Për të vazhduar afarizmin dhe për të mos mbyllur vendet ekzistuese të punës, një nga masat që do të ndihmonte kompaninë prodhuese ‘Laberion’, është lirimi nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) për blerje të produkteve dhe shërbimeve vendore.
Përkundër lehtësimit të masave në muajin qershor për frenimin e përhapjes së sëmundjes COVID-19, bizneset në Kosovë po vazhdojnë të kenë humbje të mëdha. Industria e prodhimit ka zvogëluar kapacitetet prodhuese, për shkak të rënies se fuqisë blerëse.
Bashkim Osmani, pronar i kompanisë ‘Laberion’, e cila merret me prodhimin e lëngjeve në Kosovë, thotë se lirimi nga TVSH-ja për blerje të produkteve vendore, do të ndikonte në rritjen e konsumit dhe rrjedhimisht në mbajtjen e vendeve të punës.
“Kjo masë do të na ndihmonte shumë. Këtë masë po e marrin edhe shtetet tjera të rajonit. Për shkak të pasqyrave jo të mira të afrizmit në këtë kohë të pandemisë, ne kemi menduar që për të mbajtur këto vende të punës, na ishte dashur një masë e tillë pasi që nga kjo do të përfitonim ne, por edhe qytetari, pasi që do të blinte produkte me çmime më të lira”, thotë Osmani për Radion Evropa e Lirë.
Panxha: Lirimi nga TVSH-ja rrit fuqinë blerëse
Lirimi nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar për blerje të produkteve dhe shërbimeve vendore e ka kërkuar Klubi i Prodhueseve në Kosovë.
Astrit Panxha nga kjo organizatë, e cila përfaqëson një numër të madh të bizneseve prodhuese, thotë se lirimi nga TVSH-ja, do të ndikonte direkt në rritje të konsumit të produkteve vendore.
“TVSH-ja është një tatim që nëse hiqet e bën dallimin se cilin produkt e blen qytetari. Produkti që nuk ka TVSH, gjithmonë konsumatori tenton ta blejë. Në mënyrë që të mos ulin numrin e të punësuarve, prodhuesve iu nevojiten masa shtesë që do të ndikonin në përmirësimin e pozicionit të tyre. Kosova më shumë se kurrë ka nevojë për rritje të prodhimit”, thotë Panxha.
Kërkesa për lirim nga TVSH-ja, shton Panxha, u është dërguar autoriteteve kompetente dhe pritet të merret ndonjë vendimi.
“Në këtë javë do të takohemi edhe me kryeministrin e Kosovës (v.j. Avudullah Hoti) dhe shpresojmë që të hasim në mirëkuptim, të pranohet kjo kërkesë dhe të aplikohet”, thotë Panxha.
Projektligji për rimëkëmbje ekonomike nuk parasheh lirim nga TVSH-ja
Projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike, i cili ka kaluar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës, ka paraparë plotësim-ndryshimin e Ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, por nuk ka paraparë lirimin nga TVSH-ja për blerjen e produkteve dhe shërbimeve vendore.
Plotësim-ndryshimi parasheh vetëm futjen në normë të reduktuar të TVSH-së, furnizimet e hoteleve, restoranteve dhe shërbimet e ushqimit.
Sipas Ligjit për TVSH-në, ministri i Financave mund të nxjerrë akt nënligjor për zgjerimin ose reduktimin e listës së produkteve me normë të reduktuar.
Radio Evropa e Lirë ka provuar të marrë përgjigjje nga Ministria e Financave lidhur me kërkesën e prodhuesve për lirim nga TVSH-ja, por deri më tani, kjo ministri nuk ka kthyer përgjigje.
TVSH-ja në Kosovë ka dy norma
Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, është tatim që i ngarkohet konsumatorit në mallra dhe shërbime. Në Kosovë, TVSH-ja zbatohet nga viti 2001.
Deri në vitin 2015, TVSH-ja, ka qenë 16 për qind. Ndërkaq, nga viti 2015, në Kosovë janë të përcaktuara dy norma të TVSH-së: norma standarde 18 për qind dhe norma e reduktuar 8 për qind.
Disa nga shërbimet dhe mallrat që tatohen me 8 për qind në Kosovë janë faturat e shpenzuara të ujit, ato të energjisë elektrike dhe të ngrohjes, pastaj prodhimet nga drithërat dhe qumështi, vajrat për gatim e të tjera.
Për produktet ose shërbimet e tjera, TVSH-ja është 18 për qind.
Heqja e TVSH-së prek sistemin fiskal
Për të bërë lirimin nga TVSH-ja për blerje të produkteve dhe shërbimeve vendore, kërkohen procedura, thotë ish-ministri i Ekonomisë dhe Financave, Haki Shatri. Ai kujton që TVSH-ja është e rregulluar me ligj dhe duhet bërë ndryshimi i ligjit.
Shatri shton se ligji mund të ndryshohet, por heqja e TVSH-së nuk është një praktikë e mirë që duhet bërë, pasi që mund të rrezikohen të hyrat për buxhetin e shtetit.
“Unë nuk do ta rekomandoja këtë, pasi rrezikohet qëndrueshmëria buxhetore dhe stabiliteti fiskal i vendit. Edhe ashtu të hyrat në buxhetin e shtetin kanë rënë. Ekonomia e Kosovës është e brishtë dhe mund të vijmë deri te një kolaps buxhetor”, thotë Shatri.
Gjatë periudhës janar –korrik 2020, të hyrat totale buxhetore kanë shënuar një rënie prej më shumë se 11 për qind apo rreth 120 milionë euro më pak krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.
Kjo normë e rënies, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Financave, pritet të karakterizojë fundin e vitit 2020, me rreth 300 milionë euro më pak të hyra.
Banka Botërore: Pandemia po kërcënon vendet e punës
Raportit i Rregullt Ekonomik i Bankës Botërore, publikuar më 22 tetor, ka vënë në pah se pandemia COVID-19 po kërcënon vendet e punës në Kosovë. Sipas këtij raporti, ekonomia e Kosovës pritet të tkurret me 8.8 për qind në vitin 2020.
Oda e Afarizmit të Kosovës dhe Sindikata e pavarur e sektorit privat po ashtu flasin për një numër të madh të punëtorëve, të cilët kanë humbur vendin e punë gjatë pandemisë.
Sipas këtyre dy mekanizmave, deri në fund të vitit 2020, parashihet të humbin punën deri në 100 mijë të punësuar.
Bizneset në Kosovë për të mbajtur punëtorët në punë dhe për të rikuperuar humbjet nga pandemia COVID-19 janë ndihmuar nga Fondi për Rimëkëmbje Ekonomike i Qeverisë së Kosovës.
Për këto biznese, nga ky Fond i cili kap vlerën e mbi 350 milionë eurove, janë ndarë së fundmi 60 milionë euro për biznese, por, këto mjete janë vlerësuar të pamjaftueshme nga vetë bizneset.
Facebook Forum