Vendimmarrja në Kuvendin e Kosovës vazhdon të jetë problematike si pasojë e mungesës së kuorumit, thonë përfaqësuesit e Institutit Demokratik të Kosovës që bëjnë monitorimin e punës së këtij institucioni.
Kuvendi i Kosovës ka dështuar për të gjashtën herë radhazi të votojë Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike COVID-19.
Ky projektligj, u paraqit para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, në seancën e së enjtes, por nuk mori mbështetjen e duhur.
Projektligji për rimëkëmbje ekonomike, më 22 korrik u miratua në Qeverinë e Kosovës. Ky projektligj kap vlerën e 385 milionë eurove.
Agnesa Haxhiu, hulumtuese e politikave në Institutin Demokratik të Kosovës, që monitoron punën e kuvendit, thotë për Radion Evropa e Lirë, se mosmarrëveshjet politike kanë qenë pengesë e funksionimit të mirëfilltë të Kuvendit për vite me radhë.
Ajo thotë se tash pengesa të mëdha vihen në pah kur Kuvendi do të duhej të adresonte krizën shëndetësore e ekonomike të shkaktuar nga pandemia.
"Dështimi për të gjashtën herë për të miratuar në parim Projektligjin për Rimëkëmbje ekonomike edhe njëherë shpërfaqi brishtësinë e shumicës parlamentare mbi të cilën është ndërtuar Qeveria Hoti. Në fakt, po përsëritet e njëjta situatë sikurse në legjislaturën e 6-të kur shumica e atëhershme parlamentare e kishte humbur de facto shumicën në Kuvend dhe nuk arrinte të shtynte përpara as çështjet që kërkojnë shumicë të thjeshtë, duke e bllokuar kështu punën e Kuvendit", u shpreh Haxhiu.
Emir Abrashi, hulumtues i politikave publike në organizatën Demokraci Plus, thotë për Radion Evropa e Lirë, se është jonormale për një qeveri të vazhdojë të funksionojë nëse nuk e ka shumicën në Kuvend për të kaluar ligjet.
"Nuk është e ndershme karshi qytetarëve edhe nuk guxon të vazhdojë kjo retorikë e qeverisë. Ose duhet të ulesh të punosh me opozitën ose duhet të bësh një ndryshim të koalicionit ose duhet që t'i drejtohesh sovranit dhe ta kthesh te qytetari zgjedhjen", tha Abrashi.
Abrashi thekson se nëse qeveria, nuk arrin të sigurojë votat e mjaftueshme në Kuvend, shumica në Kuvend duhet t'i pranojë kërkesat e opozitës.
"Do të ishte mirë që të shqyrtohet mundësia e zgjerimit të koalicionit,i cili veç është duke u shqyrtuar, ose te shkohet në zgjedhje për shkak se një qeveri e cila nuk arrin të kalojë ligje mund të qëndrojë në pushtet mirëpo, do të jetë një qeveri pa rezultate dhe do të jetë një qeveri e dështuar", tha Abrashi.
Haxhiu deklaron se nëse qeverisë i mungojnë votat, ajo nuk do të mund ta jetësojë programin e saj qeverisës në tërësi.
"Ashtu siç po dëshmohet në seancat e fundit, ka vazhdimisht probleme me sigurimin e votave të nevojshme për të shtyrë çështjet përpara", tha Haxhiu.
Në Institutin Demokratik të Kosovës, thonë është obligim i të gjithë deputetëve që të marrin pjesë në punimet e Kuvendit dhe të shprehin qëndrimet e tyre përmes votës aq më tepër kur janë në pyetje projektligjet e rëndësishëm.
Besmir Baliu, qytetar i Prishtinës me profesion jurist, thotë për Radion Evropa e Lirë, se është e pakuptueshme se pse deputetët nuk miratojnë ligjet të cilat janë interes të qytetareve.
"Interesat politike të caktuar të cilat i kanë, po mundohen t'i shfrytëzojnë në maksimum. Kështu që unë mendoj se interesat dhe vullneti politik mungon", tha Baliu.
Ngjashëm mendon edhe Jeton Terrnava.
"Ajo që po shihet është se ata aty, po rrinë për interesa të tyre për politika ditore, kurse, ekonomia e vendit po dëmtohet e po shkon poshtë, njëjtë si qytetaret", u shpreh Ternava.
Kuvendi i Kosovës veç dështimit në miratimin e ligjeve, nuk ka arritur disa herë që të ratifikojë disa marrëveshje ndërkombëtare financiare, për shkak të mungesës së kuorumit.
Në legjislaturën aktuale që nga formimi i saj janë miratuar vetëm 10 ligje, kurse në procedurë të shqyrtimit janë 26 nga 141 sa janë gjithsej.