Ndërlidhjet

Pandemia dhe izolimi rrisin problemet në shëndetin mendor


Dashmir Bërxulli.
Dashmir Bërxulli.

Përveç problemeve shëndetësore që COVID-19 ka sjellur për miliona njerëz në botë, është edhe një pjesë e madhe që ka përjetuar edhe probleme me shëndetit mendor, thotë psikologu Dashamir Bërxulli në një intervistë për Radion Evropa e Lirë. Ai thotë se simptomat më të shpeshta janë depresioni dhe ankthet. Sipas tij, gjëja e parë që duhet bërë është eliminimi i frikës nga pandemia. Leximi sa më i pakët i lajmeve për këtë virus i bën më mirë shëndetit mendor, thotë ai.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Bërxulli, qytetarë të shumtë këto ditë, kanë kaluar dhe ende një pjesë e tyre po kalojnë kohën të mbyllur në shtëpi për shkak të pandemisë së COVID-19. Në aspektin psikologjik, si ka ndikuar kjo situatë te njerëzit?

Dashamir Bërxulli: Pandemia ka shkaktuar një pasiguri dhe një frikë të madhe te popullata. Si rezultat i kësaj, mbyllja ka qenë e menjëhershme dhe sigurisht në kuptimin e dinamikave psikologjike kjo jep një efekt të caktuar si në trupin e njeriut, si në mendje, ashtu edhe në veprimtarinë e përditshme.

Aq me tepër kur rastet e tilla të pandemisë me sa mbajmë mend neve nuk janë të njohura në Kosovë, por edhe në botë dhe nuk i kemi pasur mekanizmat ballafaques të situatave të tilla. Pra, është dashur të shpiket gjithçka nga e para, në kuptimin e ballafaqimit. Prandaj, mund të them se njerëzit janë bërë më apatik e më me ankth.

Do të thotë mund të kenë pasur edhe ndikime somatike që vijnë me bazë psikologjike dhe po ashtu në momente të caktuara mund të kenë pasur edhe momente të agjitimit të shpeshtë meqenëse ka qenë e prerjes së kontakteve sociale të menjëhershme dhe adaptimi me një situatë tjetër, e cila sigurisht që ka ndikuar që njerëzit të ndërpresin planet e tyre jetësore dhe të ndërtojnë një dinamikë dhe një rutinë të re.

Kjo normale e re mbi dy muaj, tashmë ka ndikuar që njerëzit po ashtu të kenë momente të caktuara, veçanërisht të rinjtë të cilët kanë një jetë sociale pak më të hapur, dhe një të kenë një moment apatie apo simptoma eventualisht aty-këtu të depresionit. Ndërsa për moshat e tjera si kryefamiljarët e të tjerët, shqetësimi kryesor është ruajtja e shëndetit të familjes po ashtu edhe pjesa financiare. Pas dy muajsh, megjithatë kemi parë një qëndrueshmëri të popullatës ndaj pandemisë një vetëpërmbajtje në përgjithësi dhe një përshtatje shumë e mirë në rrethana të reja.

Zvogëlimi i frikës nga virusi

Radio Evropa e Lirë: Pasojat sa mund të jenë të rënda dhe në cilën shtresë të shoqërisë mund të ketë ndikuar kjo gjendje më shumë?

Dashamir Bërxulli: Kemi elemente të caktuara simptomatike të frikës së tepërt të ankthit të depresionit, e kështu me radhë. Ka kategori të caktuara të cilat janë më të ndjeshëm, më të cenuar në këtë drejtim. Një kategori e ndjeshme në këtë pikëpamje janë shtatzënat sepse në këto raste shtatzënat përveç frikës dhe ankthit dhe disa simptomave të caktuar të shëndetit mental, që janë të natyrshme me rastin e shtatzënisë për arsyeje të njohura, atëherë ka mundësi që këto elemente të theksohen gjatë shtatzënisë.

Po ashtu, probleme mund të kenë edhe fëmijët, meqenëse dinamika e tyre është e tillë që ata nuk mund ta interpretojnë realitetin se çka po ndodh, do të thotë nuk mund ta kuptojnë pavarësisht se dëgjojnë nga lajmet, nga prindërit edhe fjalë të caktuara nuk i gjejnë dot kuptim në botën e tyre dhe sigurisht që kërkohet një përpjekje e dyfishtë për të punuar me fëmijët dhe për t’ju thënë atyre se nuk mund të dalin ose nuk mund të blejnë diçka në dyqane ose që duhet të ruhen e kështu me radhë.

Gjëra që zakonisht nuk janë në natyrën e fëmijës, të vetëkontrollit meqenëse nuk e kupton procesin. Pra, këto janë kategoritë më të rënda, pastaj edhe të moshuarit të cilët preken shumë me virusin edhe për shkak të problemeve, aty pastaj kemi frikë të llojit të tjetër dhe ka mundësi të ketë mbyllje në vete, izolim social edhe elemente të tjera shoqëruese emocionale të kësaj gjendjeje.

Radio Evropa e Lirë: Çka duhet të bëjnë njerëzit që të mos kenë probleme psikologjike?

Dashamir Bërxulli: E para e punës është zvogëlimi dhe reduktimi i frikës ndaj virusit, ndaj situatës që jemi. Të respektohen rregullat që janë dhënë, të cilat janë do të thotë të bazuara në shkencë dhe përtej kësaj pastaj për të krijuar një monotoni dhe një përditshmëri e cila është pozitive, atëherë rekomandohet që të merren me aktivitete të cilat janë fizike që mund të bëhen ose në kushte shtëpie ose tashmë kemi një lirim të orareve edhe në kushte të cilat janë në natyrë, por gjithmonë duke ruajtur masat përkatëse.

Kjo është një rekomandim shumë i mirë sepse lëviz dhe qarkullon energjia, e bën njeriun të ndjehet nën kontroll të trupit dhe sigurisht që relacioni trup-mendje është më adekuat dhe më funksional në këtë pikëpamje.

Po ashtu ideja është që të ndiqen hobi, në këtë raste kur njeriu është i mbyllur ose ka mundësi të kufizuara të komunikimit apo ndjekjes së interesave të tjera që kanë lidhje me biznesin e kështu me radhë, atëherë duhet t’i rikthehet vetvetes, dhe kthimi në vetvete është duke krijuar atë botën e brendshme përmes hobive të ndryshme.

Mungesa e psikologut shihet vetëm kur ka kriza të mëdha

Radio Evropa e Lirë: A shihni se ka përkushtim të duhur nga qytetarët dhe nga institucionet për shëndetin mendor dhe a ka përkrahje të duhur të psikologëve?

Dashamir Bërxulli: Ne që jemi të kësaj fushe, se besoj që.. në Departamentin e Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës jemi përpjekur që të bëjmë një... të ndajmë profesionin në një nivel tjetër dhe kjo është kuptuar nga shoqëria ka përgjithësisht konsideratë ndaj psikologëve dhe punës së tyre sepse ka edhe shumë gjëra pozitive në këtë drejtim.

Megjithatë, do të thotë buxheti që vendoset në funksion për psikologët është i pakët ende. Ka momente të caktuara kur puna e tyre nuk merret shumë në konsideratë. Vetëm në momentin kur ne kemi pandemi apo kur ka tërmete, kur ka kriza, në të cilat u kthehemi atyre, ose kur kemi kriza individuale.

Në përgjithësi, institucionet mendoj që duhet t’i japin më shumë rëndësi shëndetit mendor dhe veçanërisht profesionit të psikologut edhe korniza ligjore që ka të bëjë me këtë fushë, por edhe trajnimit të stafit të mëtejshëm duke bashkëpunuar ngushtë me Departamentin e Psikologjisë në Universitetin e Prishtinës.

Mund të bëhen gjëra të cilat janë shumë të mira, sepse është treguar që popullata tashmë është më e hapur ndaj kësaj ekspertize psikologjike, e vlerëson atë, dhe njerëzit kërkojnë ndihmë, janë të hapur që të tregojnë problemet e tyre dhe të punojnë me psikologët duke arritur rezultate, atëherë kjo është një ogur i mirë që shoqëria i është kthyer vetvetes, njerëzit kanë lirinë që të trajtojnë problemet e tyre dhe kanë po ashtu lirinë që le të themi, t’i drejtohen dikujt tjetër për të marrë ndihmë, drejtohen te profesionisti.

Investimi në shëndet mendor dhe te psikologu është një investim në shëndet, në parandalim të problemeve, është një investim në ruajtjen dhe është investim në ekonomi, në arsim, në biznes, në organizatë, kulturë e kështu me radhë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG