Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara për të punuar me Qeverinë e Kosovës për të avancuar prioritetet e përbashkëta, thuhet në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë nga një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit.
Kjo përgjigje nga autoritetet e SHBA-së erdhi pavarësisht kritikave që vendet e Quint-it (SHBA, Britani e Madhe, Itali, Francë dhe Gjermani) i kanë adresuar Qeverisë së Kosovës, pas moslejimit të mbajtjes në Kosovë të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë, të caktuara më 3 prill.
Në reagimin e vendeve të Quint-it, më 23 mars, është shprehur “zhgënjimi i madh” ndaj vendimit e Qeverisë së Kosovës, duke thënë se sjellja e saj “nuk është në linjë me vlerat dhe parimet tona dhe do të minojë aspiratat e saj evropiane”.
SHBA-ja vazhdon “të ndihmojë Kosovën”
Por, përkushtimi i SHBA-së për të avancuar prioritetet e përbashkëta, i cili përmendet në përgjigjen e një zëdhënësi të DASH-it, nënkupton që SHBA-ja “të ndihmojë Kosovën të zhvillojë qeverisje të përgjegjshme, efektive, të ndërtojë një ekonomi të qëndrueshme, dinamike dhe të arrijë marrëdhënie më të mira me fqinjët e saj, ndërsa ajo zë vendin e saj përkrah tyre në Evropë dhe institucionet euroatlantike”.
“Ky prioritet përfundimtar dhe i rëndësishëm- integrimi i plotë në institucionet evropiane dhe euroatlantike - është një prioritet i përbashkët i deklaruar nga qeveritë, e Kosovës dhe Serbisë".
"Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të besojnë se mënyra më e mirë për të dyja vendet për ta arritur këtë është përmes angazhimit aktiv dhe fleksibil të Kosovës dhe Serbisë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, duke rezultuar në një marrëveshje gjithëpërfshirëse për marrëdhëniet e normalizuara të përqendruara në njohjen reciproke”, thuhet në përgjigjen e një zëdhënësi të Departamentit Amerikan të Shtetit.
“Marrëdhëniet që tejkalojnë një qëndrim të Qeverisë”
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Qeverisë së Kosovës, me pyetjen se a ka pasur çfarëdo ndryshimi në raporteve ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pas reagimit kritikues nga ana e Quint-it për moslejimin e zgjedhjeve serbe.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë ka theksuar se “Qeveria e Kosovës vazhdon të kultivojë marrëdhëniet historikisht dhe tradicionalisht të mira dhe miqësore me SHBA-në”.
Ai ka theksuar se bashkëpunimi ndërmjet dy vendeve është konstruktiv dhe se Qeveria e Kosovës është në komunikim të rregullt dhe të vazhdueshëm me administratën e presidentit Joe Biden, si dhe me përfaqësuesit e shtetit amerikan në Kosovë.
“SHBA-ja është aleati ynë strategjik dhe historik, ndaj të cilit kemi dëshmuar partneritet të besueshëm dhe të qëndrueshëm, së fundmi në rastin e strehimit të më shumë se 1.400 refugjatëve afganë. Marrëdhëniet mes dy vendeve tona janë aq të posaçme e të thella sa e tejkalojnë një qëndrim apo një tjetër të Qeverisë”, theksoi Kryeziu.
Rashiti: SHBA-ja nuk ka pritur telashe me zgjedhjet serbe
Njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë vlerësojnë se, pas reagimit të Quint-it e deri më tash, nuk është vërejtur ndonjë ndryshim i çfarëdoshëm në raportet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, e cila shihet si partnerja kryesore e vendit.
Naim Rashiti, drejtor i Grupit të Ballkanit për Politika, thotë për Radion Evropa e Lirë se është herët që të shihet nëse do të ketë ndryshime të raporteve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së. Por, sipas tij, është e qartë që deklarata e Quint-it është “shumë e ashpër dhe habit formulimi i saj”.
Por, sipas tij, kërkesa për lejimin e zgjedhjeve serbe në Kosovë, ka qenë në vazhdën e përpjekjeve të SHBA-së për të ndihmuar dialogun Kosovë-Serbi dhe proceset rajonale dhe siç thotë ai, nga pikëpamja amerikane, nuk është pritur se mund të ketë telashe me këto zgjedhje.
“Se si do të reflektojë kjo në marrëdhëniet e Kosovës me SHBA-në mbetet të shihet. Natyrisht që SHBA-ja është shumë e preokupuar me çështjen e luftës në Ukrainë. Por, natyrisht që SHBA-ja e sheh këtë jo si një kontribut për ruajtjen e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor apo për ndërtimin e klimës për avancimin e dialogut dhe për ndërtimin e marrëveshjeve të reja në dialog me Serbinë".
"Thënë troç, vendimi i Qeverisë (së Kosovës) e bën pak më të vështirë dialogun për temat që janë në proces të dialogut ndërmjet dy vendeve dhe në të cilin proces, SHBA-ja ka llogaritur se pas zgjedhjeve në Serbi, do të ketë një dinamikë të re”, thekson Rashiti.
Hajrullahu: Nuk vërehen luhatje të raporteve SHBA-Kosovë
Arben Hajrullahu, profesor në Departamentin e Shkencës Politike në Universitetin e Prishtinës, thotë se pas reagimit të vendeve të Quint-it, të cilin e vlerëson “të ashpër”, nuk ka pasur ndonjë shenjë të luhatjes së raporteve të Kosovës me SHBA-në.
Ai shpreh mendimin se situata me moslejimin e zgjedhjeve serbe në Kosovë është e ngjashme me situatën e moslejimit të mbajtjes në Kosovë tëreferendumit të Serbisë për ndryshimet kushtetuese për çështje e gjyqësisë, që u mbajt më 16 janar.
“Për shembull, edhe pas referendumit atje, ku po ashtu Quint-i shprehu pakënaqësinë e vet këtu. Mirëpo, shumë shpejt, ato ditë, ambasadori i SHBA-së në OSBE, me seli në Vjenë, (Michael Carpenter), doli dhe e bëri të qartë që Kosova është shtet sovran dhe se e ka të drejtën për të marrë vendime sovrane edhe në këtë aspekt”, tha Hajrullahu.
Më 20 janar, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, publikoi deklaratën me të cilën ambasadori amerikan në OSBE, Michael Carpenter, i drejtohej Këshillit të Përhershëm të OSBE-së.
“Megjithatë, le të jemi të qartë për qëndrimin e SHBA-së për të drejtat e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran për caktimin e kushteve për mbajtjen e zgjedhjeve të shteteve të tjera sovrane në territorin e saj”, thuhej ndër të tjera në këtë deklaratë.
Lidhur me vazhdimin e përkushtimit të SHBA-së për të punuar me Qeverinë e Kosovës, që është shprehur nga Departamenti Amerikan i Shtetit, Rashiti vlerëson që e gjithë kjo është në suazat e marrëdhënieve bilaterale. Sipas tij, as gjatë vizitave në Kosovë, zyrtarët amerikanë, nuk e kanë ngritur lart çështjen specifike të zgjedhjeve serbe dhe kjo nuk është bërë as në deklaratën e njërit prej zëdhënësve të Departamentit Amerikan të Shtetit, që i është dhënë Radios Evropa e Lirë.
“Nuk po tregon ndonjë shenjë specifike. Por, ka një komunikim zyrtar përmes letrave, në të cilat Sekretari (amerikan i Shtetit, Antony) Blinken i ka detajuar pritjet e SHBA-së në raport me dialogun. Këtu, besoj që do të jetë edhe një çështje tjetër që e ngritë presionin, nevojën për një dialog me aleatët, nevojën për ta avancuar dialogun. Një gjë është e sigurt, presioni për dialogun me Serbinë, për avancimin e normalizimit të marrëdhënieve, nuk do të bie. Pra, nuk do të ulen përpjekjet për të shtyrë Kosovën, por natyrisht edhe Serbinë, për një marrëveshje çfarëdo që mund të arrihet mes dy vendeve”, thekson Rashiti.
Ai shton se moslejimi i zgjedhjeve serbe në Kosovë dhe reagimi i Quint-it ndaj Qeverisë së Kosovës, ishte situatë e pakëndshme, e cila, sipas tij, ka kaluar, ndonëse sipas Rashitit, kanë ekzistuar mundësitë për t’u gjetur modalitetet për mbajtjen e zgjedhjeve serbe në Kosovë dhe që nga kjo Kosova të përfitonte në procesin e dialogut me Serbinë.
Më 21 mars, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, kishte theksuar se se për mbajtje të zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë në Kosovë, duhet të ketë një marrëveshje në mes të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë.
Autoritetet serbe thanë se Qeveria e Kurtit po kërkon nga Serbia të pranojë pavarësinë e Kosovës, në mënyrë që të lejohen zgjedhjet.
Prentendimet e tilla u hodhën poshtë nga autoritetet e Kosovës.
Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë, kanë qenë ato të 21 qershorit 2020.
Facebook Forum