Ndërlidhjet

Mirjana Karanoviq në Prishtinë: Deri në fyt jemi groposur në baltë


Foto nga diskutimi i mbajtur të mërkurën në Festivalin “Kosovo Theater Showcase”.
Foto nga diskutimi i mbajtur të mërkurën në Festivalin “Kosovo Theater Showcase”.

"Shfaqjet teatrore dikur provokonin një shpërthim në shoqëri dhe polemika të mëdha në publik, ndërkaq sot ekziston një tendencë që gjithçka të zbritet në sipërfaqësore, në mënyrë që temat e rëndësishme të mbulohen me pëlhura maskimi dhe që një objekt i madh të mbulohet me rrjetë”, ka deklaruar të mërkurën në Prishtinë, aktorja e njohur nga Beogradi, Mirjana Karanoviq.

Karanoviq, por edhe aktorja tjetër, Jelena Gjuriçiq, kanë qenë të njëzëri se vendet e ish-Jugosllavisë kanë kaluar në një periudhë turbulente, ndërkaq që nga aktorët gjithmonë është pritur shumë më shumë.

Këtë e kanë deklaruar të dy aktoret në një panel diskutimi lidhur me rolin e aktorëve të Ballkanit për promovimin e barazisë gjinore dhe luftën kundër homofobisë dhe nacionalizmit, i cili u mbajt si pjesë e festivalit teatror “Kosovo Theater Showcase” të organizuar nga Jeton Neziraj, drejtor i Qendrës Multimediale në Prishtinë.

Ky festival u hap të martën në mbrëmje pikërisht me shfaqjen "Balava", në të cilën aktrojnë Mirjana Karanoviq, Jelena Gjuriçiq, Jovana Beloviq dhe Isidora Simijonoviq.

Në panelin për diskutim, të cilin, në gjuhën serbe, e drejtoi kryeredaktori i së përditshmes së Prishtinës “Koha Ditore”, Agron Bajrami, me përkthim në gjuhën shqipe, Karanoviq tha se “nuk beson më në fuqinë e teatrit”.

Megjithatë, ajo theksoi që nuk do të zhduket kurrë dhe se ai nuk është vetëm argëtim, por diçka që përfshin nevojat njerëzore.

Ajo gjithashtu foli për të ardhmen e shoqërisë kosovare dhe të asaj serbe, duke vlerësuar që "në marrjen e vendimeve nuk janë përfshirë njerëzit më të mençur”.

“Pra, bëhet fjalë për të ardhmen si një gënjeshtër shumëngjyrëshe, në të cilën, para së gjithash, ju gënjeni të tjerët, se kinse tani po e bëni për të mirën e përbashkët dhe premtoni një të ardhme fenomenale, vetëm nëse më ndiqni mua. Pak a shumë unë e shoh këtë kudo. Ne jemi bllokuar në vizione të rreme të profetëve të rremë, të njerëzve që nuk kanë një vizion për të ardhmen, por që në të vërtetë kënaqen me disa vizione sipërfaqësore që nuk mund të jenë energji për krijimin e një të ardhme të vërtetë”, vlerësoi Karanoviq.

Ajo shtoi që në 30 vjetët e fundit nuk ka ndryshuar asgjë rrënjësisht në vendet e ish-Jugosllavisë dhe se “jemi groposur deri në fyt në baltën tonë”.

Prandaj, siç tha ajo, i është kthyer ardhmërisë së saj.

“Unë jam duke luftuar kundër asaj ndjenje të dëshpërimi që kaq pak gjëra kanë ndryshuar”, tha Karanoviq.

Duke folur për ardhjen në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtinë, Jasna Gjuriçiq, theksoi që vendi i saj është Jugosllavia dhe se i kundërshton të gjithë ata që dëshirojnë ta detyrojnë që të harrojë një pjesë të jetës së saj “që ishte e bukur”.

“Pra, për mua është një gjë krejt e natyrshme që të jem këtu tani (në Prishtinë), ose në Bosnjë, në Kroaci. Ne jemi shumë të vegjël madje edhe përbrenda këtyre shteteve sa për të mërzitur njëri-tjetrin. Thjeshtë, kemi nevojë për një energji tjetër, diçka ndryshe, por përsëri e afërt, sepse është fqinji ynë i parë, sepse e flasim të njëjtën gjuhë. Kjo është e mrekullueshme. Kultura dhe punëtorët e kulturës ishin të parët që filluan të gjitha këto dhe disi u lidhëm më natyrshëm ", theksoi Gjuriçiq.

Ajo shtoi që pikërisht bashkëpunimi i njerëzve nga fusha e kulturës ka kontribuuar për hapjen e çështjeve të rëndësishme, të cilat i për çdo ditë i shqetësojnë të gjitha shoqëritë.

“Ju patët këtu një përpjekje të shkëlqyeshme nga Miki Manojloviç me Romeo dhe Xhulieta. Unë e pashë atë shfaqje, ishte e mrekullueshme, ishte e bazuar, shumë e rëndësishme ... Shumë njerëz e panë atë në Beograd dhe ti i shikon ata aktorë të rinj që funksionojnë në mënyrë fantastike”, shprehet Gjuriçiq.

Ndërkaq, Mirjana Karanoviq theksoi se në çdo shoqëri ekziston dikush që kritikon pushtetin, gjegjësisht, që tërheq vërejtjen për atë se çfarë është e gabuar dhe se njerëzit e tillë shpeshherë nuk janë pranuar mirë.

Ajo mori shembull veten kur në Serbi shpeshherë i janë “ngjitur etiketa” për shkak të kritikave që shpeshherë janë keqinterpretuar.

“Unë nuk i urrej serbët, nuk e urrej asnjë komb. Por, i urrej ata që kanë bërë gjëra të këqija”, theksoi Karanoviq.

Ajo tha se gjatë viteve të 90-ta, besonte që e kishte fuqinë për të parandaluar gjërat e shëmtuara dhe të këqija që filluan të ndodhnin atëherë.

“Ky ka qenë mashtrimi im. Nuk pendohem për këtë. Ishte (mashtrim) i madh dhe njerëzor dhe unë investova energjinë personale që të bëja atë mrekulli për të cilën besoja se është e mundur. Ajo mrekulli nuk ndodhi”, u shpreh Karanoviq.

Gjuriçiq tha se për një moment kishte besuar që njerëzit nga vendet e ish-Jugosllavisë, në një moment kishin nisur të ecin përpara, por “kjo zgjati shumë shkurt”.

“Tash, disi jemi sërish bashkë të gjithë, por nuk e di se ku. Dhe sërish hapet hapësira e skenës ku unë kam diçka për të thënë”, theksoi Gjuriçiq.

Të premten (më 30 tetor), në Prishtinë, në kuadër të festivalit “Kosovo Theater Showcase” do të mbahet edhe diskutimi me temën “Teatri i Kosovës, para, gjatë dhe pas pandemisë”.

Të gjitha ngjarjet në kuadër të festivalit janë të hapura për pjesëmarrjen e publikut, por duke respektuar në mënyrë obligative masat dhe vendimet e institucioneve relevante kundër koronavirusit.

“Kosovo Theater Showcase” do të zgjasë deri më 1 nëntor. Ky festival është duke u realizuar nga Qendra Multimediale e Prishtinës.

Përgatiti: Bekim Bislimi

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG