se ai do të vendosë sanksione të reja ndaj Moskës pas mizorive të raportuara në Ukrainë.
“E patë se çfarë ka ndodhur në Buça”, tha Biden më 4 prill. Ai shtoi se Putini “është kriminel lufte”.
Komentet e Bidenit vijnë pasi presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, vizitoi Buçan, ku trupat e pajetë të dhjetëra civilëve janë gjetur nëpër rrugët e këtij qyteti që gjendet në periferi të Kievit.
Lideri ukrainas ka bërë thirrje që bota të njohë si “gjenocid” vrasjet në Buça nga forcat ruse.
Por, Biden nuk i quajti vrasjet e civilëve gjenocid.
Sipas autoriteteve ukrainase, në Buça janë gjetur 410 trupa të pajetë të civilëve, pasi trupat ruse u tërhoqën nga qyteti dhe Ukraina rimori kontrollin.
“Ne duhet të vazhdojmë ta ndihmojmë Ukrainën me armë që atyre iu duhen për të vazhduar luftën. Dhe ne duhet të mbledhim të gjitha detajet në mënyrë që të ketë një gjykim për krime lufte”, tha Biden për gazetarët.
Ai e cilësoi presidentin rus, Putin si “brutal”.
“Ajo që ndodhi në Buça është mizore dhe të gjithë po e shohin”, tha Biden.
Zyrtarë të Bashkimit Evropian thanë të hënën se do të dërgojnë hetues në Ukrainë për të ndihmuar Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të këtij shteti për “të dokumentuar krimet e luftës”.
Para se të zbuloheshin vrasjet në Buça kanë nisur hetimet mbi veprimet e Putinit në Ukrainë.
SHBA-ja dhe mbi 40 shtete po punojnë për të hetuar shkelje të mundshme në Ukrainë, pasi ka kaluar një rezolutë në Kombet e Bashkuara që kërkon që të krijohet një komision hetimor. Po ashtu, hetime kanë nisur edhe nga Gjykata Ndërkombëtare Penale.
Rusia ka mohuar se trupat e saj janë përgjegjëse për vrasjet në Buça.