Ndërlidhjet

Dialogu në pauzë


Analistët thonë se dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit nuk duhet të zhvillohet derisa të mbahen zgjedhjet e reja parlamentare në Kosovë.
Analistët thonë se dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit nuk duhet të zhvillohet derisa të mbahen zgjedhjet e reja parlamentare në Kosovë.

Qeveria në detyrë e Kosovës ende nuk ka sjellë ndonjë vendim lidhur me atë se a do të vazhdojë ose jo dialogu me Serbinë në Bruksel, derisa vendi është në procesin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.

Bashkimi Evropian nuk ka dhënë ndonjë përgjigje nëse zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare mund të ndikojnë në rrjedhën e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

Njohësit e zhvillimeve politike, Imer Mushkolaj dhe Armend Muja, konsiderojnë se derisa të mos përfundojnë zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare dhe të formohen legjislatura dhe qeveria e re, Kosova nuk duhet ta vazhdojë dialogun në Bruksel.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës, më 21 dhjetor e ka shpallur të pavlefshëm votimin e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Kjo qeveri ishte votuar, më 3 qershor, nga 61 deputetë. Gjykata ka dhënë arsyetimin duke thënë se vota e deputetit Etem Arifi, i dënuar me burgim prej një vit e tre muaj, ishte përcaktuese për qeverinë. Gjykata kërkoi shpalljen e zgjedhjeve të reja.

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani, tashmë ka zhvilluar diskutimet me partitë politike, për të caktuar datën e mbajtjes së zgjedhjeve, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Muja: Nuk ka parakushte për dialog

Analisti Imer Mushkolaj, thotë për Radion Evropa e Lirë, se pavarësisht që Beogradi mund të jetë i gatshëm që të vazhdojë dialogun, kjo do të jetë e pamundur në këtë fazë. Ai shpreh mendimin edhe pas mbajtjes së zgjedhjeve, Kosova pritet të ballafaqohet me problemin e zvarritjes së krijimit të përbërjeve të institucioneve të reja. Marrë parasysh këto, Mushkolaj nuk beson që të ketë vazhdim serioz të dialogut deri kah mesi i vitit të ardhshëm.

“Çdo përpjekje edhe nga ana e qeverisë (në detyrë) apo kujtdo qoftë, që të krijojë përshtypje se kinse po vazhdon dialogu dhe kinse jemi në një situatë ku nuk ka ndodhur asgjë në raport me dialogun, është e gabueshme dhe nuk duhet të ndodhë. Më e mira e mundshme do të ishte që qeveria (në detyrë), për shkak të situatës së re të krijuar, t’ia bëjë të qartë ndërmjetësuesit, në këtë rast BE-së, që nuk është në gjendje që ta vazhdojë dialogun dhe se përpara dialogut ka çështje tjera shumë më të rëndësishme që t’i zgjidhë”, theksoi Mushkolaj.

Mendim të ngjashëm ka edhe analisti Armend Muja. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se deri në legjitimimin e ri të institucioneve, zgjedhjes së kryeministrit të ri, por edhe presidentit të ri të vendit, Kosova duhet të merret më shumë me vetveten sesa me dialogun. Për më shumë, sipas tij, përveç faktit që po hyn në proces zgjedhor, Kosova duhet të presë edhe të sqarohen parakushtet edhe në nivel ndërkombëtar.

“Sa i përket dialogut në këtë fazë, unë nuk shoh parakushte as në nivel ndërkombëtar dhe as në nivelin ndërmjet shteteve dhe as brenda shoqërive përkatëse. Mendoj që (paraprakisht) janë rikonsolidimi i administratës së (presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Joe) Biden, pastaj njësimi i pozicioneve të SHBA-së dhe BE-së, të cilat janë shumë të rëndësishme dhe vetëm atëherë mund të shpresohet për një përafrim ndërmjet vendeve”, theksoi Muja.

Qeveria në detyrë pa vendim për dialogun, BE-ja pa përgjigje

Zyrtarë të delegacionit të Kosovës për dialogun me Serbinë, i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se ende nuk kanë ndonjë përgjigje, nëse dialogu do të vazhdojë ose jo derisa të kryhet procesi zgjedhor.

“Nuk ka ndonjë vendim. Priten vendimet lidhur me këtë çështje”, kanë thënë nga delegacioni i deritashëm i Kosovës për dialogun me Serbinë.

Bashkimin e Evropian, nuk kanë dashur të përgjigjen në pyetjet se a presin që zhvillimet në Kosovë, të cilat tashmë kanë dërguar vendin në zgjedhje të parakohshme parlamentare, të ndikojnë në rrjedhën e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, të cilin është duke e lehtësuar Bashkimi Evropian.

Ata kanë përsëritur që BE-ja do të vazhdojë të jetë e angazhuar me bashkëbiseduesit në Kosovë dhe Serbi, në kuadër të dialogut dhe se ai dialog është i rëndësishëm për rrugën përkatëse evropiane. Gjithashtu, nga BE-ja kanë përsëritur thirrjet ndaj Kosovës që të respektojë dhe zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialog.

Mushkolaj: Qeveria në detyrë s’ka legjitimitet për ta vazhduar dialogun

Njohësit e zhvillimeve politike, megjithatë nuk presin që BE-ja t’i bëjë presion Kosovës gjatë kohës sa ajo është në proces zgjedhor dhe më pas në rikrijimin e përbërjes së institucioneve më të larta të saj.

Analisti Mushkolaj, thekson që në rast se Brukseli organizon takime të reja ndërmjet palëve të Kosovës dhe Serbisë, vetëm sa për ta mbajtur gjallë dialogun, kjo nuk do t’i kontribuonte qëllimit kryesor të dialogut, që është arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ndërmjet palëve.

“Kështu që çdo përpjekje, nga kushdo qoftë – në këtë rast edhe nga Brukseli, si ndërmjetësues – për të organizuar raunde të reja të dialogut, në situatën ekzistuese janë të kota dhe nuk duhet të ndodhin. Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe pas shpalljes së zgjedhjeve, kurdo që kjo të ndodhë nga ana e ushtrueses së detyrës së presidentit, qeveria nuk e ka më legjitimitetin e duhur për të vazhduar me dialogun”, theksoi Mushkolaj.

Por, analisti Muja vlerëson se Bashkimi Evropian nuk do të insistojë që dialogu në Bruksel të vazhdojë edhe gjatë kohës që Kosova është në proces zgjedhor.

“Bashkimi Evropian e di shumë mirë që dialogu në nivel të ekspertëve, ndonëse ka pasur përparime, ato prapë kanë ngecur te vullneti politik. Pa vullnet politik, unë nuk shoh asnjë formë se si mund të ketë dialog teknik”, u shpreh Muja.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian ka nisur më 2011. Ai u ndërpre për 20 muaj, nga fundi i vitit 2018 për shkak të taksës 100 për qind që Kosova vendosi ndaj produkteve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Dialogu për normalizimin e plotë të marrëdhënieve rinisi në korrik të 2020-ës, ku u mbajtën takimet e nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit të Kosovës, tashmë në detyrë, Avdullah Hoti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq. Një takim tjetër i këtij niveli u mbajt edhe në muajin shtator. Por, së fundmi, Hoti dhe Vuçiq, nuk kanë zhvilluar raunde të reja të bisedimeve. Nga BE-ja është thënë se takimet në nivel politik nuk janë mbajtur për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG