Ndërlidhjet

Qeveria merr vendim për themelimin e Këshillit të Ekspertëve për dialogun me Serbinë


Qeveria e Kosovës, foto nga arkivi
Qeveria e Kosovës, foto nga arkivi

Qeveria e Kosovës, të mërkurën, në mbledhjen e kabinetit, ka marrë vendim për të themeluar Këshillin e Ekspertëve për dialogun me Serbinë.

Zëvendëskryeministri, Driton Selmanaj, tha se ky organ do të funksionojë në kuadër të Zyrës së kryeministrit dhe se detyrë e anëtarëve të këshillit do të jetë përpilimi i analizave specifike dhe këshillimi i kryeministrit dhe qeverisë për çështjen e dialogut me Serbinë.

“Këshilli do të përgatisë raporte dhe dokumente për pozicionin e Kosovës në dialog”, tha Selmanaj.

Ende nuk dihet emrat e anëtarëve të këtij këshilli.

Pas themelimit të Këshillit, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, pritet të emërojë koordinatorin e Qeverisë së Kosovës për dialog.

Në hapje të mbledhjes së Qqeverisë së Kosovës, kryeministri Avdullah Hoti, tha se pavarësisht zhvillimeve të fundit, dialogu nuk ka alternativë dhe se Kosova është e gatshme për të rifilluar këtë proces. Ai tha se tema kryesore në dialog duhet të jetë njohja reciproke.

Dialogu Kosovë-Serbi është ndërprerë në fund të vitit 2018 për shkak të tarifës që kishte vendosur Qeveria e Kosovës ndaj mallrave serbe.

Barrierat tregtare janë hequr dhe Bashkimi Evropian është shprehur se planifikon rifillimin e dialogut.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian (BE) synojnë të vazhdojë përpjekjet për rifillimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, por në këto plane, nuk e përfshijnë më presidentin, Hashim Thaçi, i cili i ka udhëhequr negociatat me Serbinë në emër të Kosovës për vite me rradhë.

Zyrtarët e BE-së kanë njoftuar se pas aktakuzës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë, për krime lufte, ndaj Thaçit, ata nuk e konsiderojnë më presidentin e Kosovës, një partner në procesin e dialogut.

Javën e kaluar, një prokuror i specializuar në Hagë tha se ka paraqitur aktakuzë kundër presidentit të Kosovës, nën dyshimin se është i përfshirë në krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Thaçi vendosi të qëndrojë në pozitën e presidentit, duke thënë se ai do të jepte dorëheqje vetëm nëse konfirmohen pretendimet në aktakuzë, nga ana e gjykatësit të procedurës paraprake.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG