Ndërlidhjet

Zgjedhja e Qeverisë Hoti, jokushtetuese


Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti.

Të martën, më 22 dhjetor, ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani do të ftojë në takim partitë politike për të diskutuar për datën e mbajtjes së zgjedhjeve, konfirmoi këshilltari për media i Osmanit, Bekim Kupina.

Takimi i thirrur nga Osmani, e cila njëherësh është edhe kryetare e kuvendit, vjen pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shpallur të pavlefshëm votimin e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese vjen pasi vota e deputetit Etem Arifit u konsiderua e pavlefshme, pasi ndaj tij kishte një dënim të formës së prerë me mbi një vit burgim.

Sipas Kushtetueses, vendimi i Kuvendit të Kosovës i 3 qershorit për zgjedhjen e qeverisë "nuk është në pajtueshmëri me Kushtetutën sepse qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës", thuhet në vendim.

"Marrë parasysh se qeveria nuk është zgjedhur sipas Kushtetutës, atëherë presidenti i Republikës së Kosovës shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre", thuhet në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të datës 21 dhjetor.

Më vendimin e Gjykatës thuhet se asnjë person që është i dënuar për vepër penale me një vendim gjyqësor të formës së prerë në tre vjetët e fundit, "nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitojë mandat të vlefshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës".

Gjykata Kushtetuese thotë se Qeveria Hoti do të mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e një ekzekutivi të ri.

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti ende nuk ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Për këtë vendim nuk është deklaruar as lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.

Qeveria Hoti u votua më 3 qershor me 61 vota, pas rrëzimit të qeverisë paraprake të udhëhequr nga Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje. Mocioni i mosbesimit u ngrit nga partnerja e koalicionit, Lidhja Demokratike e Kosovës.

PDK mirëpret vendimin e Kushtetueses

Partia Demokratike e Kosovës, që është në opozitë, ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Sipas PDK-së, koalicioni qeverisës tash e disa muaj nuk e ka shumicën në kuvend, andaj ata thonë se disa herë kanë ftuar partitë parlamentare që ta votojnë shpërbërjen e organit legjislativ.

“Përfundimisht, edhe sonte u vërtetua se ‘koalicioni i shpresës’ që doli nga zgjedhjet e 6 tetorit ishte mashtrimi më i madh që iu bë qytetarëve të Republikës së Kosovës, pasojat e të cilit po i vuajmë të gjithë për më shumë së një vit”, thuhet në reagimin e PDK-së, parti e cila kërkon që zgjedhjet e reja të mbahen “sa më parë”.

Kryeziu: Osmani duhet ta shpërndajë parlamentin

Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu e vlerësoi si “profesional dhe shumë të detajuar” vendimin e Kushtetueses lidhur me votimin e Qeverisë Hoti.

Kryeziu tha për Radion Evropa e Lirë në bazë të autorizimeve kushtetuese, ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani do të duhet të thërrasë liderët e partive politike, për shpërndarjen e parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja.

Megjithatë, ish-gjyqtari Kryeziu ka vërejtje për pjesën e vendimit, ku thuhet se Qeveria Hoti mbetet në detyrë, duke e cilësuar këtë si “jologjike”. Megjithatë, ai thotë se “gjykatësit kanë zgjedhur të keqen më të vogël”.

“Ata kanë vepruar sipas rregullës Ultra vires. Do të thotë, ata nuk janë lëshuar edhe në detaje të tjera, si për shembull edhe vet votimi për kryetaren e parlamentit (v.j. Vjosa Osmani), pasi vendi do të mbetej pa asnjë udhëheqës, por janë marr vetëm me materien e parashtruar” tha Kryeziu.

Miftaraj: Vendimi i Kushtetueses ka një hile të madhe

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese “ka një hile të madhe”, pasi aty thuhet se të gjithë personat e dënuar, përfshirë edhe liderin e LVV-së, Albin Kurtin, nuk mund të kandidojnë në zgjedhje.

“Sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Albin Kurti, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj-Bujupi, Faton Topalli e shumë tjerë të dënuar për vepra penale edhe me kusht nuk do të mund të kandidojnë në zgjedhjet që do mbahen në janar apo shkurt të vitit të ardhshëm”, ka shkruar Miftaraj në Facebook.

Më 2018, Kurti, Kadaj-Bujupi, Topalli dhe Haxhiu, që atëbotë ishin deputetë, u dënuan me burgim, për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës në ambientet e Kuvendit të Kosovës. Megjithatë, dënimi i tyre u tha se është me kusht, nëse të njëjtit bëjnë vepra penale brenda dy vjetësh.

Si u dërgua lënda në Kushtetuese?

Kërkesa në Kushtetuese u dërgua nga partia opozitare, Lëvizja Vetëvendosje e cila ka kërkuar që të shpallet i pavlefshëm votimi i qeverisë së udhëhequr nga Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Më 3 qershor, për zgjedhjen e qeverisë kishte votuar edhe deputeti Etem Arifi, i cili kishte një aktgjykim të formës së prerë nga Gjykata e Apelit, vendim i cili daton më 20 gusht, 2020, ku Arifi ishte dënuar me 1 vit e 3 muaj burgim për mashtrim me subvencione.

Gjatë një seance dëgjimore, të mbajtur më 2 dhjetor nga Gjykata Kushtetuese për këtë rast, përfaqësuesi ligjor i Lëvizjes Vetëvendosje, Blerim Sallahu pati deklaruar se Arifi kishte gënjyer dhe ka mbajtur të fshehur faktin se ka aktgjykim të formës së prerë ndaj tij.

“Prandaj, ne konsiderojmë se procedura në kuvend më 3 qershor është ezauruar dhe se tani duhet të shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme”, pati deklaruar Sallahu.

Gjatë kësaj seance dëgjimore, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka deklaroi se institucioni që ajo udhëheq, nuk ka qenë në dijeni të vendimit të Gjykatës së Apelit lidhur me Etem Arifin. Ajo tregoi se në Ligjin për zgjedhjet, specifikohet se asnjë person, që ka dënim të plotfuqishëm në tre vjetët e fundit, nuk mund të kandidojë për zgjedhje të përgjithshme.

Dënimi i Arifit

Etem Arifi nga Partia e Ashkalinjëve për Integrim që nga 29 shtatori është në vuajtje të dënimit për mashtrim me subvencione.

Sipas vendimit të gjykatës, Etem Arifi, së bashku me Bajram Gashin, drejtor i OJQ-së “Zëri i Ashkalinjve”, ishin përgjegjës për përvetësimin e rreth 26 mijë eurove.

Në gusht të këtij viti, Gjykata Themelore lëshoi urdhërarrest, por Arifi arriti që t’i shmangej arrestimit. Ai iu drejtua edhe Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar mendim për ligjshmërinë e dënimit ndaj tij, por më 23 shtator, Kushtetuesja njoftoi se nuk e ka marrë në shqyrtim kërkesën e Arifit, pasi e konsideroi si të papranueshme.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, neni 70, mandati i deputetit mbaron ose bëhet i pavlefshëm, ndër të tjera, nëse një deputet dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepër penale me një ose më shumë vjet burgim.

Etem Arifi, pavarësisht se ishte i dënuar me vendim të formës së prerë, ai mori pjesë në seancën e 25 marsit, ku u rrëzua qeveria e udhëhequr nga Albin Kurti i Lëvizjes Vetëvendosje. Po ashtu, ai ishte njëri nga 61 deputetët që më 3 qershor votoi për Qeverinë e re të Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri, Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Që nga 5 nëntori, kur Hashim Thaçi dha dorëheqje nga posti i presidentit, pas konfirmimit të aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit nga Dhomat e Specializuara, Kosova është me ushtrues detyre të presidentit. Këtë post, ashtu siç e përcakton edhe Kushtetuta, po e ushtron Vjosa Osmani, kryetarja e Kuvendit të Kosovës. Ajo në këtë post, po sipas Kushtetutës, mund ta ushtrojë deri në gjashtë muaj.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG