Ndërlidhjet

Beteja për raundin e dytë të zgjedhjeve


Partitë politike në Maqedoninë e Veriut, që do të marrin pjesë me kandidatë në balotazh për zgjedhjet lokale më 31 tetor, kanë nisur me mobilizimin e radhëve, por edhe me paralajmërimet për ndryshime të mundshme edhe në pushtetin qendror, varësisht rezultatit zgjedhor.

Në raundin e parë janë zgjedhur gjithsej 33 kryetarë të komunave nga 80 sa ka gjithsej Maqedonia e Veriut. Nga to, 22 komuna i ka fituar VMRO DPMNE-ja opozitare, nëntë LSDM-ja e kryeministrit Zoran Zaev dhe tri komuna Bashkimi Demokratik për Integrim, që po ashtu është pjesë e qeverisë.

Në raundin e dytë pritet të zgjidhet edhe kryetari i Shkupit, ku në garë janë kandidatja e pavarur, Danella Arsovska, që mbështetet nga VMRO DPMNE-ja dhe Petre Shilegov, kryetar aktual i Shkupit nga LSDM-ja.

Garë e fuqishme në raundin e dytë pritet të zhvillohet edhe në komunat e banuara me shqiptarë, si në Tetovë, ku garojnë dy kandidatët e partive në pushtet, Teuta Arifi nga BDI-ja dhe Bilall Kasami nga Lëvizja BESA, sikur edhe në Gostivar, ku garojnë Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët, që është në opozitë dhe Nevzat Bejta nga BDI-ja. Garë mes këtyre dy partive të fundit do të zhvillohet edhe për Strugën, Dibrën dhe Çairin, ndërsa në Kërçovë për kryetar të komunës garojnë kandidatët e BDI-së dhe të VMRO DPMNE-së.

Kryeministri Zoran Zaev ka thënë se në rast se në raundin e dytë fiton sërish opozita maqedonase, ai nuk do të jetë në gjendje më të drejtojë qeverinë, duke lënë për të kuptuar se do të ofrojë dorëheqje.

“Unë dhe qeveria të cilën e drejtoj, nuk do të mund të vazhdojmë nëse Shkupi dhe komunat urbane dhe rurale kthehen pas, në të gjitha aspektet, si për integrimin, për konceptin tonë ‘Një shoqëri për të gjithë’, investimet, ekonominë, e çështje tjera. Janë dy gjëra që nuk shkojnë njëra me tjetrën, andaj vlerësoj se votimet më 31 tetor kanë të bëjnë me gjithçka, prandaj unë nuk mund të drejtoj qeverinë nëse shteti lëviz në drejtimin e kundërt”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev, duke njoftuar se shumica parlamentare është stabile dhe se asnjëra nga partitë e koalicionit nuk mendon t’i bashkohet opozitës, siç pretendon VMRO DPMNE-ja.

Ai ka ftuar qytetarët dhe të gjitha partitë politike, me të cilat është në koalicion, që t’i mbështesin kandidatët e LSDM-së.

Kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickovski, tha se pushteti aktual i ka ditët e numëruara, sipas tij, andaj edhe u bëri thirrje të gjitha partive politike që të bashkohen, që më 31 tetor vendi të nisë një kapitull të ri.

Në zgjedhjet e 17 tetorit, një numër të konsideruar të votave apo rreth 50 mijë vota i ka marrë partia “E Majta”, por drejtuesit e saj ende nuk kanë marrë një vendim të prerë se cilën parti do të mbështetin, LSDM-në, apo VMRO DPMNE-në.

“U bëj thirrje të gjitha partive politike, pavarësisht nëse janë të majta apo të djathta, të qendrës, liberale apo konservative, që të na bashkohen që të formojmë një shumicë të re parlamentare dhe së bashku me kryetarët e komunave, t’i përveshim mëngët dhe të punojmë për këtë shtet, të cilin qeverisja aktuale e ka zhytur në varfëri, kriminalitet, korrupsion, në një shtet të paperspektivë”, deklaroi Mickovski.

Votimi në Maqedoninë e Veriut përcillet me probleme teknike
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:50 0:00

Nga ana tjetër, partitë shqiptare të pozicionuara në dy blloqe, BDI-ja me LSDM-në dhe Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa me VMRO DPMNE-në, mbeten në qëndrimet e tyre, se nga zgjedhjet lokale të raundit të dytë do të dihet edhe e ardhmja e qeverisë.

Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, ka thënë se nuk ka krizë qeveritare, por madje, sipas tij, do të ketë rritje të shumicës parlamentare.

“Qeveria është stabile dhe do të jetë stabile edhe në të ardhmen, pavarësisht qëndrimeve të partive të ndryshme politike. Menjëherë pas zgjedhjeve koalicioni qeverisës do të zgjerohet edhe me të tjerë deputetë, të cilët e mbështesin këtë kurs progresiv të vendit”, ka deklaruar Osmani.

Nga Aleanca për Shqiptarët kanë thënë se synimi i saj është jo vetëm humbja e partive në pushtet në të gjitha komunat, por edhe rënia e qeverisë.

“Aleanca për Shqiptarët është e interesuar të bjerë pushteti korruptiv dhe i kriminalizuar i BDI-së në Tetovë, Strugë, Çair, Tearcë dhe Bogovinë. Por, kur BDI-ja të bjerë përfundimisht kur të rrëzohet edhe Qeveria. Konform kësaj do të jetë edhe sjellja jonë për në raundin e dytë", thuhet në një komunikatë të opozitës shqiptare, e cila pritet t’u japë mbështetje në Tetovë kandidatëve të Lëvizjes BESA, që është në balotazh me kandidaten e BDI-së.

Në raundin e parë të zgjedhjeve, në votime dolën 50 për qind e votuesve nga rreth 1.8 milionë qytetarë me të drejtë vote.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG