Ndërlidhjet

"Kërcënimi i papërllogaritur” i Listës Serbe për daljen nga institucionet


Përfaqësuesi i Listës Serbe, Goran Rakiq, i cili njëherësh është edhe zëvendëskryeministër në Qeverinë e Kosovës.
Përfaqësuesi i Listës Serbe, Goran Rakiq, i cili njëherësh është edhe zëvendëskryeministër në Qeverinë e Kosovës.

Kërcënimi i përfaqësuesve politikë të serbëve të Kosovës se do t’i braktisin institucionet qendrore dhe lokale në rast se nuk formohet së shpejti Asociacioni i komunave me shumicë serbe, shërben si formë presioni dhe shantazhi ndaj Qeverisë së Kosovës, sidomos marrë parasysh brishtësinë që ka kjo e fundit, thotë politologu Ramush Tahiri. Megjithatë, sipas tij, edhe nëse kërcënimet realizohen, serbët nuk do të fitonin asgjë.

Natasha Dragojloviq, koordinatore e Konventës kombëtare të Serbisë për Bashkimin Evropian, thotë për Radion Evropa e Lirë se kushdo që ka marrë vendimin për kërcënimin me braktisje të institucioneve të Kosovës nga serbët, nuk i ka përllogaritur mirë dobitë dhe dëmet.

Petar Petkoviq, drejtor i ri i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, gjatë një takimi me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës të mbajtur në Beograd, ka theksuar se nëse Prishtina nuk e zbaton detyrimin nga Marrëveshja e Brukselit, atëherë edhe detyrimet e Serbisë nga ai dokument do të pushojnë. Ai paralajmëroi se Serbia do ta konsiderojë edhe daljen e serbëve nga institucionet e Kosovës.

Pas kësaj deklaratë të Petkoviqit edhe Goran Rakiq, përfaqësues i Listës Serbe dhe aktualisht zëvendëskryeministër në Qeverinë e Kosovës, ka theksuar se serbët e Kosovës do ta shqyrtojnë se kur do t’i braktisin institucionet e Kosovës.

Lidhur me deklaratat e zyrtarëve të Beogradit, e në veçanti të deklaratës së zëvendëskryeministrit të Kosovës, Rakiq, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se qeveria që ai drejton nuk pranon asnjë kërcënim prej askujt dhe nuk punon nën kërcënimet e askujt.

“Kemi disa marrëveshje të koalicionit me të gjithë, përfshirë edhe Listën Serbe për aq kohë sa i përmbahemi të gjithë kësaj marrëveshje”, deklaroi kryeministri Hoti.

Tahiri: Shantazhi i Listës Serbe, vetëm si presion

Politologu Ramush Tahiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se kërcënimet e tilla nga Beogradi zyrtar dhe Lista Serbe nuk po bëhen për herë të parë. Veprimet e tyre, sipas tij, janë gjithmonë të koordinuara, marrë parasysh që Beogradi zyrtar e ka të gjithë kontrollin mbi këtë subjekt politik. Aktualisht, sipas tij, shantazhi i Listës Serbe ndaj Qeverisë së Kosovës mund të ketë sukses vetëm në pjesën ku votat e saj janë të rëndësishme për mbajtjen e qeverisë në pushtet. Por, siç thotë ai, në sistemin e përgjithshëm të vendit, shantazhi i Listës Serbe nuk mund të ketë sukses.

Megjithatë, sipas tij, edhe në rast se kërcënimi i Listës Serbe është real dhe do të ketë veprim konkret nga ajo, Kosova duhet të ballafaqohet me këtë dhe t’i marrë masat adekuate të funksionimit të sistemit të saj në gjithë territorin e vet. Këto masa, siç thekson Tahiri, nuk janë represive, por janë substituim i funksionimit të shtetit, për shkak se qytetarët duhet t’i kryejnë obligimet, por edhe t’i marrin shërbimet, si dhe që shteti të shtrihet në gjithë territorin e Kosovës.

“Unë, personalisht, nuk besoj që (presidenti i Serbisë, Aleksandar) Vuçiq do të shkojë në këtë masë. Ai thjesht e llogaritë një lloj presioni, për të fituar kohë dhe që të përpiqet që ta animojë bashkësinë ndërkombëtare. Përndryshe, edhe Vuçiq, edhe Rakiq dhe Lista Serbe, e dinë që askush në Kosovë nuk mund të krijojë Asociacion, as me vullnet e as me zor dhe në asnjë mënyrë tjetër, i cili nuk është në harmoni me rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese”, theksoi Tahiri.

Ai shtoi se formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe jashtë rekomandimeve të Gjykatës Kushtetuese do të nënkuptonte rrënim të institucioneve të sistemit të Kosovës.

Natasha Dragojloviq, koordinatore e Konventës kombëtare të Serbisë për Bashkimin Evropian, thotë për Radion Evropa e Lirë që sipas Marrëveshjes së Brukselit, Prishtina është e obliguar tërësisht që të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Por, sipas saj, dalja e serbëve të Kosovës nga institucionet e kësaj të fundit, do të ishte një masë radikale e Beogradit me efekte të pasigurta.

“Më intereson ta di se vendim i kujt është ky, kush e ka sjellë dhe në bazë të cilave analiza. Gjithashtu më intereson se a janë përllogaritur të gjitha përfitimet dhe shpenzimet e zbatimit të një mase të tillë, e cila është e arsyeshme, por çështja është se sa ajo do të ishte në dobi ose në dëm të Serbisë”, theksoi Dragojloviq.

Serbët nuk përfitojnë asgjë

Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013, e arritur nga Kosova dhe Serbia, parasheh formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në vitin 2015, Serbia dhe Kosova kanë arritur edhe një Marrëveshje shtesë për parimet e themelimit e këtij Asociacioni.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se në 23 pika të marrëveshjes, parimet nuk janë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

Përderisa Serbia po këmbëngulë që çështja e Asociacionit të jetë temë e negociatave në tavolinën e dialogu në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Hoti e ka hedhur poshtë një mundësi të tillë. Ai ka thënë se Asociacioni do të formohet vetëm mbi bazën e vlerësimeve që ka dhënë Gjykata Kushtetuese e Kosovës dhe vetëm pas arritjes së një marrëveshje finale, që nënkupton njohjen e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë, politologu Tahiri thotë se kërcënimet që vijnë nga Beogradi zyrtar dhe nga Lista Serbe, se kjo e fundit mund t’i braktisë institucionet e Kosovës, janë shantazh i përllogaritur ndaj qeverisë së brishtë të kryeministrit Hoti, e cila, siç thotë ai, ka vetëm 61 vota në Kuvendin e Kosovës. Pa votat e Listës Serbe, sipas tij, kjo qeveri do t’i kishte vetëm 51 vota dhe kjo do t’i hapte rrugë partive opozitare që ta rrëzojnë qeverinë.

“Do të thotë, Qeveria Hoti mund të rrëzohet, por serbët nuk fitojnë asgjë me shkuarjen në zgjedhje sepse asnjë qeveri tjetër nuk mund të krijojë Asociacionin jashtë kompetencave ligjore dhe rekomandimit të Gjykatës Kushtetuese. Nuk besoj që në këto kohë edhe Vuçiqit, si përfaqësues i politikës së Serbisë, i konvenon që t’i provokojë zgjedhjet në Republikën e Kosovës. Përndryshe, zgjedhjet janë një proces normal”, theksoi Tahiri.

Por, Dragojloviq shpreh mendimin që Prishtina për vite të tëra nuk po i përmbushë obligimet që dalin nga Marrëveshja e Brukselit, e nënshkruar në prill të vitit 2013. Ajo thekson që Serbia disa herë është kërcënuar se do të ndalojë së respektuari ato vendime dhe ka vlerësuar që është e domosdoshme që Bashkimi Evropian dhe bashkësia ndërkombëtare të ushtrojnë presion ndaj palës së Kosovës, që të zbatojë atë që e ka nënshkruar.

“Është koha e fundit që dikush që është autoritet për Prishtinë, t'ia bëjë asaj me dije që mosrespektimi i obligimeve ndërkombëtare nuk mund ta kualifikojë si aktor ndërkombëtar. Ata po pretendojnë karrigen në Kombet e Bashkuara dhe kjo nënkupton që pa ankesa duhet t’i pranojnë obligimet e veta. Është fakt që Serbia i ka përmbushur obligimet e veta nga Marrëveshja e Brukselit dhe që pala tjetër nuk e ka përmbushur obligimin për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, nga i cili dokument është hapur rruga drejt normalizimit të marrëdhënieve”, theksoi Natasha Dragojloviq.

I dërguarit i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, të martën ka arritur në Prishtinë. Nga zyrtarët e Bashkimit Evropian është thënë se çështja e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, do të jetë temë kryesore në takimet e Lajçakut me përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës.

Më herët, zyrtarët e BE-së kanë thënë se pala kosovare duhet të propozojë modalitete për mekanizmin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Facebook Forum

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG