Ndërlidhjet

Opozita ende kundër përfshirjes në dialog


Ilustrim.
Ilustrim.

Partitë politike, si ato në pushtet dhe në opozitë, vazhdojnë të mbajnë qëndrime të ndryshme sa i takon nevojës për arritjen e unitetit politik, sidomos për çështjen e dialogut me Serbinë.

Në Qeverinë e Kosovës dhe zyrtarë të partive politike që e përbëjnë koalicionin qeverisës, thonë se vetëm duke qenë të bashkuar dhe unik mund të arrijnë rezultate në procesin e dialogut me Serbinë.

Kurse, në Lëvizjen Vetëvendosje, parti kjo në opozitë, theksojnë se nuk mund të ketë as unitet as pretendime për bashkëpunim me një qeveri e cila, siç thonë, është pa legjitimitet.

Pas ngritjes së aktakuzës nga Zyra e Prokurorit Special, kundër presidenti Hashim Thaçi, dhe kryetari të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, si asnjëherë më parë është i nevojshme uniteti politik, thonë përfaqësuesit e partive politike në pushtet.

Deputetja Teuta Haxhiu nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, parti kjo që është pjesë e koalicionit qeverisës, tha se gjithmonë kur fitet për dialogun, të gjitha forcat politike duhet ta vendosin interesin e vendit para interesit partiak.

"[Tash] uniteti kërkohet më shumë sesa kurdoherë. Gjithmonë kur flitet për dialogun, ne nuk mund të jemi të fuqishëm deri sa nuk jemi bashkë. Pra, të shohim interesin e vendit. Interesi i vendit kërkon një unitet të forcave politike karshi Serbisë, pra që të jemi më të fuqishme në tavolinat e dialogut, pastaj kemi kohë për politikën tonë të brendshme”, tha Haxhiu.

Edhe në Lëvizjen Vetëvendosje thonë se uniteti dhe bashkëpunimi i brendshme është gjithmonë i rëndësishëm dhe i nevojshëm, sidomos kur Kosova përballet me Serbinë. Por, sipas këtij subjekti opozitar, arritja e unitetit duhet të bëhet në mënyrë të natyrshme dhe përmes legjitimitetit të institucioneve.

Arbërie Nagavci nga Lëvizja Vetëvendosje, njëherësh nënkryetare e Kuvendit të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se as pas zhvillimeve të fundit nuk mund të ketë një unitet e as pretendim për një bashkëpunim me një qeveri, e cila sipas saj është jolegjitime.

"Kjo është një qeveri krejtësisht jolegjitime. Situata që ndodhi tash me njoftimet e fundit në raport me veprimet në Gjykatës Speciale, pikërisht me përgatitjen për aktakuzë, veçse e tregon se duhet të kemi përfaqësues shumë kredibil edhe me kompetenca të plota e legjitimitet të plotë edhe nga ana e Republikës së Kosovës”, tha Nagavci.

Nagavci tha se për të pasur një unitet të fuqishëm dhe që gjërat të ecin për së mbari, duhet të ketë një proces të ri zgjedhor.

"Në mënyrë që të jemi plotësisht të përgatitur edhe të jemi përfaqësues që vërtetë kemi dalë nga vullneti i qytetarëve, do të duhej që fillimisht të ketë zgjedhje të reja, pastaj të vazhdojmë tutje. Si mund të pritet që të ketë unitet dhe një paraqitje dinjitoze në raport me Serbinë, kur paraprakisht qeveria i mori të gjitha masat që ta gjunjëzojë Kosovën duke hequr edhe reciprocitetin", u shpreh ajo.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian (BE) synojnë të vazhdojnë përpjekjet për rifillimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, por në këto plane, nuk e përfshijnë më presidentin, Hashim Thaçi, i cili i ka udhëhequr negociatat me Serbinë në emër të Kosovës për vite me radhë.

Zyrtarët e BE-së kanë njoftuar se pas këtyre zhvillimeve ata nuk e konsiderojnë më presidentin e Kosovës, një partner në procesin e dialogut.

"Në reagimet tona deri më tani, ne kemi thënë midis rreshtave, se do të ishte më mirë që ai (Thaçi) të përqendrohet në aktakuzën e tij dhe se derisa çështja të zgjidhet, pra të ketë një aktgjykim, nga ana e BE-së do të ketë shumë pak ndërveprim me të", ka thënë për Radion Evropa e Lirë një zyrtar evropian që merret me procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

Kurse, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka theksuar se dialogun ka nuk ka alternativë tjetër dhe se Kosova është e gatshme ta rinisë atë. Hoti ka ripërsëritur në mbledhjen e qeverisë se dialogu do të udhëhiqet nga kryeministri.

Sidoqoftë, procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, i cili si qëllim është thënë se ka normalizimin e raporteve dhe arritjen e një marrëveshjeje paqësore mes dy vendeve, aktualisht është i bllokuar dhe ende nuk ka rinisur.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG