Ndërlidhjet

Jetëgjatësia e institucioneve e varur nga (mos)zgjedhja e presidentit


Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani po kërkon një mandat të plotë në krye të shtetit.
Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani po kërkon një mandat të plotë në krye të shtetit.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) synon që javën tjetër, menjëherë pas konstituimit të kuvendit, të zgjedhë qeverinë e re të vendit.

Zyrtarë të këtij subjekti politik, deklaruan për Radion Evropa e Lirë se konsolidimi i institucioneve do të bëhet shumë shpejt.

Arlind Manxhuka, tha se menjëherë pas konstituimit të kuvendit, “do të procedohet me formimin e qeverisë”.

Deputetët e zgjedhur të legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës do të mbajnë seancën konstituive, të hënën më 22 mars, ku pritet të zgjedhin kryetarin dhe kryesinë e re. Anëtarja e kryesisë së LVV-së, Arbërie Nagavci ka konfirmuar se Glauk Konjufca është i nominuari i tyre për kryetar kuvendi.

Stabiliteti institucional në pikëpyetje

Konstituimi i kuvendit dhe zgjedhja e qeverisë së re mund të mos sjellin stabilitet institucional, në rast se kuvendi dështon të zgjedhë presidentin e ri të vendit. Deri më tash, Lëvizja Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit, nuk ka marr konfirmim të prerë nga asnjëra prej partive shqiptare në kuvend, se do të marrin pjesë në procesin e votimit të kandidates së tyre, Vjosa Osmanit, për mandat pesëvjeçar presidencial.

Pa pjesëmarrjen në votim të deputetëve të partive shqiptare, LVV-ja e ka të pamundur që të zgjedhë presidentin.

Osmani dhe Kurti kanë kërkuar konstruktivitet të subjekteve politike deri nëpërmjet prezencës në të tri seancat e zgjedhjes në të tri institucionet kryesore të shteti.

Partia Demokratike e Kosovës(PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e kanë bërë të qartë se nuk do të ‘bëjnë kuorumin’ që kërkohet për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Por, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e drejtuar nga Lumir Abdixhiku, nuk e ka përjashtuar ende mundësinë që të jetë pjesë e votimit të presidentit. Pas takimit të së premtes me liderin e LVV-së, Albin Kurtin dhe me Vjosa Osmanin, Abdixhiku tha se vendimi do të merret javën tjetër.

“Jemi dakorduar që pas formimit të institucioneve, të takohemi me pretendenten për kandidate për presidente dhe të kuptojmë më qartë pozicionin e saj si pretendete për presidente karshi LDK-së, LVV-së, karshi partive opozitare dhe në veçanti karshi nismës së saj politike, të paralajmëruar. Pas formimit të institucioneve javën tjetër, presim ftesën nga pretendentja për presidente”, ka thënë Abdixhiku.

Albert Krasniqi, nga organizata joqeveritare Demokraci Plus tha për Radion Evropa e Lirë, se vendi rrezikon një bllokadë të re, nëse partitë nuk reflektojnë me urgjencë.

“Nëse partitë politike nuk tregohen të përgjegjshme për të lëvizur nga pozicionet e tyre fillestare, atëherë bllokada është e pashmangshme dhe kjo mund të na çojë në paqartësi të tjera kushtetuese, lidhur me atë se çka do të ndodhë me përfundimin e këtij mandatit gjashtëmujor të ushtrimit të detyrës së presidentit”, tha Krasniqi.

Ai shton se tema e presidentit do të duhej të ishte çështja e parë me të cilën merret kuvendi i ri që pritet të konstituohet më 22 mars.

“Partitë duhet t’i evitojnë zgjedhjet e reja sepse bllokada dhe paqartësia kushtetuese do të ishin të rënda për stabilitetin e vendit. Në anën tjetër, mendoj se zgjedhjet nuk janë në favor të asnjë partie, përfshirë këtu edhe LVV-në, pas ndryshimit të lidershipit të LDK-së”, tha Krasniqi.

Mandat shtesë për u.d presidentin?

Me zgjedhjen e kryetarit të ri të kuvendit, që pritet të ndodhë në seancën konstitutive të 22 marsit, Kosova do të ketë edhe ushtruesin e ri të detyrës së presidentit.

Por, ekspertë kushtetues janë të ndarë lidhur me atë se a do të ketë kryetari i ri i kuvendit, mandat të ri gjashtëmujor si ushtrues detyre i presidentit, apo i njëjti duhet ta përfundojë atë më 5 maj.

Ish-anëtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu vlerëson se kryetari i ri kuvendit, do të ketë mandat të përkohshëm gjashtëmujor.

“Ne e kemi një rast të paprecedent për shkak se ushtruesja e detyrës (së presidentit, Vjosa Osmani), i kalon mandati sapo të verifikohet si deputete. Për të qenë ushtrues detyre, duhet që patjetër të jesh kryetar i parlamentit. Në momentin e marrjes së detyrës, kryetari i parlamentit, e ka mandatin gjashtëmujor që të ushtrojë detyrën e presidentit”, thotë Kryeziu.

Megjithatë, me këtë konstatim nuk pajtohet ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese Enver Hasani, i cili thotë se mandati gjashtëmujor, përfundon më 5 maj dhe nuk ka mandat shtesë.

Ndërkaq, në një intervistë gjatë javës që lamë pas, edhe profesori Mazllum Baraliu, deklaroi për Radion Evropa e Lirë, se “kjo është çështje e diskutueshme”.

Sidoqoftë, Kadri Kryeziu pret që kuvendi pas konstituimit, të zgjedhë qeverinë e re dhe të fillojë procedurat për zgjedhjen e presidentit të ri.

Konsensusi, vetëm fjalë deklarative

Kadri Kryeziu e Albert Krasniqi thonë se do të ishte ideale që deputetët të jenë të përgjegjshëm dhe të marrin pjesë në votim për presidentin, por ata dyshojnë se një gjë e tillë do të ndodhë.

Kadri Kryeziu thotë se “hakmarrja politike” do të rikthehet në kuvend dhe se partitë opozitare vështirë se do t’i kapërcejnë ndasitë që kanë rrënjët në të kaluarën.

“Besoj që partitë e tjera do të bllokojnë zgjedhjen e Vjosa Osmanit, pasi kjo e fundit gjatë tërë karrierës së saj, ka treguar armiqësi ndaj ish-presidentit (v.j. Hashim Thaçit) dhe përfaqësuesve të gjitha institucioneve. Kjo ka të bëjë edhe me arrogancë, kështu që nuk besoj se fakti se është votuar më së shumti, do t’ia mundësoj ta marrë lehtë këtë pozitë”, tha Kryeziu.

Albert Krasniqi thotë se të gjitha partitë pa përjashtim bëjnë thirrje për zgjedhje të një presidenti konsensual, jopartiak, por në fakt, deri më tash, kryesisht i kanë zgjedhur në këtë post kryetarët e partive të tyre.

“Gjithmonë kanë moralizuar në situatat kur ata nuk kanë qenë përcaktues dhe nuk kanë pasur ndikim për zgjedhjen e presidentit. Kanë vendosur standarde të larta, por kur janë vetë në atë pozitë, asnjëra parti politike nuk po e respekton atë standard që e ka kërkuar me ngulm”, thotë Krasniqi.

Pozita e presidentit ka mbetur me ushtrues detyre qysh më 5 nëntor, pas dorëheqjes të Hashim Thaçit nga posti i presidentit, për t’u përballur me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar të Dhomave të Specializuara me seli në Hagë.

LVV-ja është përcaktuar që kandidate për presidente të jetë Vjosa Osmani, që aktualisht ushtron këtë post, por për zgjedhjen e saj, në votim duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.

LVV-ja bashkë me komunitetet joshumicë i kanë 78 vota në kuvend, duke përfshirë këtu edhe dhjetë vendet e garantuara për Listën Serbe, parti kjo me të cilën, lideri i LVV-së, Albin Kurti ka përjashtuar çdo mundësi për koalicion qeverisës. Lista Serbe nuk e ka bërë të qartë nëse do të marrë pjesë në votim për presidentin.

Në rast se kuvendi nuk arrin që të zgjedhë presidentin e ri të vendit në tri raunde votimi, atëherë vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG