Ndërlidhjet

Prodhuesit kosovarë heqin dorë nga tregu i Serbisë


Foto nga arkivi
Foto nga arkivi

Lëngjet e frutave që prodhon kompania kosovare Frutomania, kanë depërtuar edhe në tregun e Afrikës së Jugut dhe në shumë shtete të tjera, duke përfshirë edhe Lindjen e Mesme.

Mirëpo, në shtetin fqinj, Serbinë, kjo kompani nuk ka eksportuar asnjëherë, për shkak të barrierave të vazhdueshme që i kanë pasur.

Pronari i kësaj kompanie, Armend Malazogu, thotë për Radion Evropa e Lirë se kanë tentuar disa herë që të eksportojnë në Serbi, por kamionët e tyre janë kthyer mbrapshtë.

“Njëra prej arsyeve dhe e vetmja dhe kryesorja, është që kodi i Republikës së Kosovës nuk është i regjistruar në kodin doganor të Serbisë dhe si i tillë Dogana e ka të pamundur që produktin e Kosovës ta zhdoganojë dhe të futet në tregun serb. Mos të flasim pastaj që certifikatat fito-sanitare të leshura nga institucionet e Kosovës nuk njihen nga ato serbe, kështu që na pamundëson eksportin në shtetin serb”, thotë Malazogu.

Kodi Doganor është dokument që përcakton rregullat doganore. Ky Kod bën rregullimin e elementeve bazë të sistemit për mbrojtjen doganore të ekonomisë së Republikës se Kosovës dhe të drejtat e obligimet e të gjithë pjesëmarrësve, në zbatimin e legjislacionit doganor.

Problem të ngjashëm ka pasur edhe veraria Bodrumi i Vjetër në Rahovec. Drejtori komercial i kësaj verarie, Fidan Haxhijaha, tregon për Radion Evropa e Lirë, se Bodrumi i Vjetër prodhon rreth 5 milionë litra verë në vit.

Tetëdhjetë për qind e këtij prodhimi eksportohet në vende të ndryshme, por jo edhe në Serbi.

“Çdo eksport që shkon për Serbi, nëse është i paketuar dhe shkruan Republika e Kosovës, atëherë është i pamundur të bëhet ai eksport, nuk e pranojnë. Për këtë arsye, ne jemi të detyruar që të eksportojmë kur kemi stoqe pak më tepër, por në sistemin refuz, jo të paketuar”, thotë Haxhijaha.

Problemet vazhdojnë edhe pas heqjes së të gjitha masave nga ana e Kosovës.

Me problemet që kanë prodhuesit kosovarë është e njoftuar edhe Aleanca Kosovare e Biznesit. Kryetari Agim Shahini, thotë për Radion Evropa e Lirë se barrierat që shteti i serb i vë prodhuesve kosovarë, janë të trashëguara me vite.

“Herë nuk e pranon certifikatën fito-sanitare, por edhe produktin që shkruan Made in Kosova. Këto janë vështirësi të vazhdueshme. Derisa në Kosovë vazhdojnë të hynë produktet e Serbisë pa ndonjë problem në tregun tonë”, thotë Shahini.

Qeveria e Kosovës, ka hequr të gjitha masat që kanë qenë të vendosura për mallrat serbe, në mënyrë që t’i hapet rrugë vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Një të tillë është kërkuar që ta bëjë edhe Serbia, që prodhuesit kosovarë të mund të eksportojnë në tregun serb. Megjithatë, bizneset e Kosovës vazhdojnë të përballen me pengesa të ndryshme.

Para vendosjes së tarifës doganore për mallrat me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, në nëntor të vitit 2018 të vendosur nga ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, Serbia ishte eksportuesja më e madhe e produkteve në Kosovë.

Ky shtet brenda një viti eksportonte në Kosovë mallra në vlerë prej rreth 450 milionë eurosh.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG