Deputetët e Kuvendit të Kosovës të pushtetit dhe opozitës, duke u nisur nga këndvështrime të ndryshme, kanë deklaruar se gjendja në Kuvendin e Kosovës ka degraduar.
Gjatë seancës të së premtes, më 18 dhjetor, në Kuvendin e Kosovës, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, duke goditur tavolinat e tyre dhe duke brohoritur fjalën “Jashtë”, i kanë bërë thirrje zëvendëskryeministrit Driton Selmanaj që të largohet nga salla ku po mbahej seanca, që në momentin që ai kishte hyrë në sallë.
Lëvizja Vetëvendosje e kundërshton praninë e zëvendëskryeministritSelmanaj në punën e Kuvendit, për shkak se ai më herët pati deklaruar që “çështja e të pagjeturve është e ezauruar”. Lëvizja Vetëvendosje kërkon dorëheqjen e Selmanajt.
Kryesuesja e seancës, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e partisë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka vendosur që të bëjë pauzë të seancës, për shkak pamundësisë për të krijuar kushte për mbajtjen e seancës.
Gashi: Kuvendi është kapur peng
Megjithatë edhe pas kthimit në seancë, pas pauzës, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë përsëritur në formë të ngjashme protestën e tyre. Kjo e ka detyruar kryesuesen e Kuvendit, Nagavci, që sërish të vendosë një pauzë tjetër.
Ngjashëm ndodhi edhe herën e tretë dhe kryesuesja Nagavci e ndërpreu seancën tërësisht.
Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, gjatë pauzës së seancës së Kuvendit, u ka thënë medieve që Kuvendi i Kosovës po kapet peng nga nënkryetarja e Kuvendit dhe nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Sjellja e dhunshme dhe pamundësimi i mbajtjes së seancës, duke përdorur mekanizma jodemokratik dhe jokushtetues, është e papranueshme. Pra, ne deklarojmë sot që Kuvendi i Republikës po kapet peng nga drejtuesja e Kuvendit dhe nga anëtarët e kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje. Drejtuesja e Kuvendit është e detyruar që të garantojë kushte për mbarëvajtjen e seancës në Kuvendin e Republikës. Ajo që ne kemi parë sot, është një sjellje arbitrare, me potencial dhune, e dënueshme dhe jodemokratike”, ka thënë deputeti Gashi.
Tahiri: Fajtorë janë LDK-ja dhe Vetëvendosje
Lidhur me zhvillimet e së premtes në Kuvend, ka reaguar edhe deputeti i subjektit të dytë opozitar, Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri. Në një takim me gazetarë, ai ka theksuar që viti 2020 ka qenë viti më i rëndë dhe më degradues për shoqërinë dhe shtetin e Kosovës. Ai për një gjë të tillë i ka fajësuar, siç i ka quajtur, keqqeverisjen aktuale nga Lidhja Demokratike e Kosovës, si dhe keqqeverisjen e mëparshme nga Lëvizja Vetëvendosje.
Tahiri theksoi që, si shkak i keqqeverisjes, tashmë ekziston edhe një degradim i skajshëm në Kuvendin e Kosovës, në të cilin shumica parlamentare e udhëhequr nga LDK-ja, “nuk e arrin asnjëherë të ketë më shumë se 35 deputetë” për të vendosur për çështjet e rëndësishme.
Siç ka theksuar ai, zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë opsioni i vetëm për ta ndalur degradimin e gjendjes që ka ndodhur dhe po i ndodhë në Kosovë.
“Edhe ne, si opozitë, nuk po arrijmë që t’i kemi numrat që ta çojmë vendin në zgjedhje. Por, është momenti i duhur, është koha që ky Kuvend të shpërbëhet dhe vendi të shkojë në zgjedhje. PDK-ja do të bëjë të gjitha përpjekjet e duhura që ta ndalë këtë degradim dhe ta ndalë vjedhjen e qytetarëve dhe taksapaguesve të Republikës së Kosovës. Ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet e duhura që në të ardhmen e afërt të shpërbëhet ky Kuvend dhe besimi t’iu kthehet qytetarëve”, ka thënë Tahiri.
Në pyetjen e gazetarëve se pse PDK-ja nuk i bashkëngjitet Lëvizjes Vetëvendosje në kërkesën për mocion mosbesimi ndaj qeverisë aktuale, Tahiri ka theksuar që aktualisht votat e të dy partive opozitare nuk janë të mjaftueshme për ta rrëzuar qeverinë.
“Nuk janë të mjaftueshme, sepse ne atë do ta kishim bërë që tani. Nuk janë të mjaftueshme vetëm me Lëvizjen Vetëvendosje dhe jemi duke biseduar edhe me të tjerët që ta ndalim këtë degradim. Pra, vetëm zgjedhjet janë opsioni i vetëm”, ka theksuar Tahiri.
Nagavci: Nisma për mocion mosbesimi të qeverisë që nga 6 gushti
Në anën tjetër, Arbërie Nagavci, nënkryetare e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë për Radion Evropa e Lirë që kjo parti ka ndërmarrë nismën për një mocion mosbesimi ndaj qeverisë, që nga gushti i këtij viti. Për të nisur formalisht mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë nevojiten 40 nënshkrime të deputetëve të Kuvendit. Sipas Nagavcit, më 6 gusht, Lëvizja Vetëvendosje ua ka dërguar zyrtarisht këtë nismë, me 31 nënshkrime të deputetëve të saj, Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Nismës Socialdemokrate dhe Aleancës Kosova e Re, të cilat i ka ftuar që të japin argumentet shtesë dhe të mbështesin mocionin e nisur nga Vetëvendosje.
Megjithatë, sipas saj, pavarësisht deklaratave të shpeshta nga zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës që të ketë një ftesë ndaj tyre nga Lëvizja Vetëvendosje, për të nisur një mocion mosbesimi ndaj qeverisë aktuale, ajo ka thënë se ftesa tashmë ekziston, ajo e 6 gushtit.
“Këta (PDK-ja) po duan që ne t’i thërrasim që të takohemi, të ulemi dhe të flasim me ta. Siç kanë lënë të kuptohet, që bisedimet duhet të bëhen edhe pas dhe nuk mjafton vetëm që të rrëzohet qeveria. Do të thotë, që të merremi vesh se çfarë do të bëjmë pas (rrëzimit të qeverisë), se si do ta ndajmë pushtetin pastaj ose a do të shkojmë me listë apo si do të shkojmë. Do të thotë, që të kemi një bashkëpunim parazgjedhor ose pas zgjedhjeve”, ka theksuar Nagavci.
Ajo ka shtuar se qasje të tillë e Partisë Demokratike të Kosovës nuk është e pranueshme për Lëvizjen Vetëvendosje.
“Ne mendojmë që duhet të vazhdojmë në rrugë institucionale. Argumentet qëndrojnë. E votojmë mocionin e mosbesimit, shkojmë në zgjedhje dhe pas zgjedhjeve, pasi që qytetarët deklarohen përmes votës se kënd e shohin në qeverisje, pastaj normalisht që mund të bëhen diskutimet tjera. Por, ne nuk mundemi tash, paraprakisht, që të diskutojmë për çështje që kanë të bëjnë më shumë për pazare krejtësisht partiake të grupeve të ngushta sesa për legjitimitetin që jep demokracia me anë të votës”, është shprehur Nagavci.
Në seancën e së premtes të Kuvendit të Kosovës, zëvendëskryeministri Driton Selmanaj kishte shkuar që t’u propozojë deputetëve Planin kombëtar të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Se partitë në pushtet kanë probleme me numrat e pamjaftueshme të votave në Kuvend, ishte parë edhe në rastin e tentimit për të miratuar një varg ligjesh. Për më shumë, Ligji për rimëkëmbjen ekonomike, ishte miratuar vetëm në tentimin e shtatë, pasi që kishte siguruar edhe mbështetjen e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës.