Ndërlidhjet

Havolli: Më shumë se 65 zyrtarë të lartë nën hetime për korrupsion


Shaip Havolli
Shaip Havolli

Më shumë se 65 zyrtarë e ish-zyrtarë të lartë të institucioneve të Kosovës, janë të dyshuar dhe po hetohen për korrupsion. Kështu thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli.

Ai thekson se në mesin e tyre janë zëvendëskryeministra, ministra e zëvendësministra, kryetarë komunash, anëtarë këshillash drejtues, anëtarë bordesh, e të tjerë. Sipas tij, mungesa e një vullneti politik po ndikon në mosluftimin të korrupsionit siç duhet. Havolli thotë se agjencia has në raste të ndryshme korruptive, nga ato më të lehta - të punësimit, e deri në nivelet më të larta - të shpërdorimit të detyrës zyrtare.

Këtë javë, më 9 dhjetor, shënohet Dita Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit. Edhe në Raportin e Progresit të Komisionit Evropian për shtetet e Ballkanit Perëndimor të publikuar në tetor të vitit 2020, thuhet se korrupsioni në Kosovë është i përhapur dhe vazhdon të jetë një shqetësim serioz.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Havolli, në raportin e fundit të Komisionit Evropian, thuhet se Kosova ka bërë një 'progres të kufizuar' në luftën kundër korrupsionit. Ku mendoni se janë pengesat më të mëdha në këtë rrafsh?

Shaip Havolli: Thënë të drejtën, në të gjitha raporte e tilla që kanë ardhur, sa i përket çështjes së luftimit të korrupsionit, është e theksuar kjo çështje, e edhe në Raportin e Progresit. Ka ngecja në të gjitha segmentet sa i përket luftimit të korrupsionit.

Më 2020 pak progres në luftën kundër korrupsionit

Këtë vit kalendarik e ka vështirësuar ende gjendja e pandemisë. Do të thotë, shumica e mekanizmave anti-korrupsion, janë fokusuar në çështje të pandemisë dhe më pak ka pasur progres në luftimin dhe parandalimin e korrupsionit. Ne, si Agjenci Kundër Korrupsionit, pavarësisht problemeve që na janë paraqitur sa i përket punës këtu në agjenci, jemi munduar që edhe në kuadër të këtyre masave kufizuese dhe me staf të kufizuar, që të trajtojmë një numër të madh të rasteve, të cilat kanë ardhur në agjenci.

Gjatë këtij viti kemi trajtuar një numër të madhe të rasteve. Deri më tani, kemi dërguar 65 raste me kallëzim penal për zyrtarë të lartë në prokuroritë përkatëse.

Ky numër nuk është i saktë, sepse këto janë statistika vetëm të përafërta meqë është numër më i madh kallëzimeve penale. Po ashtu në Policinë e Kosovës dhe institucionet tjera kemi dërguar diku edhe 20 shkresa, që e tejkalojnë mandatin e agjencisë për hetime të mëtutjeshme.

Nëse flasim për nivelin, pozitat apo rastet që i kemi dërguar në prokuroritë përkatëse, diku 25 raste i takojnë nivelit qendror. Dyzet raste i takojnë nivelit lokal, 18 raste u takojnë niveleve të ndryshme, agjencive të ndryshme dhe dy raste janë në nivelin gjyqësor.

Do të thotë, është një numër i madh që hyn në kategorinë e zyrtarëve të lartë, për të cilët është ushtruar kallëzim penal për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe çështje të tjera të deklarimit të pasurisë për zyrtarë të lartë.

Radio Evropa e Lirë: A mund të na shpjegoni më shumë për këto raste që janë të dyshuar për korrupsion?

Shaip Havolli: Përafërsisht po u tregojmë, niveli, pozita e këtyre zyrtarëve ndaj të cilëve është ushtruar kallëzim penal, kanë të bëjnë me zëvendëskryeministër në Qeverinë e Kosovës, ministra, zëvendësministra. Në këto kallëzime penale ka kryetarë komunash, ka kryetarë ose anëtarë të këshillave drejtues, anëtarë të bordeve qendrore dhe lokale, kompani publike.

Pastaj kemi raste në agjencitë ekzekutive, kemi shefa kabinetesh në nivel lokal dhe në nivel qendror, drejtorë të departamenteve, këshilltarë në asamble komunale, zyrtarë të lartë në nivel qendror dhe lokal dhe kemi edhe sekretarë permanentë në kuadër të disa ministrive.

Thashë se është një numër i madh i zyrtarëve të lartë, për të cilët agjencia ka ushtruar kallëzim penal për çështje të ndryshme të natyrave të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe çështjeve të tjera që lidhen me veprat penale kundër detyrës zyrtare, po ashtu edhe me vepra penale që lidhen me konflikt interesi dhe me vepra penale që lidhen me deklarim, mosdeklarim dhe deklarim i rrejshëm i pasurisë.

Reagimet rreth vendimit të SHBA-së për vizat në Kosovë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:55 0:00

Radio Evropa e Lirë: Nga këto raste, a bëhet fjalë për ndonjë zyrtar të nivelit të lartë në qeverinë aktuale?

Shaip Havolli: Ka të bëjë edhe me ish-qeverinë [2017 -2019] dhe po ashtu ka të bëjë edhe me pozita të ndryshme që janë aktuale, institucionet në nivel qendror dhe lokal.

Radio Evropa e Lirë: Cila është sfida kryesore në luftën kundër korrupsionit në Kosovë?

Shaip Havolli: Problemi më i madh qëndron tek aktgjykimet dënuese, sepse institucionet e tjera të zbatimit të ligjit ekzekutiv, si Policia dhe Prokuroria, kanë një numër të madhe të rasteve që janë dërguar në prokurori përkatëse dhe këtu është ai fërkimi mes Prokurorisë dhe gjykatave. Akuza të ndërsjella - Prokuroria thotë se unë kam ngritur aktakuza të mjaftueshme që ka elemente të veprës penale, ndërsa gjykatat thonë se nuk ka elemente të mjaftueshme, prokurorët na sjellin aktgjykime jo të mira dhe jo mirë të dëshmuara me prova të mira materiale. Dhe, këtu çalon ai raporti Prokurori - Gjykatë dhe në një farë forme njëra-tjetrës i hedhin fajin për mosefikasitet.

Unë, mendoj se në tërësi nuk ka edhe një vullnet të mjaftueshëm edhe politik, sepse për ta luftuar korrupsionin, përveç mekanizmave që janë të thirrur për luftimin e korrupsionit, patjetër duhet të ketë edhe vullnet politik që këto procese t'i çojmë përpara.

Radio Evropa e Lirë: Cilat janë sfidat kryesore, me të cilat agjencia përballet në luftën kundër korrupsionit?

Shaip Havolli: Agjencia Kundër Korrupsionit është në fazën e riorganizimit të përgjithshëm me qëllim që të definohet qartë misioni i agjencisë, misioni i Prokurorisë dhe Policisë, sepse gjatë trajtimit të rasteve janë paraqitur sfida të ndryshme, sepse agjencia në disa situata, nuk ka mekanizma të mjaftueshëm t'i trajtojë disa raste që lidhen me korrupsion dhe pikërisht këtu kam paraqitur sfidat e ndryshme në zbatimin e ligjit të agjencisë në koordinimin institucional.

Për këtë arsye, ka filluar edhe hartimi i ligjit të ri mbi agjencinë që është në konsultim publik dhe tash e tutje këtu do të definohet qartë misioni i agjencisë.

Radio Evropa e Lirë: Në çfarë raste të korrupsionit has agjencia gjatë punës së vet?

Shaip Havolli: Ka forma të ndryshme, të cilat i hasim, duke filluar nga ato raste më të lehta të punësimit, deri në nivelet më të larta të shpërdorimit të detyrës zyrtare.

Ka forma të ndryshme, mirëpo ka edhe raste kur edhe na vijnë në agjenci, por që i kalojnë autorizimet. Ne, nuk kemi kompetencë të mjaftueshme për t'u marrë me një rast të caktuar. Ne, këto raste i adresojmë, nëse është diçka në progres i drejtojmë në polici për veprime më të shpejta, nëse rastet janë që kanë kohë, atëherë i drejtojmë në prokuroritë përkatëse dhe prokuroritë e vendosin se në cilat institucione t'i dërgojnë. Kryesisht, ato i dërgojmë në polici. Pra, ka raste të natyrave të ndryshme.

Më shumë se 95 zyrtarë nuk e deklaruan pasurinë

Radio Evropa e Lirë: Sa nga zyrtarët e lartë publikë nuk e kanë deklaruar pasurinë?

Shaip Havolli: Kanë qenë të obliguar ta deklarojnë pasurinë 4,721 zyrtarë, ndërkaq e kanë deklaruar pasurinë 4,625, kurse 96 zyrtarë nuk e kanë deklaruar pasurinë.

Nga këta 96 zyrtarë, 51 raste i kemi dërguar në Departament të hetimeve për fillimin e proceduarës hetimore.

Nga këta 96, diku 45 kanë ofruar arsyetime me vonesë, sepse ne prapë iu kemi kërkuar arsyetime në lidhje me atë se pse kanë dështuar në deklarimin e pasurisë.

Për momentin, këto raste janë duke u trajtuar në Departamentin e hetimeve dhe në mesin e tyre, ka raste për të cilat është shtruar kallëzim penal për mosdeklarim të pasurisë dhe po ashtu janë në procedurë edhe deklarimet pas afatit.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Havolli, a ka raste kur zyrtarë të lartë nuk e zbatojnë Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit, duke u krijuar favore kompanive që janë pronarë dhe menaxhohen nga anëtarët e familjes?

Shaip Havolli: Ka raste kur zyrtarët e lartë, pasi ta marrin funksionin, nuk i ndërmarrin veprimet ligjore për bartjen e aksioneve ose për bartjen e menaxhimit te personat e besuar ose të familjes.

Dhe, ne kemi pasur raste të tilla në agjenci dhe i kemi trajtuar. Deri më tani për vitin 2020 i kemi 147 raste për situatë me konflikt të interesit. Gjashtëdhjetegjashtë raste i janë shmangur konfliktit interesit, 13 raste kanë rezultuar të mos jenë me konflikt të interesit.

Në 30 raste kemi dhënë këshilla dhe rekomandime për zyrtarët e lartë që kanë qenë potencial të mundshëm për konflikt interesi. Ndërsa, nëntë raste i kemi pasur me opinione për situata të veçanta. Situata të veçanta i quajmë ato kur janë raste të komplikuara të konfliktit të interesit. Në një rast kemi kërkuar të merren masa disiplinore ndaj zyrtarit të lartë për moslargim ose mosdeklarim të konfliktit të interesit gjatë një vendimmarrje.

Dhe, një rast është përcjellë te Departamenti i hetimeve që dyshohet për veprën penale konflikt interesi. Ndërkaq, 27 raste janë në procedurë.

Radio Evropa e Lirë: Kohë më parë agjencia ka bërë të ditur se është duke trajtuar edhe rastin në Universitetin e Prishtinës, për keqpërdorime në të hyrat e stafit akademik. Deri ku ka arritur agjencia ta trajtojë këtë rast?

Shaip Havolli: Agjencia është duke u marrë me këtë çështje për të hyrat lidhur me stafin akademik, jemi në fazën e hetimeve.

Radio Evropa e Lirë: Ku janë saktësisht këto keqpërdorime?

Shaip Havolli: Aty është dyshuar se përmes disa vendimeve të senatit ose të këshillit, që vazhdimisht janë dhënë edhe mjete shtesë gjatë ushtrimit të tyre të funksionit nëpër komisione të ndryshme dhe jemi duke i shikuar këto vendime a kanë pasur bazë ligjore në lidhje me ato shpenzime që janë bërë në Universitetin e Prishtinës.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG