Ndërlidhjet

Shfaqja nga Beogradi hapi festivalin e teatrit në Prishtinë


Pamje nga shfaqja Balava (Jargëmadhe).
Pamje nga shfaqja Balava (Jargëmadhe).

Edicioni i tretë i festivalit të teatrit, "Kosovo Theater Showcase" filloi të martën (27 tetor) në Teatrin Oda në Prishtinë me shfaqjen "Balava", (Jargëmadhe) e produksionit Heartefact Fund në Beograd.

Ky festival përkrah mbrojtjen e vlerave demokratike, respektimin e të drejtave të njeriut dhe lirinë e fjalës.

Aktorët nga Serbia, Mirjana Karanoviq, Jasna Gjuriciq, Jovana Belloviq dhe Isidora Simijonoviq, në shfaqjen "Balava", drejtuar nga Andrej Nosov, ngrisin pyetje të rëndësishme për rolin e grave në shoqërinë e sotme.

"Kosovo Theater Showcase" zgjat deri më 1 nëntor, dhe është organizuar në kuadër të projektit "Reconnection 2.0", mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, dhe implementuar nga Qendra Multimedia nga Prishtina.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë (RFE), drejtori i kësaj Qendre, Jeton Neziraj, shprehu kënaqësinë e tij për numrin e madh të të interesuarve për të parë shfaqjen “Balava”.

“Nuk kemi pritur që të vijnë kaq shumë njerëz, kemi pasur problem me biletat. Njerëzit janë të etur për teatër, por sonte kishim edhe dy yje nga Beogradi, Mirjana dhe Jasna. Publiku e ndoqi këtë shfaqje shumë serioze ”, thotë Neziraj.

Adrian Zeqiri nga Prishtina e pëlqeu shfaqjen "Balava" sepse flet për "probleme njerëzore që mundojnë të gjithë, pavarësisht nga gjuha dhe kombi".

"Duhet të ketë më shumë shfaqje të tilla, kultura nuk ka kufij," beson Zeqiri.

Shfaqja "Balava" do të interpretohet edhe në Ferizaj të mërkurën (28 Tetor), dhe kjo do të jetë gjithashtu shfaqja e parë e aktorëve serbë në atë qytet pas vitit 1999.

Neziraj mezi pret të shohë sesi do të shkojë kjo performancë.

"Unë do të jem atje nesër dhe më intereson vërtet sesi do të shkojë, duke pasur parasysh që kjo do të jetë shfaqja e parë në gjuhën serbe që do të luhet jashtë Prishtinës," deklaron ai.

Deri më 1 nëntor, publiku do të jetë në gjendje të shohë nëntë shfaqje të tjera, tetë të interpretuara nga aktorë të Kosovës, dhe përveç "Balavas" të interpretuar nga aktore nga Beogradi do të prezantohet edhe shfaqja "Natën, Ma" me aktorët nga Shqipëria.

Të gjitha ngjarjet brenda festivalit "Kosova Theater Showcase" janë të hapura për pjesëmarrjen fizike të audiencës, por është e detyrueshme të respektohen masat dhe vendimet e institucioneve përkatëse për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG