Ndërlidhjet

BE-ja parasheh sanksione për shpërndarësit e lajmeve të rreme


Komisionerja Evropiane, Vera Jourova, duke folur në një seancë plenare në Parlamentin Evropian në Bruksel, Belgjikë, 24 nëntor 2020.
Komisionerja Evropiane, Vera Jourova, duke folur në një seancë plenare në Parlamentin Evropian në Bruksel, Belgjikë, 24 nëntor 2020.

Komisioni Evropian (KE) ka paraqitur një plan, përmes së cilit synohet fuqizimi i "rezistencës" së demokracive të BE-së përballë "sfidave" të tilla si: përhapja e gjerë e dezinformimit. Dokumenti propozon sanksione ndaj "aktorëve të huaj" që merren me dezinformim. Plani është pjesë e një shtytjeje për një mekanizëm më të ashpër mbikëqyrës të platformave online.

Plani i Veprimit Evropian për Demokracinë, të cilin Komisioni Evropian e publikoi m​ë 3 dhjetor, thotë se blloku me 27 anëtarë "duhet të përdorë në mënyrë më sistematike gamën e mjeteve për të kundërshtuar ndërhyrjet e huaja dhe fushtatat e ndikimit”, duke shtuar se “këto mjete kundërshtuese duhet të zhvillohen më shumë, përfshirë edhe vënien e kostos së dëmit ndaj autorëve të këtyre krimeve ".

Kjo është hera e parë që Komisioni Evropian – organi ekzekutiv i BE-së – sugjeron vendosjen e sanksioneve kundër përhapjes së dezinformimit.

Në dokument thuhet se ky plan paraqitet në kohën kur "po rritet presioni ndaj demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut në nivel global".

Dokumenti thotë se "disa vende të treta (në veçanti Rusia dhe Kina), janë angazhuar në fushata të ndikimit dhe dezinformimit për COVID‑19 në BE, në vendet fqinje të saj dhe në nivel global, duke synuar të minojnë debatin demokratik, të përkeqësojnë ndasitë shoqërore dhe në të njëjtën kohë të përmirësojnë imazhin e tyre (Kinës dhe Rusisë)".

Zëvëndëspresidentja e Komisionit Evropian, Vera Jourova i tha Radios Evropa e Lirë se blloku duhet të shtypë përhapjen e dezinformimit, veçanërisht për ata që e bëjnë këtë në mënyrë të përsëritur.

"Prodhuesit (e dezinformimit) nuk po paguajnë asnjë çmim për veprimet e tyre. Dhe, unë mendoj se kjo nuk duhet të kalojë pa ndonjë ndëshkim, prandaj do ta shqyrtojmë mënyrën e zbatimit të sanksioneve dhe kostove", tha Jourova.

"Ne do të merremi veçanërisht me ndikimin e huaj dhe aktorët e huaj", shtoi ajo.

Plani i veprimit i Komisionit Evropian parasheh që Grupi Punues i East StratCom, një department i Shërbimit Evropian të Veprimit të Jashtëm (EEAS) që monitoron dezinformimin rus, këtë vit, ka identifikuar më shumë se 500 shembuj të dezinformimit pro-Kremlinit për COVID-19.

Ndërsa që nga fillimi i monitorimit më 2015 ka identifikuar më shumë se 10,000 shembuj të dezinformimit pro-Kremlin.

Plani sugjeron, gjithashtu, vendosjen e rregullave shumë më të ashpra të BE-së në platformat online. Këto platforma, sipas dokumentit "mund të përdoren nga operatorët për qëllime të këqija, konkretisht shpërndarjen e përmbajtjes së rreme dhe mashtruese”. Këto platforma janë kritikuar për "mungesë të transparencës në përdorimin e algoritmeve për shpërndarjen e përmbajtjes në internet dhe për shënjestrimin e përdoruesve në internet".

Në vitin 2018, KE-ja ndërmori një veprim kundër dezinformimit, dhe platformat e tilla si Facebook, Google dhe Twitter u bashkuan vullnetarisht për të raportuar mbi veprimet e ndërmarra në transparencën e vendosjeve të reklamave dhe veprimeve kundër llogarive të rreme.

Sidoqoftë, KE-ja tani po sugjeron "një qasje më të ashpër, bazuar në angazhime të qarta mbi mekanizmat e duhur të mbikëqyrjes, të cilët janë të nevojshëm për të luftuar dezinformimin në mënyrë më efektive".

Dokumenti thotë se Akti i ardhshëm i Shërbimeve Digjitale (DSA), që do të paraqitet nga KE-ja më vonë këtë vit, "do të propozojë rregulla për të siguruar një përgjegjësi më të madhe për mënyrën sesi platformat moderojnë përmbajtjen, reklamat dhe proceset e algoritmeve".

"Platformat e mëdha në internet do të jenë të detyruara të vlerësojnë rreziqet që paraqesin sistemet e tyre - jo vetëm në lidhje me përmbajtjen dhe produktet e paligjshme, por edhe rreziqet sistematike për mbrojtjen e interesave publike dhe të drejtave themelore, shëndetit publik dhe sigurisë", thotë dokumenti.

DSA-ja synon të përditësojë kornizën ligjore të Bashkimit Evropian për veprimtarinë në internet.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG