Ndonëse rrjetet sociale, tashmë disa muaj me radhë po i largojnë përmbajtjet, grupet, faqet dhe profilet që ndërlidhen me teorinë e konspiracionit QAanon, në hapësirën e Ballkanit Perëndimor edhe më tej mund të gjenden individë, por edhe faqe që vazhdojnë të përhapin këto teori.
‘Stuhia po vjen’, ‘Ku shkon njëri, shkojmë të gjithë’, “Zgjimi i Madh’, janë vetëm disa nga parullat që mund të gjenden në llogaritë që ndërlidhen me QAnon.
Një nga grupet e shuara më herët quhet "QAnon Ballkan" dhe deri në shuarjen e saj numëronte 8,700 anëtarë. Në përshkrimin e faqes së internetit, tek e cila tani mund të ketë qasje vetëm përmes historisë që e ka mbajtur mend Google, thuhet që “Qanon Ballkan” angazhohet për përhapjen e ideve Q në të gjithë rajonin tonë, si dhe për luftën kundër rendit të ri botëror dhe satanistëve, të mishëruar në të ashtuquajturin “shtet i thellë”. Ndryshe, “shteti i thellë” është frazë që përdoret për etiketimin e profesionistëve në strukturat e pushtetit, të cilët mbesin në aparatin e shtetit pavarësisht nga ndryshimet politike.
Në faqe thuhet se vendndodhja e administratorëve është në disa qytete në Kroaci, Serbi, Mal të Zi, Slloveni dhe Bosnje- Hercegovinë. Në postimin e fundit, të botuar më 8 shtator të këtij viti, si probleme “me të cilat ballafaqohen qytetarët” janë theksuar: “Vjedhja e foshnjave nga spitalet për lindje, marrja nga prindërit e fëmijëve për arsye të çmendura, vaksinimi i detyrueshëm, ushqimi OMGJ (Organizma të Modifikuar Gjenetikisht), rrjeti 5G, si dhe mini-hidrocentralet (MHC)”.
Faqja e internetit ende aktive quhet “BalkAnon” dhe në logon e saj ka shkronjë Q me të kuqe. Ajo është krijuar më 3 tetor dhe administrohet diku nga Serbia.
Në momentin që shkruhet ky tekst, kjo faqe ka pak më shumë se 500 përcjellës. Ne postimin e publikuar më 3 tetor, thuhet se “BalkAnon”, ndër të tjera, është kundër “vaksinimit të obligueshëm, invazionit të migrantëve, globalizmit, instalimit të çipave, pedofilisë, mini-hidrocentraleve, 5G-së”.
Përveç temave globale, ky grup përpiqet që të përvetësojë edhe disa tema lokale, sikurse aferën “Foshnjat e zhdukura”.
Përkujtojmë që në Serbi më shumë se 2.000 prindër, të mbledhur në disa shoqata, kërkojnë të vërtetën për foshnjat e lindura para dy, tre dhe më shumë dekadash, për të cilat në spitalin e lindjeve u është thënë se kanë vdekur, gjë për të cilën ata dyshojnë, sepse shumë prej tyre kurrë nuk e i kanë marrë trupat e fëmijëve dhe as dokumentacionin përcjellës.
Asnjë prej rasteve nuk është dëshmuar zyrtarisht, por Serbia ka miratuar ligjin me të cilin konfirmohet mekanizmi i pavarur hetues, gjë e cila është përshëndetur nga Këshilli i Evropës.
Përfaqësuesit e “BalkAnon”, siç shihet në publikim, më 10 tetor, në qendër të Beogradit kanë mbështetur protestën me sloganin “Për fëmijët tanë”, në të cilën, të mbledhurit edhe një herë tërhoqën vëmendjen e publikut për këtë aferë.
Siç mund të shihet në xhirimet që janë publikuar në faqen “BalkAnon”, disa nga të pranishmit kanë bartur bluza me logon e këtij grupi, ndërkaq që e njëjta logo me shkronjë “Q”, ishte e theksuar edhe në njërën prej parullave.
Radio Evropa e Lirë ka kërkuar një koment nga ana e administratorit, përmes Facebook-ut, por përgjigjja nuk ka arritur deri në përmbyllje të këtij teksti. Përveç faqes, është aktiv edhe një grup me të njëjtin emër që ka mbi tre mijë anëtarë. Administratorët dhe moderatorët janë persona nga Serbia, Kroacia, por edhe nga Izraeli. Edhe grupi, ashtu sikurse faqja, ka logon e njëjtë me shkronjën “Q” të kuqe.
Ndonëse në faqe thuhet që “lëvizja QAnon nuk e mbështet, nuk e promovon dhe as toleron çfarëdo forme të dhunës”, në postimin tjetër, që është titulluar si “Kodi etik i QAnon”, ndër të tjera theksohet:
“Ne jemi patriotë – Ti pastrojmë shtetet tona nga llumi”, “Ne jemi liria – i çlirojmë mendjet e robëruara”, “Ne fitojmë – E dimë se si përfundon. Zoti fiton”.
Facebook ka fshirë më shumë se 2,000 faqe
Gjatë punës në këtë tekst, njërit prej profileve personale që iu lajmëruam, për shkak të publikimeve në të cilët i nënshkruanin me Q, në ndërkohë është zhdukur. Facebook më herët ka sjellë vendimin, me të cilin ka zgjeruar politikën e vet në raport me individët dhe organizatat e rrezikshme, në mënyrë që t'i mbyllin, siç thuhet “lëvizjet shoqërore të militarizuara dhe rrjetet e teorive të konspiracionit, sikurse QAnon, të cilat nxitin dhunë”.
Në përgjigjen që Radio Evropa e Lirë e ka marrë nga Facebook, thuhet që kjo kompani, në muajin gusht e ka ashpërsuar politikën ndaj individëve dhe organizatave të rrezikshme, të cilët përhapin teori të konspiracionit, në mesin e të cilave është edhe QAnon.
“Që atëherë, kemi identifikuar më shumë se 600 lëvizje shoqërore të militarizuara, kemi larguar rreth 2.400 faqe, 14.200 grupe dhe rreth 1.300 llogari në rrjetin social Instagram. Ndërkaq, më pas kemi larguar 1.700 faqe, 5.600 grupe dhe rreth 18.700 llogari në Instagram, të cilat përfaqësojnë QAnon-in”, thonë nga Facebook-u.
Sipas tyre, faqet dhe grupet në Facebook, kundër të cilave janë marrë këto masa, janë kryesisht të vendosura në Shtetet e Bashkuara, por ato shtojnë se një numër prej tyre gjenden në vendet përgjatë gjithë botës, ndër të tjera edhe në Ballkan.
“Do të vazhdojmë që t’i identifikojmë në mënyrë shtesë faqet, grupet dhe llogaritë në Instagram, në të gjitha gjuhët dhe do t’i kontrollojmë ato në përputhje me politikën tonë të përditësuar”, thonë në Facebook.
Kjo kompani, më 21 tetor, ka njoftuar se përdoruesit që kërkojnë terma në lidhje me QAnon, në atë rrjet social dhe Instagram, do të ridrejtohen në të ardhmen te burimet e besueshme nga Rrjeti global për ekstremizëm dhe teknologji (GNET), rrjeti kërkimor akademik i Forumit global kundër terrorizmit.
Marrë parasysh politikën e re të Facebook-ut, një numër i grupeve dhe faqeve që kanë pasur “Q-në” në emër, janë shfuqizuar. Por, ende janë aktive ato që kanë emra të tjerë dhe të cilat kryesisht ndajnë teoritë antipandemike.
Përhapja e të pavërtetave gjatë pandemisë
Ndonëse nuk kanë shenjën e QAnon, këto grupe dhe faqe kanë publikime, në të cilat përmendet QAnon, si dhe postime me të njëjtën thurje (hashtag). Që nga marsi i këtij viti, në faqet e Facebook-ut janë evidentuar më shumë se 7.000 ndërveprime, të cilat janë në lidhje me termin QAnon, e të cilat janë regjistruar kryesisht në Bosnje-Hercegovinë, Serbi dhe Mal të Zi.
Një prej tyre është edhe grupi publik, ende aktiv, “Anon Balkanika”, me 434 anëtarë, i krijuar në qershor të vitit 2018, me emrin “Historitë misterioze të Ballkanit” dhe më pas, në tetor të po këtij viti, ndryshoi emrin në Anon-Balkanika. Sipas të dhënave të disponueshme në Facebook, vendndodhja e grupit është në Beograd.
Në mesin e publikimeve që ata ndajnë, gjenden ato sipas të cilave “ne po vdesim nga chemtrail lunga (kanceri i mushkërive) jo COVID-19”, “kompanitë e aviacionit po punojnë për të realizuar ëndrrën e Bill Gates për të vaksinuar të gjithë botën”, ndërsa në mesin e anëtarëve të grupit ekzistojnë profile individuale të njerëzve që kanë “Q” në emër ose kanë fotografinë e kopertinës me Q ose hashtag # WWG1WGA ”(ku shkon njëri, shkojmë të gjithë), një nga parullat e lëvizjes QAnon.
