Shaip Kamberi nga radhët e Partisë për Veprim Demokratik, dhe Argjend Bajrami nga Partia Alternativa për Ndryshim, nga Lugina e Preshevës, sipas rezultateve preliminare, do të jenë deputetët e rinj shqiptarë në Kuvendin e Serbisë.
Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Kamberi tha se ende nuk është qartë se a do të arrihet që shqiptarët të kenë edhe një ulëse të tretë, e cila, siç tha ai, mund të jetë për Partinë Demokratike nga Bujanoci.
Të dielën në Serbi u mbajtën zgjedhjet parlamentare, lokale dhe ato krahinore.
Rezultatet preliminare kanë treguar se partia e presidentit Serb, [Partia Progresiste Serbe ] Aleksandar Vuçiq, ka fituar mbi 60% të votave.
Në këto zgjedhje parlamentare në Serbi, për të parën herë në tre dekadat e fundit, shqiptarët nga Lugina e Preshevës janë bashkuar, duke marrë pjesë në zgjedhje me një listë të përbashkët.
Kryetari i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, duke folur për Radion Evropa e Lirë, pjesëmarrjen e shqiptarëve në zgjedhje, e ka konsideruar si të rëndësishme.
"Ky është një fuqizim i shqiptarëve në nivel qendror dhe besoj që përmes këtij fuqizimi të synojmë të realizojmë interesat tona dhe zgjidhjen e problemeve me të cilat ballafaqohemi", tha Kamberi.
Ai shtoi se me fuqizimin e shqiptarëve, shumë çështje problematike do të ngriten për t’u zgjidhur.
"Problemet në arsim e zhvillim ekonomik janë disa nga temat, të cilat ne i kemi adresuar me kohë dhe për të cilat autoritetet në Beograd janë të njoftuara. Interesi ynë është që të kemi një përfshirje sa më të madhe të shqiptarëve në institucionet e shtetit, në nivel të komunave tona e jo të kemi ndonjë post ministror pa rëndësi apo sekretar shtetëror", tha Kamberi.
Përfaqësuesit e tjerë të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, pjesëmarrjen në zgjedhje si parti të bashkuara e kanë vlerësuar si një të arritur të madhe.
Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafa, tha për Radion Evropa e Lirë se është shumë e rëndësishme që faktori shqiptar të vazhdojë të jetë i bashkuar dhe në këtë mënyrë, siç u shpreh ai, të zgjidhen problemet e shqiptarëve.
"Ka nevojë edhe më tej të ketë angazhim në drejtim të unifikimit për një qasje politike të përbashkët, në mbrojtje të interesave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës", tha Mustafa.
Kryetari i Komunës së Preshevës, Shqipërim Arifi, nga partia, Alternativa për Ndryshime, duke folur për rezultatin e zgjedhjeve, tha për Radion Evropa e Lirë, se nuk mund të priten rezultate të shpejta në të mirë të shqiptarëve. Ai konsideron se unifikimi i partive politike shqiptare ka qenë dhe është shumë i rëndësishëm.
"Kjo nuk ka menjëherë ndikim te jeta e shqiptarëve, po kjo ka një dimension me të gjerë dhe me të thellë dhe në afat me të gjatë ka ndikim pozitiv edhe në jetën e shqiptarëve", tha ai.
Në fillim të këtij viti në Tiranë, partitë politike shqiptare, Partia për Veprim Demokratik, Alternativa për Ndryshime, Lëvizja për Progresin Demokratik, Lëvizja për Reforma e Partisë Demokratike Shqiptare dhe Partia Demokratike, kanë arritur marrëveshje për të marrë pjesë në zgjedhje bashkë, me ndërmjetësimin e ministrit në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Gent Cakaj.
Shqiptarët që jetojnë në komunat në jug të Serbisë, Preshevë, Medvegjë e Bujanoc thonë se ndaj tyre bëhet diskriminim i vazhdueshëm nga shteti serb.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se shqiptarët e Luginës së Preshevës do të kenë më shumë deputetë që do të mbrojnë të drejtat e tyre në Parlamentin e Serbisë.
Ai i ka bërë këto komente pas zgjedhjeve të mbajtura në Serbi më 21 qershor.
“Bashkërendimi i veprimeve politike jep gjithmonë rezultate dhe Alternativa Demokratike Shqiptare është shembull i mirë për t’u ndjekur nga bashkëkombësit tanë kudo që jetojnë”, ka thënë Thaçi, përmes një postimi në rrjetin social, Facebook.
Ende nuk ka një numër të saktë se sa shqiptarë jetojnë në Serbi, pasi ata kanë bojkotuar regjistrimin e fundit të popullsisë në këtë shtet, të organizuar më 2011.