Ndërlidhjet

Marrëveshja për të pagjeturit mbetet enigmë


Aktivistët dhe familjarët mbajnë në duar emrat e personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Foto nga arkivi.
Aktivistët dhe familjarët mbajnë në duar emrat e personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Foto nga arkivi.

Familjarët e personave të pagjetur në Kosovë dhe opinioni vendor ende nuk kanë arritur të kuptojnë se cilat janë pikat e Marrëveshjes për të pagjeturit, për të cilën zyrtarët e delegacionit të Kosovës në dialogun në Bruksel, qysh në shtator të vitit 2020, kishin deklaruar se është arritur me Serbinë.

Zyrtarët e qeverisë së kaluar, të ish-kryeministrit Avdullah Hoti, patën theksuar se pikat e Marrëveshjes për të pagjeturit do të zbatohen vetëm në rast se arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse dhe juridikisht obliguese me Serbinë. Por, ata nuk patën sqaruar detajet e marrëveshjes.

Kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti ka premtuar se çështja e të pagjeturve do të jetë prioritet i qeverisë së tij. Por, as zyrtarët e qeverisë aktuale, nuk kanë dhënë ende ndonjë sqarim se çfarë përmbajnë pikat e Marrëveshjes për të pagjeturit, për të cilën palët në Bruksel, kishin arritur pajtim.

Makolli: Pikat e Marrëveshjes për të pagjeturit, nuk janë bërë publike

Sqarime lidhur me pikat, për të cilat ishte arritur pajtimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për çështjen e të pagjeturve, nuk ka dhënë as kryesuesi i deritashëm i delegacionit për bisedime për çështjen e të pagjeturve në grupin punues të Kosovës, Ibrahim Makolli.

Në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, ai theksoi se megjithëse janë arritur pikat e pajtimit për çështjen e të pagjeturve, ato nuk do të zbatohen në rast se nuk do të ketë marrëveshje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Pikat për të cilat jemi pajtuar, nuk janë bërë publike, përderisa nuk arrihet marrëveshja e përgjithshme sepse janë të paqena në qoftë se nuk ka marrëveshje të përgjithshme”, tha Makolli.

Megjithatë, më 19 nëntor të vitit 2020, në mbledhjen e Komisionit qeveritar për personat e pagjetur në Kosovë, Makolli kishte theksuar se në dialogun e Brukselit është arritur pajtimi për shtyllat, që janë parime, për çështjen e të pagjeturve. Sipas tij, kjo nënkuptonte krijimin e “një komisionit të përbashkët, i udhëhequr nga një i emëruar special i Bashkimit Evropian, mekanizëm ky i cili do të jetë përgjegjës për mbikëqyrjen dhe mbështetjen e procesit të zbardhjes së fatit të personave të zhdukur”.

“Ndërkaq që mekanizmat e tjerë në terren, do të jenë po të njëjtit, të cilët kanë vepruar deri më tash. E dyta, është qasja e pakufizuar në të gjitha arkivat vendore dhe ndërkombëtare, duke përfshirë edhe ato të ushtrisë, policisë dhe të forcave të tjera të Serbisë, të cilat kanë marrë pjesë në kryerjen e krimeve në Kosovë dhe fshehjen e trupave të të vrarëve dhe të masakruarve”, pati deklaruar atëherë Makolli.

Familjarët dhe ekspertët e mjekësisë ligjore, pa informacion

Ahmet Grajçevci, kryetar i Këshillit koordinues të Asociacioneve të familjarëve të personave të pagjetur, thotë se tash e rreth shtatë muaj, prej kur është thënë se është arritur pajtimi për çështjen e personave të pagjetur, as përfaqësuesit e familjarëve të tyre nuk kanë marrë asnjë informacion lidhur me këtë marrëveshje.

“Askush për asgjë nuk na ka informuar. Vetëm na kanë thënë që është diskutuar, por kurrfarë materiali nuk na kanë dhënë. Na thanë që më vonë do ta diskutojmë, se do ta përpunojnë materialin dhe të na e sjellin. Por, nuk na e kanë dhënë. Ata qe 22 vjet i kanë pasur të njëjtat premtime, por nuk kanë bërë asgjë”, theksoi Grajçevci.

Megjithatë ai ka lavdëruar punën dhe angazhimin e Komisionit qeveritar për personat e pagjetur dhe të Institutit të Mjekësisë Ligjore, të cilët, sipas tij, kanë bërë krejt çka ka qenë e mundshme për t’iu përgjigjur kërkesave të familjarëve të personave të pagjetur.

Por, as drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, i cili në vazhdimësi, për dy dekada, ka qenë pjesë e procesit të zbardhjes së fatit të personave të pagjetur, thotë se nuk ka ndonjë informacion lidhur me atë se për çfarë janë pajtuar delegacionet e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, lidhur me të pagjeturit.

“Për sa u përket takimeve në Bruksel, ju them të drejtën që materialin nuk e kam pasur asnjëherë, por vetëm në bazë të atyre që kam dëgjuar. Nuk kam pasur ndonjë material konkret që ta di se çka është firmosur dhe për çka është biseduar”,theksoi Gërxhaliu për Radion Evropa e Lirë.

Të pagjeturit “prioritet i qeverisë”, qeveria pa përgjigje për marrëveshjen

Kryeministri Kurti, të premten, më 26 mars, pasi që ka bërë homazhe pranë memorialit në Krushë të Madhe, afër Rahovecit, ku janë varrezat e civilëve shqiptarë të vrarë nga forcat serbe, ka thënë se Qeveria e Kosovës do ta ketë prioritet çështjen e të pagjeturve dhe familjarëve të tyre dhe për këtë do të kërkojë edhe ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë.

“Duke bërë nderime te varrezat e dëshmorëve dhe martirëve, si dhe duke u angazhuar për të zbardhur fatin e të pagjeturve, ne kryejmë një pjesë shumë të vogël të borxhit të madh që e kemi ndaj sakrificës, humbjeve dhe vuajtjeve të popullit tonë”, ka thënë Kurti.

Megjithatë, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, nuk kanë qenë të gatshëm, që të paktën tash për tash, të japin përgjigje nëse kanë parë dosjet dhe nëse e dinë se cilat janë pikat, për të cilat Kosova dhe Serbia kanë arritur pajtimin për çështjen e personave të pagjetur.

Gërxhaliu: Puna në terren, vazhdon

Por, pavarësisht çështjes së marrëveshjes në Bruksel, sipas Gërxhaliut, puna në terren për zbardhjen e fatit të të pagjeturve ka vazhduar, varësisht nga kushtet atmosferike. Ai thotë se tashmë është paralajmëruar mundësia e një takimi të grupeve punuese të Kosovës dhe Serbisë për çështjen e të pagjeturve, në fund të muajit mars ose në fillim të prillit. Në atë takim, siç thotë Gërxhaliu, do të bisedohet për mundësinë e vazhdimit të punës në Kizhevak të Serbisë, ku në një varrezë masive tashmë janë gjetur mbetjet mortore të civilëve të vrarë.

“Kemi mbetur në gjysmë të punës në Kizhevak, ku janë gjetur të paktën pesë persona. Vendi është i konservuar në Kizhevak, me shtresa plastike dhe presim që t’i qasemi punës me përmirësimin e kushteve atmosferike. Në dy javët e kaluara kemi pasur takime të grupeve profesionale, me palën serbe, në kuadër të dialogut që udhëhiqet nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar dhe kemi diskutuar për mundësinë e fillimit të punës në Kizhevak”, tha Gërxhaliu.

Gërxhaliu shtoi se gërmimet apo hulumtimet për një varrezë të mundshme do të zhvillohen edhe në Kosovë, në një shpellë në rajonin e Hasit, ku gjatë dimrit ishte e pamundur qasja për shkak të kushteve atmosferike.

Aktualisht, mbeten edhe mbi 1.600 persona që janë zhdukur gjatë luftës në Kosovë, gjatë viteve 1998 dhe 1999, fati i të cilëve ende nuk është zbardhur.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG