Ndërlidhjet

Hoxhaj: Osmani është figurë përçarëse, nuk e votojmë për presidente  


Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Enver Hoxhaj.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Enver Hoxhaj.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës Enver Hoxhaj, ka thënë të enjten se qëndrimi i partisë së tij, në raport me votimin e Vjosa Osmanit për postin e presidentit, është i qartë.

“Nuk e mbështesim kandidaturën e saj”, ka thënë ai.

“Nuk votojmë për të, nuk marrim pjesë në votim. Prandaj, çështje të tilla qëndrimi apo mosqëndrimi në sallë, mendoj se janë tema të natyrës teknike. Besoj se e kemi pasur një debat të gjatë në PDK, e kemi folur në kryesi të PDK-së, në Këshill Drejtues dhe kjo është temë e mbyllur”, ka deklaruar Hoxhaj para gazetarëve në Prishtinë.

Sipas Hoxhajt, nuk ka kurrfarë vlere nëse gjatë seancës për zgjedhjen e presidentit, PDK-ja qëndron në sallë, për sa kohë që nuk merr pjesë në votim.

Mes tjerash ai e ka konsideruar Osmanin figurë “përçarëse”.

“Ju e dini që, a qëndron apo nuk qëndron në sallë, nuk ka kurrfarë vlere. Vlera është, a merr pjesë apo nuk merr pjesë në votim, dhe qëndrimi jonë është që kandidatura e zonjës Osmani është e papranueshme, nuk e reflekton vullnetin, më së paku të elektoratit të PDK-së, por nuk e reflekton edhe vullnetin e qytetarëve të Kosovës, meqë ka qenë një figurë më shumë polarizuese, përçarëse, në raport me qytetarët e Kosovës, por edhe në raport me ish-subjektin e saj politik, të cilin subjekt e ka shndërruar në viktimë në këto zgjedhje”, ka thënë mes tjerash ai.

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani në zgjedhjet e 14 shkurtit ka garuar në listë të përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje, që ka fituar 50.28 për qind të votave. Osmani, e cila në zgjedhje ka marrë mbi 300 mijë vota, ka garuar si kandidate për presidente.

Që një person të zgjidhet president i Kosovës, sipas kushtetutës, në dy raundet e para të votimit duhet të sigurojë dy të tretat e votat të Kuvendit të Kosovës prej 120 ulësesh. Ndërkaq, në raundin e tretë, president zgjidhet ai që merr shumicën e thjeshtë prej 61 deputetësh, por në votim duhet të marrin pjesë të paktën 80 deputetë.

Nëse edhe raundi i tretë dështon, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Deri më tani pro votimit të Osmanit janë deklaruar komunitetet joserbe, ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka thënë se i takon Lëvizjes Vetëvendosje dhe Vjosa Osmanit që të sigurojnë votat për president.

Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se nuk voton për zgjedhjen e një presidenti partiak.

Pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve, më 22 mars është caktuar të mbahet seanca konstituive e legjislaturës së tetë të Kuvendit të Kosovës, ku pritet që 120 deputetët e rinj të bëjnë betimin dhe të zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët e këtij institucioni.

Konstituimi i kuvendit i hap rrugë formimit të Qeverisë së re dhe zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG