Ndërlidhjet

Lufta politike po "vret” bizneset


Përfaqësuesit e gastronomisë duke protestuar para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës. Fotografi nga arkivi.
Përfaqësuesit e gastronomisë duke protestuar para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës. Fotografi nga arkivi.

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike COVID-19. Ky projektligj është votuar në seancën e jashtëzakonshme të së hënës, me 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, pas gjashtë dështimesh të mëhershme.

Projektligjin nuk e kanë votuar partitë në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës, me arsyetimin se nuk përmbush kërkesat e bizneseve dhe nuk përkon asgjë me rimëkëmbje ekonomike.

Përfaqësuese të bizneseve e kanë përshëndetur miratimin në lexim të parë të këtij projektligji. Klubi i Prodhueseve të Kosovës, përmes një komunikate për media, tha se miratimi i këtij projektligji është pritur me padurim nga sektori privat, pasi që shumë biznese janë në vështirësi të mëdha financiare.

Për t'u shdërruar në ligj, ky legjislacion duhet të miratohet edhe në lexim të dytë. Nëse procedohet me procedurë të rregullt, atëherë do të duhen dy javë që të kalojë në shqyrtim në komisionet funksionale të kuvendit. Nëse vendoset që të futet në procedurë të përshpejtuar, atëherë do të duhet që 2/3 e deputetëve të votojnë për shmangie.

Një nga bizneset që pret ndihmë nga qeveria pas miratimit të Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, është kompania për prodhimin e këpucëve “Solid” në Suharekë. Kjo kompani, përveç tregut vendor, gjendet edhe në tregjet e Francës, Gjermanisë, Greqisë, Italisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, por edhe në Afrikë.

Drejtori ekzekutiv në këtë fabrikë, Shpejtim Kuqi, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se institucionet shtetërore nuk po i kushtojnë vëmendje sektorit privat, konkretisht industrisë prodhuese.

Ai tregon se aktualisht në kompani punojnë rreth 300 punëtorë, kurse shitja dhe eksporti ka rënë deri në 30 për qind. Kjo rënie, ka ndikuar në të hyrat financiar, rrjedhimisht ka vështirësi për prodhim.

“Numrin e punëtorëve jemi duke e mbajtur të njëjtë, jemi duke e mbajtur me forcat tona, jo që kemi punë për të gjithë, po mundohemi që mos të largojmë punëtorë nga punë. Thjesht, jemi duke nxjerrë para nga xhepi dhe po fusim në biznes, luftë jemi duke bërë që mos të mos zvogëlojmë numrin e punëtorëve dhe të mbajmë gjallë industrinë. Duke shpresuar gjithmonë se shteti i kthen sytë nga sektori privat”, thekson Kuqi.

Qeveria duhet mbulojë shpenzimet për paga të punëtorëve

Kuqi shpreson se me miratimin dhe zbatimin e Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, qeveria do arrijë të subvencionojë pagesat e punëtorëve, në mënyrë që të lehtësojë gjendjen financiare të kompanisë.

“Ne presim që qeveria për tre muaj t’i mbulojë shpenzimet e kompanisë për paga dhe kontribute të punëtorëve, në mënyrë që mos të ndalim prodhimin. Në muajin mars-prill-maj, kompania ka paguar të gjithë punëtorët dhe subvencionet e qeverisë nuk i kemi zbritur në paga të punëtorëve”, tha Kuqi.

Gjatë muajve mars dhe prill, Qeveria e Kosovës, në bazë të Pakos Emergjente Fiskale, ka ndarë nga 170 euro në muaj për punëtorët në sektorin privat.

Projektligji për rimëkëmbje ekonomike COVID- 19, është dokumenti bazë përmes të cilit po synohet të mbështeten në mënyrë financiare bizneset private, pas humbjeve të shkaktuara nga pandemia me koronavirus. Ky projektligj kap vlerën e 385 milionë eurove.

Votimi i këtij projektligji në dy leximet, veç tjerash, do t'iu mundësonte qytetarëve kontributpagues të tërheqin 10 për qind të mjeteve nga llogaria e tyre në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, kurse qeverisë rreth 100 milionë euro nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

FMN nuk përkrah tërheqjen e mjeteve të Trustit

Por, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), nuk e ka përkrahur iniciativën e Qeverisë së Kosovës për tërheqjen e 10 përqindëshit të mjeteve nga Fondi i Kursimeve Pensionale, pasi kjo zvogëlon pensionet e ardhshme dhe kufizon madhësinë e tregut të brendshëm të kapitalit.

Kurse arsyeton fokusimin e një pjese të mjeteve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) te masat zbutëse dhe të rimëkëmbjes në buxhetin e vitit 2021.

Por, subjektet ekonomike në Kosovë, Oda Ekonomike e Kosovës, Oda Ekonomike Amerikane në Prishtinë, Aleanca Kosovare e Biznesit, Oda e Afarizmit dhe Klubi i Prodhueseve të Kosovës, disa herë kanë kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, që të votojnë Projektligjin, në mënyrë që të rimëkëmben bizneset, pasi shumë nga to janë në rrezik të shuarjes.

Lufta politike po shkatërron ekonominë

Votimi në lexim të parë i Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike, dështoi për gjashtë herë për shkak të inateve politike në mes pozitës dhe opozitës, thotë Mejdi Bektashi, profesor në Universitetin e Prishtinës. Sipas tij, kjo luftë politike po shkatërron ekonominë dhe pasojat janë të pariparueshme.

“Deputetët duhet të ndërpresin mosmarrëveshjet e tyre politike dhe të mendojnë seriozisht për mbijetesën e bizneseve dhe shtresave më të varfra të popullsisë. Sepse nëse vazhdon ky avaz, atëherë rënia ekonomike në Republikën e Kosovës do të jetë dy ose trefish më e lartë se në shtetet tjera të rajonit. Kuvendi i Kosovës duhet të jetë në shërbim të aktualitetit dhe të shpëtimit të funksionimit të bizneseve. Përndryshe, lufta politika kundër ekonomisë do të jetë më shkatërrimtare se çdo tjetër presion”, tha Bektashi.

Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka thënë se populli i Kosovës dhe ekonomia e saj janë goditur rëndë nga pandemia. Politikat fiskale dhe financiare kanë zbutur ndikimin e goditjes në ekonomitë familjare dhe biznese, ndonëse mungesa e konsensusit politik deri më tani ka parandaluar një reagim më të fortë të politikave.

Rukiqi: Mbi 30 mijë vende pune do të humbin deri në fund të vitit

Ndërkaq, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka thënë se të vetmit të paprekur nga kjo krizë në ekonomi, janë ata (deputetët) në parlament që marrin vendime, kurse familjarët e tyre i kanë të punësuar në institucionet publike.

Humbjet e deritashme në ekonominë e Kosovës të shkaktuara nga pandemia, sipas tij, janë një miliard euro, kurse deri në fund të vitit mund të humbin mbi 30 mijë vende pune, ka thënë Rukiqi në rrjetin social Facebook.

Në pamundësi të miratimit të Projektligjit për rimëkëmbje ekonomike, Qeveria e Kosovës, në fund të muajit shtator ka ndarë 60 milionë euro, për t’i rikuperuar humbjet që kanë pësuar nga pandemia COVID-19, shumë kjo që ende nuk ka filluar të transferohen te kompanitë.

Transferimi i 60 milionë eurove, “të jetë transparent”

Transferimi i këtyre mjeteve duhet të ndahet në mënyrë transparente, ka kërkuar Fondi Monetar Ndërkombëtar. Mjetet e planifikuara duhet të sigurojnë që të mbrohen vendet e punës në kompani.

Sipas FMN-së kriteret për kualifikim për këto mjete duhet të jenë të qarta dhe listat e përfitueseve duhet të bëhen publike.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG