Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, në takim me përfaqësuesin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se Asociacioni i Komunave Serbe, duhet të themelohet vetëm sipas interpretimit të Gjykatës Kushtetuese.
Në njoftimin e Kuvendit të Kosovës, pas takimit, u tha se Osmani ka kërkuar nga Lajçak që të mos lejohet "bosnjëzimi i Kosovës".
Osmani po ashtu ka kërkuar që BE-ja t’i bëjë presion Serbisë për zbatimin e marrëveshjeve që janë arritur në dialog, si dhe t’i ketë parasysh deklarimet që përfaqësojnë gjuhë të urrejtjes të një pjese të zyrtarëve shtetërorë të Serbisë.
I ngarkuari i BE-së për bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, po qëndron për vizitë në Kosovë. Të martën, më 13 tetor, Lajçak zhvilloi takim edhe me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti, ndërkohë që do të ketë takime edhe me liderë dhe përfaqësues të tjerë politikë.
Vizita e tij në Kosovë bëhet një ditë pasi ai u raportoi ministrave të Jashtëm të BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Zyrtarët e Brukselit kanë thënë se Lajçak viziton Prishtinën dhe Beogradin për të diskutuar "zhbllokimin e çështjes së Asociacionit të komunave me shumicë serbe".
Marrëveshja e Brukselit është dokumenti i parë mbi normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës, të cilin të dyja palët e nënshkruan në Bruksel më 2013 me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Nga gjithsej 15 pika, e para ka të bëjë me Asociacionin e Komunave Serbe. Aty thuhet: "Do të ketë një bashkësi të komunave në të cilat serbët përbëjnë shumicën e popullsisë në Kosovë. Anëtarësimi do të jetë i hapur për çdo bashkësi tjetër, me kusht që anëtarët të bien dakord për këtë".
Pesë pikat e ardhshme të dokumentit specifikojnë mënyrën e formimit të Asociacionit, bazuar në statut, parashikohet zgjedhja e Presidentit, zëvendës- presidentit, Asamblesë dhe Këshillit, si dhe kompetencat në bazë të së cilave Asociacioni do të ketë kontroll të plotë mbi zhvillimin ekonomik dhe rural, arsimin, shëndetësinë dhe urbanizëm.
Në vitin 2015, dyja vendet, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për parimet e themelimit e këtij Asociacioni. Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se në 23 pika të marrëveshjes, parimet nuk janë në harmoni me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.