Ndërlidhjet

Ballkani Perëndimor me "rëndësi strategjike" për BE-në


Liderët e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor gjatë Samitit në Bërdo më 6 tetor 2021.
Liderët e BE-së dhe Ballkanit Perëndimor gjatë Samitit në Bërdo më 6 tetor 2021.

Në Samitin ndërmjet Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian, blloku evropian tha se ky rajon ka perspektivë evropiane dhe është rajon me "rëndësi strategjike".

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se e mirëpret deklaratën e nënshkruar gjatë këtij samiti, por ai gjatë fjalimit të tij tha se në të duhej të përmendej "ballafaqimi me të kaluarën" pasi sipas tij, "është pjesë e nevojshme e përpjekjeve për pajtim.

Kurti po ashtu ka bërë të dënohen veprimet e Serbisë, teksa ai përmendi fluturimet e avionëve serbë afër kufirit me Kosovën, në kohën kur në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, serbët lokalë kundërshtonin vendimin e Kosovës për vendosjen e reciprocitetit për targat me Serbinë.

"Ne gjithashtu besojmë se ky Samit duhet të dënojë angazhimin e ushtrisë serbe në kufirin e Kosovës: Avionët luftarakë MiG-29 fluturuan përgjatë kufirit, ndërsa ambasadori i Rusisë në Beograd shkoi në pikën kufitare për të inspektuar grumbullimin e trupave serbe atje", ka thënë Kurti, njoftoi zyra e tij përmes një njoftimi për media.

Gjatë samiti, Kurti ka kërkuar që BE-ja të heqë vizat për qytetarët e Kosovës.

Kurti në Bërdo: Zgjerimi, projekti më i rëndësishëm për paqe
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:55 0:00

Në Slloveni, Kurti është takuar edhe me shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell,

Borrell, siç thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës, ka thënë se pas arritjes së marrëveshjes për targat më 30 shtator, Kosova dhe Serbia duhet ta shfrytëzojnë këtë si momentum për të përshpejtuar përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

"Kryeministri Kurti në anën tjetër u shpreh se reciprociteti do të jetë parimi mbi të cilin do të bazohen veprimet e shtetit të Kosovës", thuhet në njoftim dhe shtohet se Borrell dhe Kurti u pajtuan se dialogu është platforma përmes së cilës palët mund të zgjidhin çështjet e pazgjidhura.

Takimi Kurti-Vuçiq

Në kuadër të këtij samiti, Kurti ka zhvilluar një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Në këtë takim, ishin prezentë kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Kryeministri Kurti, përmes një postimi në Twitter tregoi për temat që sipas tij janë diskutuar në këtë takim.

"Në takimin me kancelaren Merkel, presidentin Macron dhe presidentin e Serbisë, biseduam për Procesin e Berlinit, për lëvizjen e lirë dhe njohjen e diplomave. Ne mbështesim marrëveshjet ku të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor trajtohen njësojë dhe prej të cilave përfitojnë qytetarët”, shkroi ai në Twitter.

Në samitin e Bërdos, Kosova u përfaqësua nga kryeministri, Albin Kurti, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Vuçiq: Nuk mund të hyjmë në BE pa i zgjidhur çështjet me Kosovën

Ndërkaq, presidenti serb, Vuçiq gjatë një konference për media në Bërdo, tha se shteti i tij nuk do të jetë në gjendje që t’i bashkohet Bashkimit Evropian nëse nuk zgjidh çështjet e pazgjidhura me Kosovën.

“Ka perspektivë për zgjerim, por është e qartë se jo të gjithë anëtarët (e BE-së) kanë të njëjtin oreks”, tha Vuçiq për gazetarët në Bërdo.

“Pa i zgjidhur çështjet me Prishtinën, Serbia nuk do të jetë në gjendje që t’i bashkohet BE-së”, shtoi ai, raporton Reuters.

Michel: BE-ja e gatshme të ndërmjetësojë dallimet që kanë shtetet e Ballkanit

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka thënë të mërkurën se rajoni i Ballkanit Perëndimor ka rëndësi strategji për Bashkimin Evropian.

Ai ka përmendur luftën kundër korrupsionit, duke thënë se kjo temë kyçe është e rëndësishme për zbatim edhe brenda vetë vendeve të Bashkimit Evropian.

Sipas tij, BE-ja ka ndarë një shumë të pashembullt të fondeve për ta ofruar këtë rajon me bllokun evropian përmes kryerjes së reformave të nevojshme.

Në një konferencë për media, pas mbajtjes së takimit mes liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, ai ka thënë se blloku evropian është i gatshëm të ndërmjetësojë dallimet që janë rezultat i konflikteve të së kaluarës.

“Megjithatë, duhet marrë vendime politike për të arritur përparim”, ka deklaruar ai.

Ai më pas ka folur edhe për procesin e zgjerimit, duke thënë se ekziston një debat i vazhdueshëm në mes të vendeve anëtare të BE-së për pranimin e anëtarëve të rinj.

“Në këtë temë, është e qartë se ende duket arritur përparim, na duhet të vendosim së bashku se çfarë duam të bëjmë së bashku si BE, si duam të marrim vendime”, ka thënë Michel.

Shefja e BE-së: Synimi ynë është zgjerimi

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë më pas në konferencë për media se mesazhi i Komisionit Evropian është shumë i qartë.

“Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës së njëjtë sikurse është Bashkimi Evropian. Ne ndajmë historinë e njëjtë, interesat e njëjta dhe jam e bindur edhe ndajmë edhe fatin e njëjtë. Bashkimi Evropian nuk është i kompletuar pa Ballkanin Perëndimor”, ka deklaruar ajo, duke thënë se do të punojë për të shtyrë përpara procesin e anëtarësimit të këtij rajoni në bllokun evropian.

Ajo ka thënë se gjatë vizitave që ka realizuar në vendet e Ballkanit Perëndimor javën e kaluar, ka vërejtur padurimin e qytetarëve si pasojë e zgjatjes së procesit të anëtarësimit.

“Unë e kuptoj këtë”, ka thënë ajo, duke vënë theksin te nevoja e bërjes së reformave në këto vende, ndonëse, sipas saj, në disa fusha përparimi është i vërejtshëm.

Ajo ka përmendur në veçanti faktin e mosnisjes së bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, dhe ka thënë se gëzohet që të mërkurën është trajtuar kjo çështje me qëllim të sqarimit të procesit dhe të tejkalimit të dallimeve që ekzistojnë mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, e cila ka vënë veto.

Spanja nuk pranon paraqitjen e simboleve të Kosovës

Edhe ky Samit u zhvillua pa simbole shtetërore.

E përditshmja spanjolle nga rajoni i Katalonjës, El Nacional, ka raportuar të mërkurën se presidenti i Qeverisë spanjolle, Pedro Sanchez, është duke marrë pjesë në Samitin e Bërdos mirëpo këtij vendi i është garantuar që në takime nuk do të ketë simbole shtetërore, pasi Spanja nuk e njeh shtetësinë e Kosovës.

Ky samit i rregullt, është mbajtur vitin e kaluar përmes video-lidhjes, për shkak të pandemisë së koronavirusit, ndërsa më 2018 në të nuk ka marrë pjesë ish-presidenti spanjoll, Mariano Rajoy, për shkak të pjesëmarrjes së Kosovës.

Edhe në takimin përmes video-lidhjes, simbolet që identifikojnë Kosovën si shtet janë shmangur, dhe njësoj pritet të ndodhë edhe këtë vit.

Pjesëmarrësit pritet të flasin me emrat e tyre, pa specifikuar ndonjë pozicion, si president apo kryeministër.

Bashkë me Spanjën, edhe katër shtete tjera të Bashkimit Evropian nuk e njohin shtetësinë e Kosovës: Greqia, Rumania, Qiproja dhe Sllovakia.

Borrell: Zgjerimi kërkon që shtetet të tejkalojnë dallimet

Shefi për Politikë të Jashtme dhe Siguri i BE-së, Josep Borrell para samitit tha se rruga drejt BE-së e shteteve të Ballkanit Perëndimor, kërkon që shtetet të tejkalojnë dallimet që kanë mes vete, në mënyrë që të ecin drejt bllokut evropian.

Ai tha se në Samitin e Bërdos, BE-ja duhet të japë sinajle për vazhdimin e procesit të zgjerimit, por ai tha se edhe shtetet duhet të punojnë që të tejkalojnë dallimet që kanë dhe BE-ja të përmbushë zotimet që ka dhënë.

"Rruga drejt BE-së, procesi i zgjerimit kërkon që ata (shtetet) të tejkalojnë dallimet e tyre dhe të vazhdojnë me reforma. Por, ne do të ofrojmë një vazhdimësi të besueshme të procesit të zgjerimit", theksoi Borrell.

Sipas një deklarate që ka parë Radio Evropa e Lirë, që është miratuar të mërkurën, Bashkimi Evropian mbështet perspektivën evropiane të shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe “riafirmon përkushtimin e tij për procesin e zgjerimit” të bllokut evropian.

Por, sipas deklaratës, procesi i zgjerimit do të bazohet në reformat “kredibile nga partnerët, kushtëzimi i drejtë dhe rigoroz dhe bazuar në parimet e meritave individuale”.

“Ne gjithashtu riktheksojmë rëndësinë që BE-ja të mbajë dhe thellojë zhvillimin e vet, duke u siguruar për kapacitetin e saj që të integrojë anëtarë të rinj”, përmendet mes tjerash në deklaratë.

Nga shtetet e Ballkanit, Mali i Zi dhe Serbia kanë avancuar më së shumti në rrugën drejt BE-së, ndërkaq, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut ende nuk kanë hapur negociatat për anëtarësim, pasi Bullgaria ka vendosur veto, për shkak të mosmarrëveshjeve që ka me Shkupin zyrtar sa i përket identitetit, historisë dhe gjuhës maqedonase.

Kosova dhe Bosnje e Hercegovina mbeten të fundit, ku ende nuk kanë bërë hapa drejt hapjes së negociatave për anëtarësim. Në rastin e Kosovës, janë edhe pesë shtete të BE-së (Spanja, Greqia, Qipro, Sllovakia dhe Rumania), që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës dhe BE-ja mban qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës.

Në këtë dokument termi “partnerë” u referohet shteteve të Ballkanit Perëndimor. Në deklaratë po ashtu thuhet se këto shtete duhet të ndërmarrin një sërë reformash dhe ritheksohet zotimi i këtyre shteteve për demokraci, respektim të të drejtave themelore dhe sundimit të ligjit, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, qeverisjes së mirë, barazisë gjinore dhe respektimin e të drejtave të komuniteteve joshumicë.

Në të theksohet po ashtu se normalizimi i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë mbetet kritik për rajonin.

“Ne mbështesim plotësisht përpjekjet e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Prishtinë-Beograd (v.j. Mirosllav Lajçak) dhe presim përparim konkret nga të dyja palët në normalizimin e plotë të marrëdhënieve, që është kritik për stabilitetin dhe zhvillimin e gjithë rajonit dhe për t’u siguruar se ata mund të vazhdojnë në rrugët e tyre respektive drejt BE-së”, përmendet në deklaratë.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ka nisur më 2011, thuhet se ka për qëllim arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme për normalizimin e raporteve.

Në deklaratë përmenden edhe sfidat e sigurisë me të cilat përballen BE-ja dhe Ballkani Perëndimor, siç janë kërcënimet hibride, dezinformatat, krimi i organizuar, radikalizmi e të tjera, ku kërkohet bashkëpunimi më i ngushtë.

Menaxhimi i migrimit po ashtu përmendet si një sfidë e përbashkët ku me theks të veçantë potencohet “situata serioze në Afganistan".

“BE-ja do të punojë me të gjithë partnerët, përfshirë ata të Ballkanit Perëndimor për t’iu përgjigjur sfidave dhe për të koodinuar përgjigjen e përbashkët”, është theksuar në deklaratë, kur bëhet fjalë për Afganistanin.

Samiti në Bërdo orgnizohet nga presidenca sllovene e BE-së. Ky samit është pjesë e strategjisë së BE-së për angazhim me Ballkanin Perëndimor që është në linjë me Agjendën Strategjike 2019-2024 dhe mbahet pas Samitit të Sofjes më 2020 dhe atij të Zagrebit, që u mbajt përmes video-konferencës për shkak të pandemisë COVID-19.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG