Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë duke votuar amendamentet e projektligjit për rimëkëmbje ekonomike COVID-19.
Ky projektligj, i cili shndërrohet në ligj pas dekretimit të presidentit të Kosovës, do të mbetet në fuqi deri më 31 dhjetor, 2021, përjashtimisht disa dispozitave që do të jenë të vlefshme deri në vitin 2028.
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në seancën e Kuvendit të Kosovës tha se Ligji për rimëkëmbje ekonomike krijon një momentum të ri në Kosovë.
“Jemi plotësisht të përgatitur që të fillojmë zbatimin e këtij ligji menjëherë pasi që janë bërë përgatitjet nëpër ministri përkatëse, në Trustin e Kursimeve Pensionale, në mënyrë që para vitit të ri pjesa më e madhe e këtyre fondeve të futet në ekonomi dhe buxhetin e familjes, me shpresë që në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm ta shpërndajmë këtë pjesë dhe të kthehemi në normalitet në mesin e vitit të ardhshëm”, tha Hoti.
Projektligji për rimëkëmbje ekonomike nuk është përkrahur nga partia opozitare Lëvizja Vetëvendosje. Deputetët e kësaj partie kanë kritikuar projektligjin për rimëkëmbje ekonomike, pasi që sipas tyre, nuk do të sjellë rimëkëmbje ekonomike në vend.
“Nëse duam të shohim se çfarë rimëkëmbje ekonomike do të ketë, mjafton t’i lëshohet një sy ndërmarrjeve publike, shikoni në çfarë gjendje i kanë sjell dhe pastaj mendoni se a me të vërtetë e do ta rimëkëmbin ekonominë. Këto ndërmarrje duke filluar nga Telekomi e Trepça, po përfundojnë me llogari bankare të bllokuara se nuk kanë para as pagat t'i paguajnë ”, tha Hekuran Murati, deputet i Lëvizjes Vetëvendosjes.
Përfitojnë bizneset dhe qytetarët
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, fillimisht ka shprehur keqardhje për vonesën nga qeveria që nuk ka arritur të adresojë këtë çështje jetike për qytetarët e Kosovës dhe ekonominë e vendit.
“Ligji që sot e kemi nuk është ligj për votuesit e një subjekti apo tjetrit politik- është ligj për të gjithë qytetarët dhe bizneset e Kosovës. Nga ky ligj përfitojnë bizneset, numri i të cilave mund të jetë mbi 50 mijë biznese, si rezultat i granteve, e nga kjo përfitojnë dhjetëra të punësuar në sektorin provat që i kanë humbur vendet e punës për shkak të pandemisë”, tha Hamza.
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, tha se me këtë projektligj rreth 600 milionë euro do të kalojnë te qytetarët e Kosovës.
“I kemi dhënë përkrahje këtij projektligji. Është e vërtetë se kemi pasur pengesa nga Lista Serbe, por LDK, PDK, Nisma po e dëshmojnë që kur është në interes për qytetarët, të kalojë një ligj që është i rëndësishëm”, tha Haradinaj.
Kjo seancë është mundësuar vetëm pas miratimit të projektligjit në Komisionin për Buxhet dhe Transfere, ku ishin futur edhe rekomandimet e dhëna nga partia opozitare, PDK.
Projektligji për rimëkëmbje ekonomike, që nga miratimi i tij në korrik nga Qeveria e Kosovës, kishte hasur në mospajtime ndërmjet partive në pushtet dhe atyre në opozitë.
Ky projektligj kishte arritur të miratohet në lexim të parë pas gjashtë dështimeve.
PDK-ja në vazhdimësi kishte refuzuar të miratojë projektligjin në lexim të dytë, pa i futur edhe rekomandimet e tyre.
Grant deri në 200 milionë euro për bizneset
Kjo parti ka propozuar të themelohet një fond i veçantë, i cili sipas tyre, do të shërbejë për t’i paguar të gjithë të punësuarit në sektorin privat, që kanë humbur vendet e tyre të punës si pasojë e pandemisë së koronavirusit.
“Të gjithë punëtorët e sektorit privat të regjistruar si të papunë, e që kanë qenë në marrëdhënie pune deri në shtator 2020, por që nga muaji tetor 2020 janë liruar nga punëdhënësi si pasojë e ndikimit të COVID -19, të paguhen nga ana e Qeverisë së paku tre deri në katër muaj përkatës me nga 300 euro në muaj”, thuhet në një nga propozimet e PDK-së.
PDK-ja ka propozuar, po ashtu, që të themelohet granti në shumë prej 200 milionë eurosh, për ndihmë direkte financiare bizneseve, të cilat kanë vështirësi funksionimi si rezultat i ndikimit të COVID-19.
Kompensim vetëm për kontributpaguesit që kanë deri në 10 mijë euro kursime pensionale
Qëllimi i projektligjit për rimëkëmbje ekonomike është plotësimi dhe ndryshimi i disa ligjeve, me qëllim të rimëkëmbjes së ekonomisë pas efekteve negative të shkaktuara nga pandemia COVID-19.
Ky projektligj ka paraparë që kontributpaguesit të mund t’i tërheqin 10 për qind të kursimeve pensionale në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës.
Në këtë amendament të projekligjit, PDK-ja ka kërkuar disa ndryshime.
Sipas propozimit të PDK-së, deri në shumën 10 mijë euro, në rast të tërheqjes së 10 për qindëshit nga kontributpaguesi, Qeveria e Kosovës ta kompensojë atë brenda pesë vjetëve të ardhshme.
PDK-ja, po ashtu, ka propozuar që Qeveria e Kosovës të lirojë nga TVSH-ja lëndën e parë e cila prodhohet nga bizneset kosovare, pavarësisht a eksportohet jashtë vendit apo jo.
Projektligji për rimëkëmbje ekonomike ka paraparë që Fondi Kreditor Garantues i Kosovës, (FKGK) të autorizohet që të lëshojë garanci kreditore me përqindje të mbulesës nga 50 deri në 80 për qind.
Po ashtu, me qëllim të rimëkëmbjes ekonomike, Ministria e Financave mund të shtyjë afatin e pagesës së tatimeve deri në dy vjet nga data e hyrjes në fuqi të këtij ligji. Kriteret për shtyrjen e afateve përcaktohen nga Ministria e Financave në Qeverinë e Kosovës.
Për bizneset që nuk arrijnë të bëjnë pagesën e deklaratës tatimore, nuk shqiptohet ndonjë ndëshkim, me kusht që pagesa bëhet në tremujorin e parë të vitit 2021.
Ky projektligj – nëse votohet në Kuvendin e Kosovës edhe në leximin e dytë dhe shndërrohet në ligj – do të mbetet në fuqi deri më 31 dhjetor, 2021. Pas kësaj date, të gjitha dispozitat e këtij ligji do të shfuqizohen në mënyrë automatike.
Masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19 kanë pasur efekte negative në ekonominë e vendit.
Humbjet e bizneseve konsiderohen të jenë rreth një miliardë euro, sipas të dhënave të Administratës Tatimore të Kosovës.