Publikimet e këtij grupi që përfshijnë përdorimin e drejtpërdrejtë #QAnon, kanë të bëjnë me kinse “shpëtimin e fëmijëve nga tuneli në Liban, shpërndarjen e videos që tregon se si “Gates, Soros dhe Klintonët janë të lidhur me përcjelljen e kontakteve” bashkë me hashtagun e QAnon dhe “zgjimin e madh” që është një prej deklaratave që shfrytëzojnë përcjellësit e QAnon.
Një nga publikimet e tyre, të nëntorit 2020, sjell disa fotografi me persona që kanë një lloj ndezjeje rreth gojës për shkak të kinse bartjes së maskës. Me tekstin “Në qoftë se kështu duket lëkura, atëherë paramendojini mushkëritë. Me këto maska korona as që ju nevojitet që të gjithëve t’ju dërgojë në varr”.
Ne verifikuam një nga këto fotografi. Përmes analizës duke përdorur mjetet e Tineye, vërtetuam që kjo fotografi është ajo, e cila kinse paraqet pasojat e mbajtjes së maskës, e që në të vërtetë është publikuar për herë të parë më 24 korrik të vitit 2019 në Istockphoto, faqe kjo në të cilën shiten fotot origjinale.
Në fotografi është shfaqur një fëmijë me sëmundjen e lisë, ndërkaq që vetë fotografia është vendosur në këtë shërbim 8 muaj para se shtetet e botës të fillojnë të zbatojnë masën e bartjes së detyrueshme të maskës.
Gjithashtu, për një sqarim i kemi lutur dy administratorët e grupit, por deri në publikimin e këtij teksti, përgjigje nuk kemi marrë.
Në Facebook është aktiv grupi “Pika zero” (“Nulta taçka”), logoja e të cilit është stilizuar në formën e shkronjë “Q”.
Faqja numëron më shumë se 9,000 përcjellës dhe është krijuar më 25 qershor.
Gjithashtu, në përshkrimin e saj, kjo faqe ka linkun me të njëjtin emër si web faqja, por, siç shihet, ajo është e pezulluar.
Nga publiket mund të shihet që grupi i Facebook-ut “Pika zero” shërben në rend të parë për promovimin e video-klipeve të cilat publikohen në kanalin me të njëjtin emër në YouTube, që e udhëheq Mario Bojiq.
Dy milionë shikime të spoteve anti-migrimit dhe kundër bartjes së maskës
Që nga korriku i këtij viti, kur u hap kanali, janë publikuar pak më pak se 50 klipe me titull “lajme të ndaluara”. Siç thuhet në përshkrimin e kanalit, ato emisione të shkurta merren me “ngjarjet që nuk do të mund t’i shihni dhe as t’i lexoni në asnjë media”.
Deri më sot, kanali ka mbi 2 milionë shikime dhe mbi 18 mijë përcjellës.
Në ato video-klipe, koronavirusi shënohet si “kinse virusi”, ndërkohë që milioneri dhe filantropi amerikan George Soros shënohet si njeri me “qëllime të sëmura”, në mesin e të cilave janë “fillimi i luftërave civile, migrimi dhe shembja e qeverive dhe largimi i Donald Trump nga pozita e presidentit të SHBA-së”, siç ishte rasti në reportazhin e 2 gushtit.
Ndër reagimet e shkruara poshtë kësaj video është një koment, në të cilin nënshkruesi falënderon autorin për “të vërtetën e përditshme, e cila tani është e qasshme për ne. Zoti i dashur qoftë me ju dhe paqi gjitha të mirat në punën e mëtejme. Përshëndetje nga Zara”, thuhet në koment.
Në videon e publikuar më 14 tetor, theksohet që dëmi nga mbajtja e maskave mbrojtëse është “aq e madhe sa nuk ka nevojë që ai (homo sapiens) t’ia bëjë vetes këtë për vite me radhë", si dhe që “njerëzit me maska rrëzohen për shkak të mungesës së oksigjenit", pavarësisht të gjitha angazhimeve të organizatave të besueshme të shëndetësisë për të shpjeguar rëndësinë e maskës për mbrojtjen ndaj COVID-19.
Mario Bojiq, i cili është edhe narrator në këto klipe, në platformën YouTube e udhëheq kanalin “Mario e di” (“Mario zna”).
Ky kanal nisi në tetor të vitit 2018 dhe sipas statistikave të YouTube, ai ka 66 mijë ndjekës dhe afër 11 milionë shikime. Për dallim nga “Pika zero”, ku publikohen reportazhe në formë të lajmeve të shkurta, në kanalin “Mario e di”, autori publikon intervista me bashkëmendimtarët ose personalisht i komenton lajmet.
Në njërën nga ato video-reportazhe, që është publikuar më 18 tetor, vetë Bojiq e krahasoi heqjen e llogarive të bashkëmendimtarëve të tij me “djegien e librave”, me çka ai tërhoqi paralelen me fushatën naziste të viteve 1930. Përkujtojmë që atëherë, në shënjestrën e regjimit të Adolf Hitlerit ishin gjetur edhe librat “e papërshtatshëm”, në mesin e të cilave të autorëve hebrenj, marksistë, liberalë dhe autorëve pacifistë.
“Është fat që nuk jemi në zonën anglisht-folëse. Është fat që algoritmet e tyre nuk e kuptojnë shumë mirë gjuhën tonë dhe është fat që disa prej nesh shfrytëzojnë mënyra alternative që ta anashkalojnë dhe t’i ikin censurës online”, ka thënë Bojiq në këtë rast.
Në videoklipin e publikuar më 11 nëntor, përderisa në Serbi, me ditë të tëra po regjistrohen mes 2.000 dhe 3.000 të infektuar, Bojiq shpreh pretendimin që për atë “virus ose bakterie – as ata se dinë se çfarë është, sepse nuk ia arritën që ta izolojnë – u krijua në Vuhani (qytet në Kinë, ku së pari u paraqit koronavirusi), në laborator dhe është lëshuar, do të thotë, është i pranishëm”. Por, ai tërheq vërejtjen:
“Por, është i pranishëm në numër minimal. Testi PCR është e keqja më e madhe dhe shërben për përhapjen e panikut, për mbylljen e njerëzve, për zbatimin e masave drastike dhe shkatërrimin e të gjitha të drejtave tona njerëzore që ishin të garantuara”, tha Bojiq.
Çfarë vërtetë është dëshmuar për virusin?
Studime të shumta shkencore kanë treguar se koronavirusi nuk është bërë në laborator. Revista Science News, në mars të këtij viti, duke u thirrur në rezultatet e hulumtimit të ekipit të shkencëtarëve amerikanë, ka shkruar që ky virus nuk është krijuar në mënyrë artificiale, sepse përbërja e tij gjenetike nuk është përzierje e virusëve të njohur, gjë që do të ishte rasti në qoftë se ai do të prodhohej në laborator.
Përmes postës elektronike e kemi pyetur Mario Bojiq se a i shpërndajnë platformat që ai drejton idetë QAnon dhe a është ai përfaqësues i atyre ideve, si dhe a ndjen përgjegjësi për plasimin e dezinformatave në opinion. Por, ai nuk u është përgjigjur këtyre pyetjeve.
Por, Milan Jovanoviq, hulumtues në Qendra Forenzike Digjitale në Podgoricë, thotë se nuk dinë të gjithë për QAnon-in, por mbështesin teoritë e tilla.
“Mendoj që njerëzit në Mal të Zi nuk kanë njohuri për QAnon, por kjo nuk iu pengon që në mënyrë të pavetëdijshme t’i mbështesin teoritë që ndërlidhen me të, sikurse ato për ‘shtetin e thellë’, për teknologjinë 5 G, për vaksinat, për Bill Gates dhe për koronavirusin”, tha Jovanoviq.
Ai shtoi që periudha e pandemisë është veçanërisht e ndjeshme për përhapjen e rrëfimeve të tilla.
“Është e qartë se 5G dhe teoritë në lidhje me koronavirusin janë shkaktarë më të fortë për publikun malazez sesa, të themi, teoritë në lidhje me shtetin e thellë dhe vaksinimin”.
Çka është QAnon?
Teoritë QAnon kanë nisur që të përhapen pasi që në nëntor të vitit 2017, një përdorues anonim i forumit “4chan”, e më vonë “8chan”, i cili publikimet e tij i nënshkruante me Q, publikoi, pa prova, pretendimin se ai ishte zyrtar i inteligjencës me qasje në informacionet e klasifikuara.
Teoritë nuk janë të reja dhe më e shpeshta ishte lidhur me atë se gjatë aksionit të përmbysjes së rrjetit elitar pedofil, u shfaq një vit më parë, gjatë një ngjarjeje që më vonë u bë e njohur si Pizzagate.
I inkurajuar me teoritë e konspiracionit se në podrumin e picerisë Comet Ping Pong në Uashington po zhvillohet rrjeti i pedofilisë, në të cilin janë kyçur kandidatja e atëhershme për presidente Hillary Clinton dhe demokratët tjerë, amerikani Maddison Welch mori një arsenal me armë dhe u drejtua kah piceria.
Teoria filloi në vitin 2016 kur WikiLeaks publikoi emailet e John Podestas, menaxher i fushatës së Clintonit, në të cilat pica përmendet në lidhje me ngjarjen që u mbajt në Uashington. Disa teoricienë të konspiracionit filluan të vërejnë se përmendej emri i picerisë dhe arritën në përfundimin se pica dhe pastat janë kode. Pasi që hyri në ambientet e Comet Ping Pong, Welch e kuptoi se nuk po ndodhte asgjë “e dyshimtë” , dorëzoi armët dhe iu dorëzua policisë.
“Ata besojnë që Ministria amerikane e Mbrojtjes ka ndihmuar që Donald Trump të vendoset në pozitën e pushtetit vetëm për të shkatërruar këtë “rreth satanik”. Ata besojnë që përpjekja e tij për shkatërrimin e këtij rrethi do të kulmojë në diçka, të cilën e quajnë “stuhi”, përmes të cilës, demokratët, elitat e Hollywoodit dhe të tjera do të dënohen publikisht ose do të burgosen. Nuk ka asnjë provë që do ta mbështeste këtë, e gjitha është teori konspiracioni pa baza”, sqaroi për Radion Evropa e Lirë gazetari amerikan Daniel Funke i PolitiFacta, që punon për verifikimin e informacioneve.
Siç thekson Qendra amerikane për hulumtim, Pew, të paktën dy kandidatë të zgjedhur gjatë këtij viti në Kongresin amerikan, mbështesin teoritë QAnon.
Organizata amerikane Media Matters, e cila punon për mbikëqyrjen, analizimin dhe përmirësimin e informatave të gabueshme në media, thekson që presidenti amerikan, deri më 30 tetor, në mediat sociale rriti ndikimin e llogarive që promovojnë teori konspirative QAnon të paktën 265 herë.
Vetë Trump, në një aktivitet parazgjedhor në televizionin amerikan MSNBC ka thënë që nuk di asgjë për QAnon-in, përveç që “e kundërshtojnë mjaft shumë pedofilinë dhe se luftojnë fuqishëm kundër saj”.
Por, përveç Shteteve të Bashkuara, teoritë QAnon kanë kaluar oqeanin dhe filluan të përhapen edhe në hapësirën e Ballkanit Perëndimor. Sipas të dhënave të Google Trands, kërkimet për termin QAnon janë rritur, si në vendet e gjithë botës, ashtu edhe në vendet e Ballkanit Perëndimor, që nga fillimi i marsit, gjegjësisht, prej kur është shpallur pandemia COVID-19.
QAnon dhe Ballkani Perëndimor
Analiza e publikimeve të ndërlidhura me QAnon në hapsirën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, nga Qendra Forenzike Digjitale, ndërmjet marsit dhe nëntorit të vitit 2020, tregon rritje për gati se 150 për qind në krahasim me gjithë vitin e kaluar (nga 38.6 mijë publikime në 56.9 mijë).
“Marrë parasysh që në qendër të teorive QAnon është Donald Trump si hero i këtij rrëfimi të rrejshëm, jam goxha i tronditur që kjo teori e konspiracionit ka kaluar më tutje. Mendoj se shumë keqinformime me të cilat udhëheqin mbështetësit e QAnon, po e tërheqin edhe një audiencë ndërkombëtare. Është shumë më lehtë për dikë të besojë se kablloja globale e elitës politike dhe mediatike po shpik një pandemi sesa të pranojë se qindra mijëra njerëz kanë vdekur për shkak të një virusi të tmerrshëm ”, thotë Daniel Funke i PolitiFact.
Kush janë njerëzit që besojnë në këto ide?
Dino nga Sarajeva, 28-vjeçar, siç e pranon vet, është një nga ata.
“QAnon është vetëm një prej hashtagëve që përdorin njerëzit në mënyrë që publikimet e tyre të arrijnë deri te ata që kanë rezon të njëjtë. Këtë lëvizje mund ta quani si të doni, por esenca është që masat të zgjohen në nivelin botëror ”, thotë Dino për Radion Evropa e Lirë.
Me të beseduam në Instragram, ku ai e udhëheq llogarinë me emërtimin “bosanski_anonimusi” (“anonimët_boshnjakë”). Ky ishte gjithashtu profili i vetëm në Instagram, të cilin e gjetëm duke kërkuar termat Bosnje dhe QAnon në këtë platformë. Profili është hapur në muajin maj dhe ka rreth 160 përcjellës dhe më shumë se 200 publikime.
Siç thotë ai vetë, profili i tij “simbolik” në Instagram, ku ai përhapte informata “të vlefshme për hulumtim”, është bllokuar për publikime dhe për aktivitete të tjera.
Siç thotë ai, “njerëzve që nuk janë të vetëdijshëm që shumica e ngjarjeve në botë kanë prapavijë shumë më të thellë sesa që i prezantojnë mediat, gjegjësisht që me informacionet gjithsesi se manipulohet”, është vështirë t’u sqarosh se për çka dhe pse është i rëndësishëm QAnon.
“Ajo që unë e di me siguri është që te ne shumë njerëz ndajnë mendimin e njëjtë, shpeshherë dëgjoj në mesin e njerëzve dhe shoh që janë të vetëdijshëm që ka ardhur koha që të zgjohemi kolektivisht dhe të bëjmë kthesë”.
Por, pse mendon ai se pikërisht është QAnon ajo ideja që do t’i zgjojë njerëzit”?
“Sepse kjo është lëvizje globale, e cila deri më tash ka ngritur pluhurin më të madh, në kuptimin pozitiv. Nuk ka mbetur e gjitha në rrjetet sociale, po ndodhin protesta masive dhe dëshira për ndryshim”, beson Dino.
Që ndikimi i QAnon nuk është vetëm i dukshëm në rrjetet sociale, dëshmohet nga tubimet protestuese të organizuara për shkak të masave kufizuese dhe mbajtjes së maskave në Malin e Zi.
“Në Mal të Zi, janë aktivë prindërit në Tivarë, Podgoricë dhe Herceg Novi, të cilët po protestojnë kundër mbajtjes së maskave në shkolla sepse, siç thonë ata, po dëmtojnë shëndetin e fëmijëve”, thotë Qendra Forenzikë Digjitale.
“Ndal maskat në shkollë”, ishte motoja e dy protestave të prindërve në Herceg Novi.
Në Podgoricë është mbajtur gjithashtu protesta me qëllim që të hiqen ndalesat dhe masat e vendosura kundër pandemisë. Grupi i qytetarëve që organizuan protestën ka vlerësuar që masat i shkelin të drejtat themelore të njeriut, të garantuara me Kushtetutën e Malit të Zi.
“Gjithashtu, kemi formuar edhe Viber-bashkësinë – Protesta kundër koronës tashmë numëron më shumë se 500 anëtarë”, thuhet në komunikatën e njërit prej organizatorëve, Nikolla Millosheviq.
Nebojsha Medojeviq - politikani që beson në teoritë e QAnon
Ndër ata që besojnë në teoritë QAnon është edhe Nebojsha Medojeviq, kryetar i Lëvizjes për ndryshime, pjesë lidhjes së unionit të Frontit Demokratik në Mal të Zi.
Ai është një nga të paktët politikanë në Malin e Zi, i cili tash e disa vite më parë, shprehet në mënyrë eksplicite se për problemet botërore kyçe dhe për problemet e vendeve në tranzicion, siç janë krizat ekonomike, luftërat dhe migrimi i popullsisë, është fajtor “shteti i thellë”, një grup i të fuqishmëve të botës nga hija, afaristët e njohur planetar, të cilët i tërheqin penjtë dhe konglomeratin bankar.
Këto teza më së shpeshti i shpreh në rrjetet sociale, shpeshherë edhe gjatë polemikave në Kuvendin e Malit të Zi, në konferenca për media. Duk u përgjigjur në pyetjen tonë, se a i bazon qëndrimet e ti në teoritë e konspiracionit QAnon, Medojeviq thotë për Radion Evropa e Lirë:
Me shumë dëshirë u qasem nismave globale siç është QAnon. Opinioni në Mal të Zi e di se unë e kam mbështetur dhe e mbështes politikën e Donald Trumpit dhe idenë që populli të pyetet, e jo “shteti i thellë”, estabilishmenti dhe bankierët. Natyrisht që ato rrjete globale sjellin me vete edhe rreziqet e caktuara, sepse aty mundet gjithkush të ketë qasje dhe të plasojë idetë e veta. Ka aty edhe teori konspiracioni dhe disa teza që nuk qëndrojnë. Por, për dikë që ka përvojë të mjaftueshme, sikur unë, aty ka edhe mjaft të dhëna dhe me mjaft dëshirë marr pjesë në ato diskutime globale, jo vetëm kur bëhet fjalë për QAnon, por edhe për disa iniciativa tjera”, thotë Nebojsha Medojeviq.
QAnon në Serbi
Ndër personat që në një pjesë të opinionit janë të shënuar si mbështetës të lëvizjes QAnon është edhe dr.Jovana Stojkoviq, kryetare e lëvizjes “Jetoj për Serbinë”, e cila vite më parë njihej për përfaqësimin e idesë për heqjen e vaksinimit të detyrueshëm në Serbi. Që nga shpërthimi i pandemisë COVID-19, në mënyrë publike Stojokoviq përfaqëson tezën se masat epidemiologjike që janë sjellë me qëllimin që të parandalojnë shpërndarjen e infektimit, janë të panevojshme.
“Në duhet ta kuptojmë se profesioni i mjekut është shumë i gjunjëzuar në të gjithë këtë dhe ne kemi propagandues të gjithë këtij rrëfimi të koronës që shërbejnë për të qenë roje kampi dhe që ta detyrojnë popullin të marrë disa masa që nuk kanë asnjë lidhje me mendjen e shëndoshë, as me shkencën e as me Kushtetutën e këtij vendi”, tha Stojkoviq në konferencën për shtyp para Kuvendit kombëtar në Beograd, më 12 nëntor.
Në analizën e publikuar në fund të tetorit në Qendrën Forenzike Dogjitale, Stojkoviq është paraqitur si një person, pikëpamjet e të cilit janë të afërta me ato që i mbron QAnon, gjë të cilën ajo e mohon në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë.
“Në veprimtarinë time absolutisht nuk ka asgjë të afërt me këtë. Mbase ndonjë vëzhguesi neutral mund t’i ngjasojë kështu, por gjithsesi nuk kam asgjë me lëvizjen QAnon”, thotë Stojkoviq.
Ajo thekson që veprimtaria e saj ka nisur në vitin 2015, me rastin e projektligjit për vaksinimin e detyrueshëm.
Siç thotë ajo, janë të pasakta informatat, të cilat janë publikuar në raportin e Qendrës Forenzike Digjitale se në protestën e mbajtur me 17 tetor, të cilin e ka organizuar lëvizja e saj, kanë mundur ë shihen flamuj me simbole QAnon.
Lidhur me konstatimin që qëndrimet që i shpërfaq ajo publikisht për masat epidemiologjike gjatë pandemisë, janë të ngjashme me ato që mund të lexohen në ëeb-faqet QAnon, Stokoviq thotë që ka mjaft njerëz në botë që nuk janë pajtuar me mënyrën dhe masat që po ndërmerren me qëllim të luftimit kundër pandemisë.
Paralajmërimi i FBI-së amerikane
Në fillim të këtij viti, mediat kanë publikuar një letër interne nga Byroja Federale e Hetimit të SHBA-së (FBI) ku thuhej se teoritë politike të konspiracionit “shumë lehtë” mund të motivojnë ekstremistët vendorë që të përfshihen në akte të mundshme kriminale dhe të dhunshme.
Ky vlerësim i tyre është bazuar në shembujt e peronave që kanë kryer sulme ose i kanë planifikuar ato, e të cilat janë të lidhur me bindjet e tyre të bazuara në konspiracione.
Ndër shembujt e personave që ndërmorën masa reale, gjenden edhe disa persona, të cilët, siç pretendohet, kanë qenë duke komunikuar me mbështetësit e QAnon.
Por, Dino, bashkëbiseduesi nga Sarajeva, të cilin e cituam më lartë, i cili edhe vetë thotë që i ndan shumicën e qëndrimeve me pjesëtarët e rrjetit QAnon, konsideron së bëhet fjalë për tjetër gjë.
“QAnon nuk është piketuar si problematik për shkak të informatave të pasakta, rrjetet sociale po ngufaten me gënjeshtra. Për ta paraqesin problem shifrat enorme të njerëzve, të cilët e ndajnë të njëjtin qëndrim – ndryshimi duhet të ndodhë dhe kjo është pashmangshme. Ky ndryshim nuk shkon në favor të tyre, por në favor të njeriut të vogël. Natyrisht që aty ka informata të rrejshme, më mirë të themi sensacione, kjo është normale. Të gjithë kanë qasje në rrjete sociale dhe kjo është e pashmangshme. Ne jemi shumicë, vetëm një numër i vogël i individëve kanë një monopol që na bën skllevër”, thotë Dino, i cili më tej deklaron se beson që për shkak të kësaj “frika e tyre prej nesh është e kuptueshme”.
Ndaj komentit se edhe disa nga postimet e tij u shënuan si të pasakta, Dino thotë se disa prej tyre “veçanërisht ato që lidhen me zgjedhjet dhe vaksinimin, është e dukshme që janë të padëshirueshme në rrjetet sociale”.
Një nga parullat që përdorin mbështetësit e QAnon është “mos u besoni syve tanë, hulumtoni vetë”, është gjithashtu në Instagramin e Dinos. E hulumtuam postimin e Dinos, në Instagram, përmes rrjetit kontrollorëve të fakteve (fact-checker), që e shënoi si të pasaktë.
Të pavërtetat për maskat
Një prej publikimeve të tilla është postimi, në të cilin thuhet që maskat janë të rrezikshme për rrugët respiratore dhe shkaktojnë ujë në mushkëri, ndezje të hundës dhe meningjit tek ata që i bartin.
“Nëse ia merrni stacionit të shëndoshë 35 për qind të oksigjenit, mund ta shndërroni në stacion kanceri për vetëm dy ditë”, thuhet në fotografinë, në të cilën gjendet maska. Në nënshkrimin e citatit qëndron emri i dr. Otto Hainrich Warburg.
Siç thotë AFP, doktor Warburg është fitues i çmimit Nobel, i cili ka vdekur në vitin 1970.
Ish kolegët e tij, me të cilët kanë biseduar nga AFP-ja, thonë që nuk e kanë të njoftuar me këtë deklaratë dhe se kjo nuk mund të arrihet në përfundim në bazë të hipotezave të doktorit.
Bartjen e maskave gjatë pandemisë e ka rekomanduar edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, si dhe Qendra amerikane për parandalimin dhe kontrollin e sëmundjeve.
“Maskat janë një masë kryesore në luftimin e përhapjes, si dhe për shpëtimin e jetës. Maskat ngushtojnë rrezikun potencial të ekspozimit të një personi të infektuar, pavarësisht nëse personi shfaq simptoma apo jo”, thonë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Kjo fotografi është e shpërndarë edhe në Facebook, në shumë faqe, sikurse Zgjimi, Me të vërtetën kundër gënjeshtrës, në të cilën është ndarë 18 herë, si dhe në faqen Pikat e jetës, ku është shpërndarë 410 herë dhe me 157 mijë përcjellës.
“Fakti që njerëzit po përpiqen të na portretizojnë si teoricientë të çmendur konspiracioni është arsyeja pse ne themi se secili duhet të hetojnë vetë”, thotë Dino, duke shtuar se ata janë aty për të "gërvishtur sipërfaqen dhe për të orientuar”.
Nga Facebook-u në Telegram
Pas bllokimit në Facebook, Twitter dhe rrjetet tjera sociale, mbështetësit QAnon janë shpërngulur, pjesërisht, në platformat tjera, sikurse Telegrami. Në këtë mënyrë, në këtë rrjet janë aktive grupet nga Gjermania, Austria, Rusia, or edhe grupet Qanon Ballkan dhe Qanon Bosnja, të cilat kanë dy, gjegjësisht, një parapagues. Në Telegram është aktiv edhe grupi “BallkAnon”, ku është krijuar më 29 tetor dhe ka vetëm shtatë anëtarë. Megjithatë, disa nga videot që janë shpërndarë, tashmë janë bllokuar në platformën YouTube.
Të shtyrë nga ideja që bllokimi i rrjeteve të mëdha shoqërore nënkupton censurën, mbështetësit e QAnon në gjithë botën, por shpërngulen edhe në rrjetet, sikurse Parlera, i cili është i popullarizuar në mesin e personave me orientim të djathtë, por edhe në Gab, rrjeti ky në të cilin thuhet që është “ vendi i lirisë së shprehjes online dhe vendi ku shfrytëzuesit i formësojnë përvojat e veta”.
Pavarësisht fshirjes së llogarive, bllokimit të postimeve, për çfarë arsye kaq shumë njerëz ende përpiqen të ndajnë ide që kufizohen me teoritë e konspiracionit?
Flunke, një gazetar i Politifact, thotë se ai mendon që teoritë e konspiracionit janë të kënaqshme për disa, sepse ato plotësojnë boshllëqet në njohuritë që kanë njerëzit gjatë kohërave të pasigurta. Kjo mund të justifikojë pse interesi për teoritë e QAnon si dhe teoritë e tjera të konspiracionit si dhe dezinformimi u rritën gjatë pandemisë COVID-19.
Mendim të ngjashëm ka edhe Millan Jovanoviq nga Qendra e Forenzikës Digjitale të Malit të Zi.
“Për shkak se ndjenja e ankthit, pasigurisë, mosinformimit dhe urisë së informacionit e inkurajojnë njeriun që të shpjegojë në njëfarë mënyre ngjarjet që janë të huaja për të dhe për shkak të të cilave ai humb kontrollin mbi jetën e përditshme. Për ironi, unë mendoj se ato nuk ndihmojnë në zvogëlimin e këtyre përshtypjeve negative, por përkundrazi vetëm përkeqësojnë përshtypjen e pafuqisë, duke hedhur bazat për teorizim të mëtejshëm", përfundon Jovanoviq.