Ndërlidhjet

Kosovarët, më të dhunshëm gjatë pandemisë


Disa aktiviste mbajnë në duar portretet e viktimave të dhunës në familje. Foto nga arkivi.
Disa aktiviste mbajnë në duar portretet e viktimave të dhunës në familje. Foto nga arkivi.

Rastet e dhunës në familje kanë shënuar rritje për 30 për qind që nga koha kur në Kosovë është shpallur pandemia dhe vendi hyri në izolim.

Organizatat që monitorojnë këto raste besojnë se kjo shifër do të ishte shumë më e madhe sikur të gjitha viktimat, sidomos gratë, të kishin mundësinë dhe guximin të lajmëronin ushtrimin e dhunës ndaj tyre.

Erza Kurti nga Rrjeti i Grave të Kosovës thotë për Radion Evropa e Lirë se jo të gjitha rastet janë raportuar në polici në periudhën e pandemisë së koronavirusit të ri.

“Jemi duke parë një shtim të rasteve të raportuara nga viti në vit. Në secilin vit, numri i rasteve është më i lartë se tjetri. Është shumë shqetësues, mirëpo ne mendojmë se ndoshta edhe raportimi nuk është aq i lartë gjatë kohës së pandemisë, se ndoshta mund të ketë edhe më shumë raste për shkak se pandemia e ka vështirësuar mundësinë që personat që përjetojnë dhunë në familje, ta raportojnë atë”, thotë Kurti.

Kurti thotë se dhjetëra gra janë vendosur nëpër strehimore gjatë kohës së pandemisë, pasi ato ishin viktima të dhunës.

Policia: Trajtimi me prioritet rriti raportim e rasteve

Në muajin mars filloi rritja e shifrave të rasteve të raportuara të dhunës në familje.

Më 15 prill, Policia e Kosovës bëri apel të qytetarët që të lajmërojnë çdo rast në të cilin ata janë viktima të dhunës, duke i siguruar ata se rastet e tyre do të trajtoheshin me prioritet.

Policia e Kosovës thotë për Radio Evropa e Lirë se në katërmujorin e parë të këtij viti janë regjistruar gjithsejtë 648 raste të dhunës në familje.

Në muajin janar, sipas të dhënave të policisë, janë regjistruar 161 raste të dhunës në familje, në muajin shkurt 151, në muajin mars 169 ndërsa në muajin prill gjithsej 167 raste.

Për muajin maj, Policia e Kosovës nuk i ka dërguar të dhënat, për shkak se sipas këtij institucioni, një gjë e tillë bëhet në fund të çdo muaji.

Por, në bazë të raporteve 24 orëshe, edhe këtë muaj ka qenë trend i njëjtë i shënimit të rasteve të dhunës në familje.

Policia thotë se gjatë viteve të kaluara është rritur bashkëpunimi me qytetarët e që ka ndikuar në rritjen e numrit të rasteve që raportohen.

“Trajtimi i rasteve me prioritet nga ana e PK-së, bashkëpunimi i qytetarëve me policinë dhe senzibilizimi i qytetarëve, ka ndikuar në ngritjen e raportimit të rasteve ndër vite”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Polica e Kosovës kërkon nga të gjithë qytetarët që të mos shfaqin dhunë ndaj askujt, sidomos në këtë kohë kur vendi është duke kaluar nëpër pandeminë e shkaktuar nga koronavirusi i ri.

“Policia e Kosovës edhe përkundër angazhimeve shtesë këto raste i trajton me prioritet dhe bën apel për të gjithë personat nëse janë pre e dhunës në familje ose çfarëdo lloj dhune tjetër, t’i raportojnë këto raste përmes numrave të telefonit 192 dhe 080019999 apo në stacionin më të afërt policor”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.

Haxhiu kërkon masa më të rrepta për ushtruesit e dhunës

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albuna Haxhiu thotë se sipas të dhënave që ka kjo ministri, në tre muajt e pandemisë është shënuar 30 për qind rritje e rasteve të dhunës në familje.

Sipas saj vetëm në muajt mars, prill dhe gjysmën e muajit maj, janë shënuar më shumë se 350 raste të dhunës në familje.

Ministrja Haxhiu thotë se shtimi i rasteve është shqetësues dhe se duhet masa më të rrepta për ushtruesit e dhunës.

“Gjykatat duhet të jenë në krye të detyrës dhe duhet ta shohin këtë si problem shoqëror dhe kjo vjen si pasojë e mentalitetit patriarkal, ku nuk konsiderohet krim i madh në qoftë se dikush është dhunuar fizikisht, psiqikisht, materialisht apo edhe seksualisht. Prandaj duhet të ketë emancipim, vetëdije të lartë shoqërore dhe në anën tjetër Policia, Prokuroria dhe Gjykatat që t’i dënojnë ata të cilët përfshihen në krime të tilla”, thotë Haxhiu.

Muajt e fundit në Kosovë janë shtuar edhe rastet e dhunës seksuale, për të cilat ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu thotë se kryesit e këtyre veprave nuk duhet që në të shumtën e rasteve të lëshohen në procedurë të rregullt.

“Ajo çfarë vazhdon të mbetet shqetësuese është që në rastet, sidomos të dhunës seksuale sepse gjatë kësaj kohe ka qenë e shprehur edhe rastet e dhunës seksuale sidomos te të miturat, po lëshohen në procedura të rregullta dhe padyshim kjo përbën shqetësim serioz sepse kjo vetëm se i nxitë kryesit që të vazhdojnë me veprime të tilla kriminale”, thotë Haxhiu.

Në izolim, dhuna në familje në rritje
Ju lutem prisni
Bashkëngjite

No media source currently available

0:00 0:02:53 0:00

Përveç Kosovës, rritje të shifrave të dhunës në familje kanë raportuar shumë shtete të botës.

Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, gjatë 12 muajve të kaluar në mbarë botën 243 milionë gra dhe vajza të moshës 15 deri 49 vjeçe i janë nënshtruar dhunës seksuale ose fizike.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG