Ndërlidhjet

Azerbajxhani feston, Armenia në krizë pas marrëveshjes për Nagorno Karabakun


Disa gra azerbajxhanase festojnë arritjen e marrëveshjes së armëpushimit me Armeninë.
Disa gra azerbajxhanase festojnë arritjen e marrëveshjes së armëpushimit me Armeninë.

Qeveria e Armenisë ka paralajmëruar opozitën kundër përpjekjes për një "grusht-shtet". Policia armene u përlesh me demonstruesit të cilët ishin mbledhur në kryeqytet. Mijëra protestues mbushën sheshin qendror të Lirisë së Jerevanit duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit, Nikolla Pashinian.

Turma brohoriti: "Nikolla është një tradhtar" derisa policia bënte përpjekje për të parandaluar tubimin.

Një numër pjesëmarrësish u arrestuan, përfshirë edhe figura të opozitës.

Përpara protestës së opozitës, policia armene paralajmëroi se mbajtja e tubimeve vazhdon të jetë e ndaluar në vend, në bazë të një ligji ushtarak i cili është në fuqi që kur shpërthyen luftimet e fundit më 27 shtator.

Tensionet politike po rriten në vendin e Kaukazit pasi Pashinian nënshkroi një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Rusia me Azerbajxhanin për t'i dhënë fund më shumë se gjashtë javësh luftimesh midis Azerbajxhanit dhe armenëve etnikë në dhe rreth rajonit të shkëputur të Nagorno Karabakut.

Njoftimi për një marrëveshje armëpushimi ngjalli festime në Azerbajxhan. Azerbajxhanasit festuan në rrugët e Bakusë pasi u nënshkrua marrëveshja më 9 nëntor.

Festime në Azerbajxhan pas arritjes së marrèveshjes. Qytetarët mbajnë edhe flamurin e Turqisë, një aleate e Azerbajxhanit.
Festime në Azerbajxhan pas arritjes së marrèveshjes. Qytetarët mbajnë edhe flamurin e Turqisë, një aleate e Azerbajxhanit.

Më 10 nëntor, presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, tha se marrëveshja arriti pas një "kapitullimi" nga Armenia.

Ndërsa në Armeni, demonstruesit, më 10 nëntor, sulmuan ndërtesat qeveritare dhe parlamentin.

Protesta në Armeni pas marrëveshjes me Azerbajxhanin
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:01:25 0:00

Duke folur në televizionin shtetëror, zëvendëskryeministri, Tigran Avinian nuk përjashtoi mundësinë që qeveria aktuale të japë dorëheqjen, por paralajmëroi kundër çdo përpjekjeje "grusht shteti".

"Unë dua të siguroj të gjitha forcat politike se nuk do të ketë tolerancë në këtë çështje", tha zëvëndëskryeministri.

"Nëse është e nevojshme, kjo qeveri do të shkojë, një qeveri e re do të zgjidhet, por ekipi ynë dhe unë personalisht nuk mund të lejojmë ndonjë përpjekje për grusht-shtet", tha Avinian.

Presidenti armen, Armen Sarkisian, ka filluar "konsultime" me përfaqësues të disa partive politike në një përpjekje për të zbutur tensionet dhe për të ruajtur "unitetin" kombëtar, tha zyra e tij.

Sipas marrëveshjes së armëpushimit të ndërmjetësuar nga Rusia, e cila përfshin vendosjen e trupave paqeruajtëse ruse në Nagorno Karabak, Azerbajxhani do të mbajë territorin në rajon dhe zonat përreth të kapura gjatë luftimeve të fundit.

Ajo gjithashtu bën thirrje që forcat armene të dorëzojnë disa zona që ajo mbajti jashtë kufijve të Nagorno Karabakut.

Më shumë se 400 trupa ruse tashmë janë vendosur për të qenë pjesë e një misioni paqeruajtës pesëvjeçar "për të kontrolluar zbatimin e armëpushimit dhe përfundimin e armiqësive në zonën e konfliktit të Karabakut", njoftoi Ministria e Mbrojtjes të Rusisë.

Pothuajse 2,000 trupa ruse do të jenë përfundimisht aktive në rajon dhe ata do të ruajnë të ashtuquajturin "Korridori Laçin" që lidh qytetin kryesor të Nagorno Karabakut, Stepanakert, me Armeninë. Dhjetëra transportues të blinduar të personelit do të vendosen gjithashtu si pjesë e misionit paqeruajtës.

Armëpushimi erdhi pasi forcat azerbajxhanase bënë përparime të mëdha në fushëbetejë, përfshirë raportet se ata po i afroheshin Stepanakert pasi morën qytetin strategjik aty pranë Shushi, të njohur si Susa në Azerbajxhan.

Pse u luftua në Nagorno Karabak?

Nagorno Karabaku njihet si pjesë e Azerbajxhanit, por armenët etnikë që përbëjnë pjesën më të madhe të popullsisë refuzojnë sundimin e Azerbajxhanit. Ata kanë qeverisur rajonin, me mbështetjen e Armenisë, që kur trupat e Azerbajxhanit u dëbuan nga rajoni në një luftë që përfundoi me një armëpushim në 1994.

Që kur luftimet shpërthyen në fund të shtatorit, disa mijëra njerëz besohet të jenë vrarë nga të dy palët.

Përpjekjet për të zgjidhur konfliktin nga Grupi i Minskut i OSBE – i bashkëkryesuar nga Rusia, Franca dhe Shtetet e Bashkuara – nuk kanë sjell ndonjë rezultat që nga viti 1992 dhe tre armëpushime të mëparshme të nënshkruara që kur luftimet shpërthyen përsëri më 27 shtator dështuan të sjellin rezultate.

Roli turk

Marrëveshja për ndaljen e luftimeve përmbanë një referencë të paqartë të një pranie turke në një "qendër të përbashkët monitorimi armëpushimi" - duke shkaktuar konfuzion rreth rolit që forcat turke mund të luajnë në operacionet e ardhshme paqeruajtëse.

Fuad Shahbazov, një analist kërkimor në Qendrën për Komunikime Strategjike me bazë në Baku, i tha Radios Evropa e Lirë se referenca turke ishte e nevojshme që presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, të pranonte të lejonte paqeruajtësit rusë në tokën azerbajxhanase.

"Azerbajxhani ra dakord me paqeruajtësit rusë vetëm me kushtin që ushtarët turq gjithashtu të jenë të pranishëm në vend", tha ai.

Turqia është një aleate e ngushtë e Azerbajxhanit.

"Ne ende po pyesim për detajet - çfarë do të bëjnë forcat turke dhe ku do të vendosen saktësisht. Unë nuk e di nëse do të ketë një numër të madh të trupave turke. Rusia do të jetë qartë e pakënaqur nëse ka një numër të madh të forcave turke", tha ai.

Përgatiti: Kestrin Kumnova

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG