Ndërlidhjet

Me diplomë të Kosovës nuk mund të punësohesh në Serbi


Mosnjohja e diplomave nga Serbia mban peng të rinjtë shqiptarë
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:04:07 0:00

Mosnjohja e diplomave nga Serbia mban peng të rinjtë shqiptarë

Fismir Jahiu nga Komuna e Bujanocit në Serbi ka përfunduar studimet në Universitetin e Prishtinës në Kosovë, por, diploma e tij, nuk njihet nga autoritetet në Serbi, pavarësisht marrëveshjes për njohje reciproke të diplomave të arritur ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Për të punuar në administratën shtetërore, thotë ai, kërkohet që kandidati të ketë një shkollim të lartë.

“Konkurset që shpallen në Republikën e Serbisë nëse janë konkurse publike nga administrata shtetërore, atëherë kërkohet që të ketë përgatitje të lartë që neve aktualisht nuk po na njihet pasi që nuk njihen diplomat tona. Ne në Entin e Punësimit njihemi vetëm si gjimnazist, si njerëz të cilët kanë përfunduar shkollën e mesme, pra nuk na njihet shkollimi i lartë që kemi përfunduar në Universitetin e Prishtinës”, thotë Jahiu.

Në negociatat për çështje teknike të ndërmjetësuara nga Brukseli, më 2011 Prishtina dhe Beogradi kishin arritur marrëveshjen për njohje reciproke të diplomave. Në vitin 2016 kjo marrëveshje ishte zgjeruar duke përfshirë njohjen reciproke të diplomave të të gjitha niveleve të shkollimit.

Por, kjo marrëveshje bilaterale nuk po gjen zbatim në praktikë dhe po u shkakton probleme në punësim të diplomuarve si Fismiri, i cili ende nuk ka arritur të punësohet në Serbi në profesionin të cilin e ka studiuar.

Mosnjohja e diplomave të lëshuara nga universitetet e Kosovës nga Serbia ka dekurajuar shumë të rinj nga Lugina e Preshevës që të vazhdojnë studimet në Prishtinë pas mbarimit të shkollës së mesme.

Nita Fejzullahu është nxënëse e shkollës së mesme në Bujanoc. Ajo thotë se dëshiron të studiojë në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës.

“Ndoshta si opsion e kam Prishtinën, por fakti që më demotivon për të studiuar në Prishtinë është se neve këtu në Luginë nuk na njihen diplomat. Unë nëse dua të studiojë do të dëshiroja pastaj të kem edhe një vend pune”, thotë ajo.

Argjent Azizi, nxënës i shkollës së mesme në Bujanoc, thotë se për shkak të mosnjohjes së diplomave, nuk dëshiron që të studiojë në Universitetin e Prishtinës, por siç thotë ai, në ndonjë universitet në vendet perëndimore.

“Është shumë demotivuese për arsye se ne të gjithë studentët nga Lugina e Preshevës pas gjithë atyre mundimeve gjatë studimeve në fund të mos e kemi një mundësi për punësim, ky është një demotivim i madh”, thotë ai.

Lugina e Preshevës ku shumica e qytetarëve janë me kombësi shqiptare, është ballafaquar me një ikje të madhe në 20 vjetët e fundit. Problemet politike dhe kushtet ekonomike, kanë bërë që shumë familje të ikin për në vendet e Evropës perëndimore.

Mosnjohja e diplomave të Kosovës nga autoritetet serbe, thotë kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Ragmi Mustafa, ka bërë që të rinjtë e Luginës së Preshevës të ikin nga vendi.

“Gjithë atyre të rinjve të diplomuar nga viti 2018 e këndej nuk u njihen diplomat e Kosovës. Është problem serioz. Serbia është e interesuar në çdo formë të largoj shqiptarët nga Lugina e Preshevës. Nga viti 2008 deri më tani, janë 11 gjenerata kuadrosh që nuk janë këtu pari. Lugina e Preshevës po zbrazet nga të rinjtë, nga pjesa më produktive”, thotë Mustafa.

Kurse, kryetari i Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, thotë se shqiptarët e Luginës së Preshevës janë viktimë e raporteve Kosovë – Serbi, çka sipas tij, dëshmohet edhe përmes problemit të mosnjohjes reciproke të diplomave.

“Është me rëndësi të vazhdojë dialogu (Kosovë - Serbi) që shpresojmë të jetë një marrëveshje gjithëpërfshirëse”, thotë Arifi. Sipas tij, shqiptarët e Luginës së Preshevës presin që dialogu midis Kosovës dhe Serbisë të ndihmojë shqiptarët e Luginës së Preshevë që të dalim nga situata aktuale, e cila siç thotë ai, po i mbanë peng ata.

Por, problemet e shqiptarëve të tri komunave në jug të Serbisë, Preshevë, Medvegjë e Bujanoc, nuk përkufizohen vetëm në përpjekjet e tyre për të gjetur një vend pune në Serbi.

Fismiri Jahiu thotë se jo vetëm në Serbi, por edhe në Kosovë e ka të vështirë ta jetësojë dëshirën e tij që pas studimeve të gjejë edhe një vend pune. Për një vend pune në Kosovë, si shtetas i huaj, atij i duhet ta ketë një leje qëndrimi. Por, për ta marrë një leje qëndrimi atij i duhet të ketë një kontratë pune.

“Problemi është se nëse nuk ke kontratë pune ose ndonjë certifikatë me të cilën t’i dëshmon se je duke kryer një praktikë për pagesë është e pamundur të aplikosh për leje qëndrimi, qoftë të përkohshëm apo të përhershëm pasi nuk ta lejon ligji”, thotë ai.

Kur Fismiri përfundoi studimet në Fakultetin Ekonomik, drejtimi Menaxhment-informatikë, nuk e kishte menduar se problemet politike mes Kosovës dhe Serbisë do të kishin ndikim kaq të madh në jetën e tij dhe synimet për të gjetur një punë.

Të gjitha këto barriera, sipas të rinjve shqiptarë nga Lugina e Preshevës, po i shtyjnë më pas ata që të kërkojnë zgjidhje tjera.

“Po njëra ndër zgjidhjet përveç puna në sektorin privat ose hapja e një biznesi të ri përmes start up është që të shkojë të vazhdojë studimet në vendet e perëndimit dhe të vazhdojë të punojë atje”, thotë Jahiu.

Që nga viti 2011 kur kishte nisur dialogu në mes të Prishtinës e Beogradit i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, Kosova dhe Serbia kanë arritur më shumë se 20 marrëveshje teknike, duke përfshirë edhe njohjen e diplomave universitare. Shumë nga këto marrëveshje ende nuk zbatohen, sepse mungon vullneti politik nga të dy palët.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG