Ndërlidhjet

Përveç LVV-së, partive të tjera “nuk iu konvenojnë zgjedhjet”


Kuvendi i Kosovës, foto nga arkivi.
Kuvendi i Kosovës, foto nga arkivi.

Për çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës, partitë politike parlamentare, në veçanti ato të koalicionit qeverisës, duhet të gjejnë një zgjidhje me marrëveshje politike ose në të kundërtën vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, thonë njohësit e zhvillimeve politike, Donika Emini dhe Artan Muhaxhiri.

Sipas tyre, marrë parasysh zhvillimet e muajve të fundit në spektrin politik dhe institucional të Kosovës, shumica e partive politike parlamentare, përveç Lëvizjes Vetëvendosje, do të tentojnë të gjejnë një zgjidhje politike, në mënyrë që t’i shmangin zgjedhjet e parakohshme.

Më 5 nëntor, Hashim Thaçi dha dorëheqje nga posti i presidentit të Kosovës, pasi Dhomat e Specializuara në Hagë, konfirmuan aktakuzën ndaj tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Po të njëjtën ditë, bazuar në kompetencat që ia jep Kushtetuta, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani mori postin e ushtrueses së detyrës së presidentit. Sipas Kushtetutës, Osmani, mund të qëndrojë në këtë post për gjashtë muaj, deri kur duhet të zgjidhet një president i ri.

Deri më tash, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), që është pjesë e koalicionit qeverisës, ka propozuar që për president të ardhshëm të vendit të jetë lideri i saj, Ramush Haradinaj.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka theksuar se në rast se partitë tjera parlamentare i kërkojnë votat e saj për zgjedhjen e presidentit, atëherë PDK-ja do t’u ofroj atyre të propozuarin e vet.

Rreth dy javë më parë, Ia Mustafa, lider i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), e cila udhëheqë koalicionin qeverisës të vendit, ka deklaruar se në fillim të dhjetorit apo në ditët në vijim pritet të organizojë një takim me subjektet tjera politike për të diskutuar çështjen e presidentit. Ai ka theksuar se “është më mirë që çështja të zgjidhet tani” se sa të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

Pretendimet për pozitën e presidentit

Donika Emini, drejtoreshë ekzekutive e Platformës CiviKOs, thotë për Radion Evropa e Lirë se çështja e zgjedhjes së presidentit në Kosovë, gjithmonë ka qenë mjaft e ndjeshme dhe është paraprirë ose pasuar me kriza politike.

Sipas saj, aktualisht, çështja e zgjedhjes së presidentit të ri të vendit duket të jetë edhe më komplekse pë shkak të brishtësisë së qeverisë aktuale dhe rivalitetit të tri partive politike, LDK-së, AAK-së dhe PDK-së.

Por, siç thotë Emini, tashmë janë dhënë sinjale që japin për të kuptuar mundësinë që LDK-ja ka hequr dorë nga pretendimi për pozitën e presidentit, për shkak se aktualisht mbanë pozitën e kryeministrit dhe i nevojitet një mbeshtetje nga një parti më e madhe, në këtë rast PDK-ja, për ta mbajtur qeverinë gjallë.

Por, sipas saj, deri më tash PDK-ja nuk ka ofruar asnjë emër për pozitën e presidentit.

“Duket qartë që edhe brenda partisë (PDK-së) nuk ka kohezion, nuk ka kompromis, në raport me kandidatin e PDK-së për president. Por, fakti që u votua Ligji për rimëkëmbjen ekonomike dhe pati përafrim me LDK-në, jep indikacione që ata mund ta mbështesin, por normalisht vetëm në rast se presidencën e merr PDK-ja. Në anën tjetër është Haradinaj, që është vetshpallur kandidat (për president). Është e drejtë e tij, si parti politike, mirëpo kjo vetëm sa i shkakton probleme të brendshme, por që mendoj se ky problem mund të zgjidhet, për shkak se as AAK-së dhe asnjë prej këtyre partive, të cilat për momentin janë grupuar kundër Lëvizjes Vetëvendosje, nuk u konvenojnë zgjedhjet e reja”, tha Emini.

Analisti Artan Muhaxhiri, duke folur për Radion Evropa e Lirë, konsideron që çështja e zgjedhjes së presidentit do të jetë pjesë e një pakoje të madhe të marrëveshjeve politike, në një kontekst të koalicioneve potenciale, sepse fuqitë e partive politike, aktualisht, janë në nivelin që asnjëra nuk mund të pretendojë dominimin.

Sipas tij, do të duhet të ketë marrëveshje dhe kompromise nga palët, në mënyrë që të arrihet deri te një zgjidhje. Siç thotë Muhaxhiri, deri më tash, LDK-ja është treguar konstruktive, duke u bërë thirrje partive politike që të diskutojnë për çështjen e zgjedhjes së presidentit.

“Pretendimet e Ramush Haradinajt për të fituar postin e presidentit, duken jorealiste, sepse nuk kanë një bazë të fuqishme në spektrin politik dhe posaçërisht përbrenda Kuvendit të Kosovës. Ndërsa sa i përket PDK-së, ajo është ende e destabilizuar për shkak të dërgimit të (ish-liderit të saj, Kadri) Veselit në Hagë. Kështu që nuk mendoj që ata kanë një lloj uniteti të atij niveli, që aktualisht të vendosin për emrin e pretendentit për postin e presidentit”, theksoi Muhaxhiri.

Domosdoja për një marrëveshje, para propozimit të emrave

Zyrtarët e Partisë Demokratike të Kosovës, tashmë kanë paralajmëruar se deputetët e kësaj partie nuk do ta votojnë asnjë kandidat për president nga radhët e partive të koalicionit qeverisës.

Avni Bytyqi, zëdhënës i PDK-së, thotë për Radion Evropa e Lirë se partia e tij e sheh çështjen e zgjedhjes së presidentit si një proces të tërësishëm.

“E kemi bërë të qartë disa herë që është e pakuptimtë që si parti opozitare të votojmë për një kandidat që vjen nga koalicioni qeverisës. Nëse partitë që janë shumicë parlamentare kërkojnë votën tonë, atëherë propozimi duhet të dalë nga PDK-ja. PDK-ja ka shumë emra, të cilët do të ishin kandidatë të duhur për të qenë president ose presidente e vendit. Megjithatë, për shkak se nuk ka ndonjë marrëveshje me partitë tjera parlamentare, ne nuk kemi arritur në fazën ku i nominojmë ose i propozojmë emrat e caktuar nga organet e partisë”, theksoi Bytyqi.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, më 3 dhjetor, gjatë një takimi me gazetarë, ka shprehur besimin që së shpejti do të organizohet tryeza e partive politike, për të parë disponimin e tyre për të diskutuar për gjetjen e një zgjidhjeje për presidentin e vendit.

“Tash, secila prej partive politike ka qëndrim të caktuara. Nuk jemi ulur në tryzë të partive politike parlamentare për të parë së pari se a ka vullnet që të zgjedhet një president dhe nëse ka vullnet, cilat janë propozimet e partive politike. E dimë propozimin e AAK-së. Tash duhet edhe të PDK-së. Besoj që në ditët e ardhshme organizohet kjo tryezë dhe të shohim se si mund të shkojmë tutje”, ka thënë Hoti.

Ai ka shtuar se vetëm në tryezë mund të gjenden zgjidhjet lidhur me çështjen e presidentit apo shkuarjes në zgjedhje.

Dilemat e partive politike

Por, cila nga këto të dyja, zgjedha e presidentit apo zgjedhjet e parakohshme parlamentare, kanë gjasa më reale që të zgjedhet nga partitë parlamentare?

Analistja Donika Emini shpreh mendimin që për një demokraci më të shëndosh, në këtë rast, zgjedhjet dhe legjitimimi i sërishëm do të ishin zgjidhja më e mirë.

“Kjo është për shkak se po flasim për zgjedhjen e presidentit, për proceset e tjera të brendshme dhe të jashtme nëpër të cilat po kalon Kosova, si dhe zgjerimi i koalicionit për të dytën herë, do të thotë, ndryshimi i qeverisë pa zgjedhje, vetëm sa është goditje e rëndë për demokracinë. Mirëpo, duke i marrë parasysh rrethanat në Kosovë, fatkeqësisht, më shumë gjasa ka që të ketë përafrim nga këto parti politike, që të bëhen bashkë për t’i evituar zgjedhjet, sepse ato nuk u konvenojnë asnjërës prej tyre”, theksoi Emini.

Edhe analisti Artan Muhaxhiri vlerëson që shumicës së partive politike parlamentare, nuk iu konvenojë zgjedhjet e parakohshme për shkak se gjenden në një situatë tejet të komplikuar dhe nuk kanë anjë garanci se mund të kenë sukses në zgjedhje.

“Kështu që, unë mendoj se ato do të bëjnë ç’mos që të kërkojnë një zgjidhje jashtë procesit zgjedhor. Mirëpo, nëse kokëfortësitë politike dhe interesat e ngushta dominojnë, atëherë me siguri që do të duhej të shkojmë në zgjedhje dhe të qartësohen pushtetet politike të secilës parti, si dhe më pas të fillohet një proces i ri. Mirëpo, një qasje e tillë ka shumë pikëpyetje, sepse çdo gjë do të varet prej rezultatit zgjedhor, për të cilin nuk mund të garantojë asnjë parti. Posaçërisht PDK-ja dhe LDK-ja kanë shumë dilema dhe pikëpyetje”, theksoi Muhaxhiri.

Sipas Kushtetutës zgjedhja e presidentit bëhet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të kuvendit. Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjedhet president i Republikës së Kosovës.

Nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet president i Republikës së Kosovës, shpërndahet kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG