Ndërlidhjet

Transferimi i pushtetit, sërish në ushtrues detyre


Disa qytetarë duke kaluar pranë ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, aty ku gjenden edhe zyrat e Presidencës.
Disa qytetarë duke kaluar pranë ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, aty ku gjenden edhe zyrat e Presidencës.

Me zgjedhjen e kryetarit të ri të kuvendit, që pritet të ndodhë në seancën konstitutive të 22 marsit, Kosova do të ketë edhe ushtruesin e ri të detyrës së presidentit. Ekspertët kushtetues thonë për Radion Evropa e Lirë, se udhëheqësi i ri i kuvendit, do të marrë edhe këtë post, që aktualisht ushtrohet nga Vjosa Osmani, si kryetare e kuvendit. Ajo e kishte marr këtë detyrë më 5 nëntor, 2020, pas dorëheqjes të Hashim Thaçit nga posti i presidentit, për t’u përballur me akuzat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të ngritura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar të Dhomave të Specializuara me seli në Hagë.

Kushtetuta e Kosovës e përcakton qartë se posti i presidentit mund të mbetet me ushtrues detyre vetëm për gjashtë muaj, afat ky që skadon më 5 maj, 2021.

“Meqë e kemi një situatë të tillë me ushtrues detyre të presidentit, kryetari i ri i kuvendit do të duhej ta merrte këtë detyrë në mënyrë automatike. Edhe pse kjo çështje nuk është e përcaktuar në mënyrë taksative në Kushtetutë, është e nënkuptueshme sepse vlen principi i analogjisë”, thotë për Radion Evropa e Lirë, profesori i të Drejtës Kushtetuese, Mazllum Baraliu.

Sidoqoftë, ai thotë se është e diskutueshme nëse me kryetarin e ri të kuvendit, nis edhe një mandat i ri gjashtëmujor apo vetëm vazhdohet mandati i përkohshëm i ushtruar deri më tash nga Osmani.

Kush do të udhëheqë me kuvendin?

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ende nuk e ka zbuluar kandidatin e saj për kryetar të kuvendit, e drejtë kjo që i takon si fituese e zgjedhjeve parlamentare. Në këto zgjedhje, LVV-ja fitoi 50.28 për qind të votave apo 58 ulëse në kuvend.

Anëtarja e kryesisë së LVV-së, Arbërie Nagavci, tha për Radion Evropa e Lirë se diskutimet brenda kësaj partie ende nuk kanë përfunduar për emrin që do ta udhëheqë kuvendin. Nagavci nuk e përjashtoi mundësinë që edhe ajo të jetë një nga kandidatet për kryetare të kuvendit.

“Ende nuk e di. Këtë duhet ta diskutojmë edhe njëherë. Është në kompetencë të kryetarit dhe sigurisht që zoti (Albin) Kurti i diskuton këto gjëra në kryesi, por s’kemi ende një vendim përfundimtar. Nuk mund ta them sot, por unë dhe të tjerët, do të jemi aty ku mund të kontribuojmë më së shumti”, tha Nagavci.

Pas zgjedhjeve të 2019-ës, LVV-ja kishte nominuar Glauk Konjufcën në postin e kryetarit të kuvendit, i cili ishte zëvendësuar në këtë pozitë me Vjosa Osmanin, pas arritjes së marrëveshjes për bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Sidoqoftë, konstituimi i kuvendit nuk është sfidë për fituesit e zgjedhjeve, pasi është procedurë që është shumë e qartë ligjërisht dhe në bazë të forcës në kuvend, subjektet nominojnë anëtarët e tyre për kryesi.

Opsionet për qeverinë dhe presidentin

Fituesit e zgjedhjeve të 14 shkurtit, lideri i LVV-së Albin Kurti dhe Vjosa Osmani kanë nisur të hënën takimet konsultative me përfaqësuesit e subjekteve politike lidhur me krijimin e institucioneve të reja. Takimet pritet të përmbyllen të premten, pas takimit me liderin e ri të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhikun.

Kurti ka thënë në vazhdimësi që nuk do të ftojë në koalicion asnjë parti shqiptare dhe se qeverinë e re do ta formojë me disa deputetë të komuniteteve joshumicë, duke përjashtuar Listën Serbe.

Për Kurtin duket se nuk do të jetë problem formimi i qeverisë së re, pasi që deputetët boshnjakë, egjiptianë e ashkali, kanë deklaruar se do ta votojnë qeverinë e re. Përjashtim këtu ende bëjnë deputetët turq. Fikrim Damka, kryetar i Partisë Demokratike Turke, pas takimit të së martës me Kurtin dhe Osmanin, tha se ai bashkë me deputeten tjetër nga radhët e këtij komuniteti, Fidan Jilta, do të qëndrojnë në sallë për votimin e presidentit, mirëpo bisedimet për votimin e qeverisë së re do të vazhdojnë deri të premten.

LVV-ja është përcaktuar që kandidate për presidente të jetë Vjosa Osmani, por për zgjedhjen e saj, në votim duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.

Pas takimeve të së hënës me Kurtin e Osmanin, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj dhe lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj nuk kanë thënë nëse do të marrin pjesë apo jo në votimin për zgjedhjen e presidentit.

Mbetet të shihet edhe qëndrimi zyrtar i LDK-së, por kryetari i këtij subjekti politik, Lumir Abdixhiku, ka thënë të martën në Prekaz, se partia e tij do të jetë konstruktive.

Profesori Mazllum Baraliu konsideron se çështja e kuorumit për zgjedhjen e presidentit të ri, nuk do të duhej të ishte çështje. Ai thotë se Gjykata Kushtetuese e ka përcaktuar se deputetët duhet të marrin pjesë në seanca plenare.

“Në dy raste, Gjykata ka konkluduar se deputetët janë të obliguar dhe përgjegjës për të kryer detyrat e tyre”, tha Baraliu.

Kurti e Osmani ende nuk kanë folur për datën kur synojnë të vënë në diskutim në kuvend zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Por, zyrtarë të afërt me procesin, përjashtojnë mundësinë që zgjedhja e presidentit të bëhet menjëherë pas konstituimit të kuvendit.

Edhe nëse kuvendi menjëherë pas konstituimit zgjedh presidentin e ri, inaugurimi është proces që merr kohë, rrjedhimisht nuk mund të evitohet transferimi i detyrave të presidentit nga Vjosa Osmani te kryetari i ri i kuvendit.

Dështimi për zgjedhjen e presidentit pas tri raundeve të votimit, çon në mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG