Ndërlidhjet

Kosova lë anash energjinë e gjelbër 


Një punëtor duke instaluar panele solare. Fotografi nga arkivi.
Një punëtor duke instaluar panele solare. Fotografi nga arkivi.

Ka pak më shumë se dy muaj prej se Ahmet Sedefi ka investuar në vendosjen e një sistemi solar për prodhimin e energjisë elektrike mbi objektin e kompanisë së tij, “Sedefi Commerce” në Pejë.

“Sipas planprogramit që e kemi si kompani, ky investim sigurisht që duhet të jetë i mirë dhe me benefite për ne”, thotë Sedefi për Radion Evropa e Lirë.

Përmes këtij sistemi solar, kompania që ai ka në pronësi, pritet të prodhojë 100 kilovatë energji elektrike.

Ky kapacitet nuk është i mjaftueshëm për të mbuluar të gjithë kërkesën e kompanisë, por Sedefi shpreson se për një periudhë njëvjeçare do të vërehet efekti i këtij investimi.

“Sot për sot nuk prodhon rezultate, por pas një viti apo pesë vjetësh do të shihet rezultati. Nëse i prodhon 125 mijë kilovatë rrymë, ashtu siç e kemi në kontratë, atëherë është e favorshme. Në rastin tonë e ulë koston e çmimit të produktit”, thotë Sedefi.

Sedefi thotë se shumë biznese në Kosovë nuk e kanë mundësinë që të investojnë në prodhimin e energjisë së ripërtërishme.

Për këtë arsye ai thotë se do të duhej të ekzistonin grante dhe mundësi të mbështetjes financiare për bizneset që investojnë në këtë fushë.

Investimet në sisteme solare janë rritur viteve të fundit në Kosovë.

Megjithatë, kompanitë që punojnë në këtë fushë thonë se duhet më shumë mbështetje dhe lehtësime.

Energjia e ripërtërishme, sektor pa përkrahje

Ermal Imeri është drejtor i kompanisë kosovare, “ESCO Solar Systems”, e cila ofron konsulencë dhe realizim të projekteve të energjisë së ripërtërishme.

Imeri thotë se ky sektor përballet me procedura të shumta burokratike.

“Sipas rregullave që i ka përcaktuar ZRRE-ja (Zyra e Rregullatorit të Energjisë), për të instaluar një sistem solar të lidhur në rrjet, duhet të plotësohen kushtet që i vendos distributori i energjisë, pra në këtë rast KEDS-i (Distribucioni për Furnizim me Energji Elektrike), e që këto kushte janë shumë burokratike dhe procedura shumë të vështira”, thotë Imeri.

Për të zhvilluar këtë sektor, Imeri thotë se qeveria duhet që të vendosë masa stimuluese që përfshijnë qasje më të mirë në financa për individë dhe biznese, grante si dhe ulja e taksave për kompanitë që instalojnë panele solare.

“Institucionet duhet të marrin masa stimuluese, duke filluar prej subvencionimit të një pjesë të investimeve në sisteme solare, duke filluar që ta bëjnë edhe më të thjesht Ligjin e shkarkimit në rrjet, duke i hequr kushtet e paarsyeshme që kërkohen të plotësohen për instalimin e sistemeve solare”, thotë ai.

Përkundër mungesës së këtyre mekanizmave stimulues, Imeri thotë se investimi në energji solare është mjaft i favorshëm për klientët privatë si dhe bizneset.

Abazi: Qeveria t’i kushtojë me shumë rëndësi sektorit të energjisë

Ditë më parë Qeveria e Kosovës miratoi programin qeverisës.

Në këtë dokument, qeveria zotohet se do të kujdeset për krijimin e kushteve të favorshme “për furnizim të qëndrueshëm e të përballueshëm me energji, për të gjithë qytetarët dhe ndërmarrjet e Kosovës, duke e pasur parasysh edhe ndikimin në mjedis”.

Sipas qeverisë, për të arritur këtë qëndrueshmëri, rol kryesor luan rritja e efiçiencës së energjisë dhe rritja e shumëllojshmërisë së burimeve energjetike.

Por, Dardan Abazi, hulumtues i lartë në Institutin për Politika Zhvillimore (INDEP), thotë për Radion Evropa e Lirë se në këtë planprogram, qeveria ka përmendur vetëm kalimthi sektorin e energjisë.

“Hapi i parë që qeveria duhet ta bëjë është që ta tërheqë planin qeverisës nga kuvendi dhe ta rishkruajë pjesën e energjisë, ashtu siç i takon, pra që të jetë një program i mirëfilltë ku do të ketë fillimisht pozicione të qarta të qeverisë sa i takon energjisë së ripërtërishme, efiçiencës së energjisë, reduktimit të emisioneve, etj”, tha Abazi.

Programi qeverisës, sipas Abazit, duhet të përfshijë masa konkrete që ndikojnë në transformimin e sistemit energjetik të Kosovës.

Abazi thotë se Kosova duhet ta modelojë një të ardhme ndryshe në sektorin e energjisë, ku nuk varet tërësisht nga qymyri i prodhuar në Obiliq, por ku do të ketë prodhues të energjisë gjithandej Kosovës, ku edhe vetë qytetarët do të mund të jenë prodhues si edhe konsumues të energjisë.

“Kështu të realizojmë vizionin e përbashkët dekarbonizim dhe tranzicion të energjisë nga një sistem konvencional, siç e kemi të bazuar në qymyr dhe në karburante ndotëse, drejt një sistemi i cili do të jetë i bazuar në energjinë e gjelbër dhe në ruajtjen e shëndetit dhe mjedisit”, tha Abazi.

Energjia elektrike me e lira ne Ballkan

Radio Evropa e Lirë ka pyetur Ministrinë e Ekonomisë për planet e reja për rritje të efiçiencës së energjisë si dhe për faktin nëse do të ketë lehtësime për bizneset dhe personat privatë që investojnë në pajisje për prodhimin e energjisë së ripërtërishme.

Por, deri në publikimin e këtij artikulli ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.

Sasinë më të madhe të energjisë elektrike, Kosova e prodhon nga djegia e qymyrit në termocentralet e Obliqit.

Përkundër investimeve në burime alternative të energjisë së ripërtërishme, rreth 95 për qind energjisë elektrike në Kosovë prodhohet nga thëngjilli, 2.7 për qind nga hidrocentralet si dhe 2.3 për qind nga era dhe panelet solare.

Sipas ekspertëve, nëse vazhdohet më këtë ritëm, Kosova do ta ketë të vështirë që t’i mbërrijë tragetet e vendosura nga organizatat ndërkombëtare për prodhimin e energjisë së ripërtërishme.

Sipas Agjencisë Evropiane të Statistikave (EUROSTAT), me rreth 0.06 centë për kilovat, kosovarët paguajnë më së paku në rajon për energjinë e shpenzuar.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG