Ndërlidhjet

Cili nga kandidatët për kryeministër do të bisedojë me Serbinë dhe në ç'mënyrë?


Gjashtë kandidatët për kryeministër të Kosovës (radhitja është bërë në bazë alfabetike të mbiemrit).
Gjashtë kandidatët për kryeministër të Kosovës (radhitja është bërë në bazë alfabetike të mbiemrit).

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe qasja ndaj këtij dialogu, është një temat në të cilat janë fokusuar shumica e kandidatëve, të cilët partitë politike që garojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, i kanë nominuar për kryeministër të vendit.

Dy kandidatët për kryeministër të partive politike, të cilat në mandatin e kaluar legjislativ kanë qenë pjesë e opozitës, Vjosa Osmani nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje, kanë përjashtuar mundësinë që presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ta ketë rolin udhëheqës në këtë proces. Sipas tyre, rolin kryesor në udhëheqjen e këtij procesi do ta ketë Qeveria e Kosovës.

Vjosa Osmani, e nominuar për kryeministre nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka theksuar se procesin e dialogut me Serbinë, në rast se bëhet kryeministre, do ta udhëheqë ajo.

“Dialogu duhet të udhëhiqet nga qeveria. Atë proces do të udhëheq unë. Në fushën e negociatave dhe dialogut, kam përvojë më shumë se secili nga kandidatët për kryeministër. Pasi që ne si qeveria ta negociojmë dhe nënshkruajmë marrëveshjen, në bashkëpunim gjatë gjithë kohës me Kuvendin dhe pasi të ratifikohet ajo marrëveshje në Kuvend, presidenti e ka një detyrë ceremoniale që ta vendosë nënshkrimin në dekretin për ratifikimin e marrëveshjes”, ka thënë Osmani.

Përjashtimin e rolit kryesor të presidentit të vendit në udhëheqjen e dialogut me Serbinë, e ka theksuar edhe Albin Kurti, kandidat i nominuar për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje. Sipas tij, procesin e dialogut duhet ta udhëheqë Qeveria e Kosovës. Ai ka theksuar se në rast se merr postin e kryeministrit, fillimisht duhet rishqyrtuar të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun e Brukselit.

“Këtë nuk mund ta bëj rivalja ime (Vjosa Osmani), sepse ajo do të jetë kryeparlamentare. Unë do të jem kryeministër pas 6 tetorit. Ne duhet ta krijojmë një ekip negociator, i cili duhet ta ketë strategjinë përkatëse dhe duhet t’i ketë edhe parimet e dialogut, në mënyrë që të mos krijohet një lloj kakofonie në këtë aspekt. Por, kjo nuk vjen menjëherë. Ne na nevojitet një komision, ta kemi një komision që e mbyllë shpejt kapitullin e 33 marrëveshjeve të realizuara përgjatë dialogut në vitin 2012 deri në vitin 2017”, ka theksuar Kurti.

Ndërkaq, lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, kryeministër në largim dhe i nominuar sërish për kryeministër nga partia e tij dhe Partia Socialdemokrate, ka deklaruar se vendimi për taksën prej 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë, e ka sjellë këtë të fundit para situatës që ta kuptojë se Kosova nuk shkon në dialog me kushte.

“Ne kemi nevojë për fqinjësi të mirë me Serbinë dhe po ashtu Serbia ka nevojë për fqinjësi të mirë me Kosovën. Ne jemi të gatshëm për këtë. Por, nuk jemi të gatshëm për ripushtim, për rinënshtrim dhe për çfarëdo situate të dorës së dytë. Pra, vetëm si dy shtete, si dy fqinjë, si dy palë që kanë interesa. Këtë, kurrë më të qartë nuk e ka pasur Serbia, ju siguroj”, theksoi Haradinaj.

Fatmir Limaj, i nominuar si kandidat për kryeministër nga Nisma Socialdemokrate, Aleanca Kosova e Re dhe Partia e Drejtësisë, ditë më parë përmes një letre publike të drejtuar ditë më parë kandidatëve që garojnë për postin e kryeministrit të vendit, ka thënë se nevojitet një unitet i spektrit politik për t’iu qasur dialogut me Serbinë, i cili unitete kishte munguar në mandatin e kaluar të legjislativit.

“Të vetëdijshëm se populli i Kosovës nuk e meriton që aleatët e Kosovës, ata që në momentet jetike kanë qëndruar pranë popullit tonë, të zhgënjehen nga mungesa e aftësisë institucionale që të miratohen e merren vendime në interes të ardhmërisë së vendit, Kuvendi i Kosovës miratoi platformën mbi bazën e të cilës duhej të ndërtohej një konsensus i përgjithshëm i pikëpamjeve tona politike për çështjen e dialogut me Serbinë”, ka shkruar Limaj.

Ndryshe nga të gjithë kandidatët tjerë të nominuar për kryeministër, lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ende nuk është deklaruar lidhur me qasjen që do ta ketë ndaj procesit të dialogut me Serbinë. Gjatë kohës sa në Kosovë po vazhdon një lloj parafushate për zgjedhjet e 6 tetorit, ai është koncentruar kryesisht në temën e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Edhe Nenad Rashiq nga koalicioni “Liria”, ka shpallur kandidaturën për kryeministër të Kosovës. Ai thotë që dialogu Kosovë –Serbi duhet domosdo që të vazhdojë sa më parë dhe menjëherë pas formimit të qeverisë së re, e cila, sipas tij, duhet ta ketë rolin kryesor në këtë proces.

“Në atë rast, personi më kompetent do të ishte kryeministri i ri ose një ekip i ri, në kuadër të së cilit do të ishin kryeministri, zëvendëskryeministrat nga cilado shumicë qeverisëse. Kjo është e domosdoshme, sepse kemi parë që ka pasur raste që presidenti, i cili, para së gjithash duhet të jetë një pozitë ceremoniale, ndërkohë që doli se në esencë ai ka iniciuar gjëra që janë shumë serioze dhe që tashmë e dimë se si përfundoi e gjithë kjo. Marrëveshja mund të arrihet, por pjesa më e vështirë do të jetë zbatimi”, tha Rashiq.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, ka nisur me lehtësimin e këtij procesi nga Bashkimi Evropian, në vitin 2011. Ky dialog, i cili fillimisht ishte për çështje teknike, më pas ka evoluuar në dialog politik ndërmjet dy vendeve, i cili synon që në finale të ketë një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe juridikisht obliguese për të dy vendet. Që nga nëntori i vitit 2018, kur Qeveria e Kosovës pati vendosur taksën prej 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, Serbia ka refuzuar të vazhdojë dialogun pa heqjen e kësaj takse.

Bashkësia ndërkombëtare, përfshirë vendet e Kuintit, ku bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia, kanë kërkuar pezullimin e taksës nga Kosova dhe rifillimin e dialogut me Serbinë për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ndërmjet dy vendeve. Vendet e Kuint-it, veç e veç, i kanë ofruar ndihmën dhe mbështetjen e tyre Bashkimit Evropian për krijimin e mundësive për arritjen e një zgjidhjeje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG