Ndërlidhjet

Teknologjia, taktikat dhe këshillat turke rezultuan me fitore të Azerbajxhanit në Nagorno Karabak


Ilustrim.
Ilustrim.

Azerbajxhanit i janë dashur vetëm 43 ditë për të fituar sërish territorin e vet afër rajonit të Nagorno Karabakut – shtatë rajonet malore dhe kodrinat që janë pushtuar nga separatistët armenë prej kohës së dështimeve të Bakus në fushëbetejë në fillim të viteve 1990.

Analistët thonë se tre faktorë sqarojnë pse Azerbajxhani ka qenë kaq i suksesshëm në betejë këtë herë: teknologjia, tatikat dhe Turqia.

Alex Melikishvili, analist kërkimor në kompaninë IHS Markit Country Risk, ka thënë se mbështetja turke për Azerbajxhanin e ka bërë luftën “ndryshe nga përleshjet e mëparshme”.

Melikishvili ka thënë se prezenca e aeroplanëve ushtarakë F-16 në këto luftime në Ganca, qytetin e dytë më të madh të Azerbajxhanit ka qenë “konfirmim” se balanci gjeopolitik në Kaukazin Jugor ka shkuar në të mirë të Azerbajxhanit.

Teknologji superiore të armëve

Ndonëse Azerbajxhani nuk ka publikuar ende të dhëna për të vdekur në mesin e trupave të tij, ky vend nuk e ka mbajtur sekret përdorimin e dronëve të tekonologjisë së lartë që ka blerë nga Turqia dhe Izraeli për të kryer sulme ajrore.

Pamjet me dronë, të publikuara nga Ministria e Mbrojtjes së Azerbajxhanit, pas shpërthimit të konfliktit më 27 shtator, kanë pasqyruar shkatërrimin e shkaktuar nga Bakuja – dëmtim të tankeve armene, artilerisë, fortifikimeve tokësore dhe madje edhe të sistemit rus për mbrojtje raketore S-300.

Margarita Karamian, veterane etnike armene e luftës së viteve 1992-1994, nga qyteti Hadrut, ka thënë se ajo ka qenë e shokuar kur ka parë formacionet me gati 30 dronë të Azerbajxhanit “duke errësuar qiellin” mbi Nagorno Karabak, gjatë valës së parë të ofensivës ushtarake të Azerbajxhanit.

E shtyrë të mendojë se kjo ka qenë “luftë ndryshe” në krahasim me atë të viteve 1990, Karamian ka thënë se forcat armene – duke përfshirë djalin e saj dhe burrin – është dashur të mësojnë shpejt për mbrojtje nëntokësore kundër sulmeve ajrore pa pilotë.

Forcat armene kanë qenë thjesht “të tronditura nga superioriteti i Azerbajxhanit në fushëbetejë”, ka thënë Can Kasapoglu, drejtor i Programit Kërkimor për Siguri dhe Mbrojtje në Qendrën për Studime Ekonomike dhe Politikë të Jashtme, me bazë në Stamboll.

Kasapoglu ka thënë se forcave armene u kanë munguar “sensorë adekuatë, mbulim elektronik apo armë kundër dronëve”, për t’u mbrojtur kundër pajisjeve ajrore të Azerbajxhanit.

“Mësimi i parë nga përleshjet mes Azerbajxhanit dhe Armenisë ka qenë brishtësia e njësive tradicionale tokësore – armatimi, mekanizmat dhe fomacionet motorike” në kohën e dronëve ushtarakë të avancuar”, ka deklaruar Kasapoglu.

Si rezultat, Kasapoglu ka thënë se forcat armene janë shtyrë drejt një “tërheqjeje të parregullt dhe të padisplinuar” nga pozicionet fillestare që kanë pasur përgjatë “linjës së kontaktit” prej kur armëpushimi i vitit 1994, i pati dhënë fund luftës paraprake.

“Publikimet e inteligjencës kanë dokumentuar rreth 175 humbje në beteja për forcat pushtuese armene në Nagorno Karabak”, brenda një muaji, ka thënë Kasapoglu.

Fuad Shahbazov, analist në Qendrën për Komunikime Strategjike, me bazë në Baku, është pajtuar se pjesa më e madhe e avantazhit të Azerbajxhanit, duhet t’i atribuohet superioritetit teknologjik.

Shahbazov ka thënë se si anëtare e Organizatës së Traktatit për Siguri Kolektive, Armenia ka mundur “vetëm të sigurojë armë të prodhuara nga Rusia, duke pranuar vetëm disa armë nga Rusia”.

“Rreth 90 deri në 95 për qind e arsenalit të saj, është e përbërë nga Rusia”, ka thënë Shahbazov për Radion Evropa e Lirë.

“Mirëpo Azerbajxhani ka arritur të ndryshojë arsenalin e vet duke importuar armë nga Turqia dhe Izraeli”.

Shahbazov ka theksuar se Bakuja po ashtu ka shfrytëzuar të hyrat e siguruara nga eksportet e naftës dhe gazit natyror gjatë dekadës së fundit, për të blerë armë nga shtetet anëtare të NATO-s.

Ai ka thënë se në mesin e këtyre blerjeve përfshihen sisteme të radarit nga Spanja, artileri të lëvizshme DANA të siguruara nga Republika Çeke më 2018 dhe “dronë të krijuar nga Turqia, Bayraktar”.

“Dronët Bayraktar bartin katër raketa që janë të prodhuara po ashtu nga Turqia”, ka thënë Shahbazov.

“Këta dronë janë përdorur në Libi dhe Siri, dhe kanë rezultuar shumë efektivë kundër të gjitha armëve të prodhuara nga Rusia”.

“Në Siri, këta dronë kanë shkatërruar me lehtësi sistemet ruse për mbrojtje ajrore S-300 dhe S-400 tokë-ajër”, ka pretenduar ai.

Në Libi, dhjetëra sisteme ruse për mbrojtje ajrore Pantsir-1S po ashtu është raportuar të jenë shkatërruar nga dronët luftarakë të Turqisë, Bayraktar TB2 dhe Anka-S.

“Kjo gjë ka shkaktuar zemërim në Rusi sepse Turqia ka prodhuar dronë që janë në gjendje të sulmojnë të gjitha sistemet ruse për mbrojtje, të cilat janë konsideruar nga Rusia si sistemet më efektive në botë, sa i përket mbrojtjes ajrore”, ka thënë Shahbazov.

Kasapoglu ka thënë se avantazhi teknologjik i Azerbajxhanit nuk është vetëm rezultat i luftës dhe dronëve që ka blerë.

Nagorno Karabak: Dikush kthehet e dikush ikë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:07 0:00

Ai ka thënë se vendimtare ka qenë që Turqia i ka transferuar Azerbajxhanit “doktrinën e plotë robotike të luftës dhe konceptin e operacioneve”.

“Është interesante se si fushata e Azerbajxhanit me dronë i ka ngjarë operacionit të Turqisë kundër ushtrisë siriane në fillim të vitit 2020”, ka shkruar Kasapoglu në analizën e tij, të publikuar nga Fondacioni Jamestown, me bazë në Uashington.

Kasapoglu ka thënë se operacionet dhe planifikimet ushtarake të Azerbajxhanit “kanë qenë të njëjta me ato të forcave të ushtrisë turke”, gjatë luftimeve pranverore.

“Ngjashmëria e dytë e madhe ka pasur të bëjë me gjurmimin e mbrojtjes mobile ajrore të armikut”, ka thënë mes tjerash ai.

Shahbazov ka shtuar se Azerbajxhani ka arritur të ekspozojë mbrojtjen ajrore armene, duke e sakrifikuar një flotë ajrore të dizajnuar në periudhën sovjetike, “që mund ta ketë blerë nga Ukraina”.

Të dizajnuar në fund të viteve 1940 aeroplanët e llojit biplanë, konsiderohet “jostabilë” në luftërat moderne.

Mirëpo Shahbazov ka thënë se Bakuja ka përdorur këtë sistem, me mundësi të pilotimit me telekomandë në lartësi të ulëta, kundrejt mbrojtjes armene.

“Ata kanë përgatitur kamuflim duke i bërë që të duken si dronë”, ka sqaruar Shahbazov.

“Armenët kanë publikuar video të atyre që kanë besuar se kanë qenë dronë, duke i rrëzuar nga mbrojtja e tyre ajrore”.

“Mirëpo në realitet, secilën herë që armenët kanë goditur këto pajisje me mbrojtjen e tyre ajrore, dronët e vërtetë të Azerbajxhanit në lartësi më të mëdha, kanë qenë në gjendje që të identifikojnë pozicionet në mënyrë të saktë dhe të shkatërrojnë me lehtësi gjithë mbrojtjen e tyre ajrore”.

Taktikat komanduese të NATO-s

Dhe krejt kjo situatë nuk ka pasur të bëjë vetëm me teknologji e lartë dhe doktrinë që shteti anëtar i NATO-s, Turqia, ka ndarë me Azerbajxhanin.

Pamjet e luftimeve në mediat sociale, si Telegram – fillimisht të shpërndara nga ushtarët e Azerbajxhanit – tregojnë sesi Bakuja ka marrë mësime nga taktikat e koalicionit të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kundër talibanëve në malet e Afganistanit nga viti 2001.

Në këto operacione, trupat e NATO-s nuk janë mbledhur në mijëra, sipas metodave të luftës konvencionale të shekullit 20.

Në brendësi të Afganistanit dhe përgjatë 3,300 kilometrave të kufirit me Pakistanin, ekipet të vogla të specializuara komanduese të SHBA-së, janë dërguar në territorin taliban për të kryer misione “kërko dhe shkatërro”.

Secili ekip komandues amerikan ka qenë përbërje e një grupi ushtarësh – forca speciale amerikane, pjesëtarë të marinës, dhe zyrtarë të CIA-s.

Armenët u vunë zjarrin shtëpive përpara se t'ia dorëzonin fshatin Azerbajxhanit
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:02:02 0:00

Duke punuar së bashku me ushtarët nga Ushtria Kombëtare Afgane, këto ekipe kanë përdorur pajisje të njohura si SOFLAM, një lloj shënjuesi me laser, për të shënjestruar pozicionet e talibanëve në terrenet malore.

Kur një ekip ka gjetur një shënjestër, forcat e koalicionit kanë gjuajtur bombat dhe municion tjetër në drejtim të shënjestrës.

Në ofensivën e Azerbajxhanit në Nagorno Karabak, sulmet fillimisht kanë nisur me dronë, dhe më pas ekipet e Bakus janë përfshirë nëpër pyje dhe kanë pushtuar zonat rreth pjesës ku kanë avanvcuar.

Në Hadrut, vetëm disa ditë para se të dyja palët të përfshiheshin në luftime, armenët etnikë kanë thënë se kanë parë “burra të çuditshëm dhe jo armenë”, që kanë hyrë në shtëpi të braktisura për të krijuar prezencë në qytet.

Të përshkruara si “grupe diversante”, nga Bakuja dhe Jerevani, ekipet azerbajxhanase kanë pasur mundësi që të sigurojnë koordinata nga pozicionet e tyre tokësore, duke dhënë më pas urdhra për raketa dhe armatim tjetër të rëndë nga ajri.

Mustafa Hajibeyli, veteran nga Azerbajxhani në luftën e vitetve 1990, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se këto taktika duket se janë përsëritur përgjatë luftës, derisa forcat e Bakus kanë fituar kontrollin e qytezave dhe fshatrave në Nagorno Karabak, dhe kufirin iranian “duke detyruar armiqtë që të dorëzohen në qytet, pa përleshje të mëdha.

“Ata e kanë bërë këtë gjë në Fazuli dhe Caybrayil (Jrakan), duke fitur kontrollin e maleve të rrethuara dhe kanë tentuar të mbyllin të gjitha rrugët për në qytete – duke detyruar armiqtë që të largohen nga fortifikatat e tyre dhe të ikin”, ka thënë Hajibeyli.

Shahbazov pajtohet se taktikat komanduese, të përdorura nga Shtetet e Bashkuara dhe forcat e NATO-s në Afganistan, janë adoptuar nga Azerbajxhani në luftimet e fundit në Nagorno Karabak.

Ushtarë armenë.
Ushtarë armenë.

“Forcat speciale të Azerbajxhanit janë trajtuar kryesisht nga akademikë të Ushtrisë turke për shumë vjet, ashtu si edhe në akademitë ushtarake pakistaneze”, ka thënë Shahbazov për Radion Evropa e Lirë.

“Ne kemi parë përdorimin e këtyre taktikave edhe në këtë luftë”.

“Azerbajxhani ka marrë mësime të mira nga humbjet që ka pasur më 1990 dhe nga lufta katërditore me forcat armene më 2016”, ka thënë Shahbazov.

“Këtë herë, për ndallim nga betejat e kaluara, Bakuja ka angazhuar grupe diversante që kanë qenë shumë aktive përgjatë linjës së kontaktit”.

“Nëse e kuptoni këtë taktikë, ju mund të shihni të dhëna nëpër video që janë postuar në rrjetet sociale nga zonat e luftimit”, ka thënë ai.

“Në Susa, kur forcat e Azerbajxhanit kanë fituar kontrollin e qytetit, nuk ka qenë sulm i shkallës së gjerë nga artileria e Azerbajxhanit dhe dronët”, ka thënë Shahbazov.

“Susa është rimarrë nga luftimet e ngushta me këto grupe të ndryshme diversante, që kanë hyrë në qytet dhe kanë shtyrë forcat armene që të tërhiqen nga qendra e qytetit – më pas i kanë larguar nga gjithë qyteti”.

“Kjo është hera e parë që Azerbajxhani ka përdorur në mënyrë aktive forcat speciale”, ka thënë ai.

“Dhe ata i kanë përdorur këto grupe të vogla ushtarake diversante për të larguar me forcë armenët”.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG